Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.ELBASAN/ ÇELET EDICIONI I 27-TË I FESTIVALIT TEATROR “SKAMPA”
Mbrëmjen e nesërme çelet në Elbasan edicioni i 27-të i Festivalit Teatror “Skampa”, i cili do të vijojë deri më 6 tetor. Festivali i stileve dhe formave të reja teatrore risjell edhe këtë vit një larmi performancash nga vende të ndryshme të botës. Këtë vit do të ngjiten në skenë 11 shfaqje, në Elbasan, por edhe në Tiranë, nga nëntë trupa të ndryshme teatrore, mes të cilave ajo e Ankarasë, e Stambollit, si dhe trupat nga Greqia, Kosova, Lituania, Serbia e Shqipëria.
2. RIKTHEHET NË TEATRIN KOMBËTAR SHFAQJA “FERMA E KAFSHËVE”
“Ferma e kafshëve” është shfaqja teatrore, që rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës nga 2 deri më 5 tetor. Shfaqja, një përshtatje e veçantë e alegorisë së famshme nga George Orwell, që flet për pushtetin, manipulimin dhe shpresën do të vijë për publikun çdo mbrëmje në orën 20:00 dhe ka si regjisore Driada Dervishin.
3. DITAR I NJË UDHËTARI”, EKSPOZITË PERSONALE E PARID DULES
“Ditar i një udhëtari” është ekspozita personale e piktorit Parid Dule, që do të çelet mbrëmjen e sotme, në orën 19:00 në galerinë FAB të Universitetit të Arteve. Ajo vjen e kuruar nga Orlis Vathi dhe do të qëndrojë e hapur deri më 9 tetor.
4. PROGRAMI PËR REGJISORËT E RINJ, SHFAQEN FILMA TE “AGIMI”
Në kuadër të programit kushtuar regjisorëve të rinj “12 1/2” në Qendrën e Artit “Agimi”, mbrëmjen e 2 tetorit në orën 20:00 mund të shikoni filmin me metrazh të shkurtër “Path” dhe dokumentarin “Hallway” të regjisorit Mauro Zaçe. Pas shfaqjes së filmave do të ketë edhe një bashkëbisedim midis regjisorit dhe publikut.
5. “PALLATI 69”, SHFAQET FILMI NË TEATRIN E KORÇËS
“Pallati 69” është filmi që do të shfaqet në Teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë, mbrëmjen e 2 tetorit në orën 19:00.
Komente
