Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vend.
1.“E DIELA NË TKOB”, NJË DITË MAGJIKE DEDIKUAR FËMIJËVE
Kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit sjell një program krejt të veçantë për miqtë e vegjël të operës, këtë të diel, në orën 11:00. Fëmijët mund të hyjnë pa paguar dhe do të kenë mundësinë të njihen nga afër me botën magjike të operës
2. FOTOGRAFJA BENZENBERG LIBËR E EKSPOZITË PËR SHQIPËRINË
“Mos shiko pas te shtëpia që po digjet” (“Don’t Look Back at the Burning House”) është libri i fotografes Jutta Benzenberg, që do të promovohet në 20 shtator në galerinë “HBS” te Piramida në Tiranë, ndërkohë që do çelet edhe një ekspozitë me të njëjtin titull. Libri është dëshmi e punës shumëvjeçare të Jutta Benzenberg në Shqipëri, që nis në vitet ’90.
3. “ZEMËRIMI I SHKRONJAVE” ÇEL SEZONIN TE TEATRI I KUKULLAVE
“Zemërimi i Shkronjave” do të vijojë të shfaqet edhe këtë të shtunë dhe të dielën në skenën e Teatrit të Kukullave në Tiranë. Kjo shfaqje-legjendë rikthehet në skenë pas plot 40 vitesh. Shfaqja për publikun do të vijë në oraret 10:30 dhe 11:30.
4. KOMEDIA “ERASHKA”, SHFAQJE NË TEATRIN “SKAMPA” NË ELBASAN
“Erashka” nga Carlo Goldoni është shfaqja do të ngjitet në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan edhe më 20, 21 e 22 shtator në orën 19:00.
5. “OEDIPUSS TYRANUSS”, SHFAQJA E THANASSIS SARANTOS NË TIRANË
Pas suksesit në festivale ndërkombëtare në Turqi, Mongoli, Kosovë e Greqi, shfaqja e regjisorit dhe aktorit Thanassis Sarantos, “Oedipuss Tyranuss”, një udhëtim dramatik, emocional dhe vizual, që sjell në skenë tragjedinë më të njohur të Sofokliut, mbërrin për herë të parë në Tiranë. Ajo do të shfaqet në Sallën e Koncerteve në Universitetin e Arteve në Tiranë, më 21 shtator në orën 19:00. Shfaqja është pjesë e Festivalit Teatror Bashkëkohor “Mediums”.
6. “MBI RRËNJË”, EKSPOZITË PËR KULTURËN DHE NATYRËN NË KORÇË
Një ekspozitë qeramike që ndërthur traditën me inovacionin, duke sjellë në vëmendje rrënjët tona kulturore dhe lidhjen me natyrën do të çelet në hotel “Mik” në Korçë sonte, më 20 shtator në orën 19:15.
7. “SIMPOZIUMI NDËRKOMBËTAR I SKULPTURËS NË PARK” NË KORÇË
Simpoziumi Ndërkombëtar i Skulpturës në Park vijon të mbahet në Korçë nga 18 deri më 27 shtator. Artistë e skulptorë nga mbarë bota bashkohen për të krijuar vepra unike, duke pasuruar edhe më tej Muzeun e Hapur të Skulpturës.
8. GJASHTË VITE “COLOUR DAY FESTIVAL ALBANIA” TE “SKËNDERBEJ”
Festivali “Colour Day Albania” shënon edicionin e tij të gjashtë në sheshin “Skënderbej”, sonte, më 20 shtator. Të interesuarit mund të bëhen pjesë e festivalit gjatë 12 orëve non-stop, ku performancat live, artet vizuale dhe ngjyrat krijojnë atmosferë unike.
Komente
