Kultura

Aktivitetet kulturore/ Festivali Folklorik “Jehona e Vjosës” në Memaliaj! Marsela Çibukaj e Eda Zara në festivalin e Porto Palermos

14 Gusht, 11:58| Përditesimi: 14 Gusht, 12:22

  • Share

Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në disa qytete të vendit.

1.FESTIVALI FOLKLORIK “JEHONA E VJOSËS” NË MEMALIAJ

Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Jehona e Vjosës” vjen në edicionin e tij të II-të në Memaliaj në 15 dhe 16 gusht. Festivali mbahet në kuadër të Javës Memaliote “Memaliaj na Thërret” dhe do të bëjë bashkë grupe folklorikë dhe ansamble, valle tradicionale e këngë autentike.

2.  MARSELA ÇIBUKAJ E EDA ZARA NË FESTIVALIN E PORTO PALERMOS

Festivali i Porto Palermos konceptuar dhe drejtohet nga artisti Olen Cesari, vijon mbrëmjen e sotme me koncert të këngëtares Marsela Çibukaj, ndërsa nesër për të pranishmit do të interpretojnë Eda Zari dhe AJS.

3.“TAVERNA E ADRIATIKUT”, PANAIR, MUZIKË E TRADITË NË DURRËS

“Taverna e Adriatikut” mbahet prej ditës së sotme, të premten dhe të shtunën në shëtitoren “Taulantia” në Durrës. Në panair ekspozohen produkte dhe shërbime tipike të zonës si dhe punimet e artizanëve të Durrësit, ndërkohë që të tre ditët janë të mbushur me program artistik të pasur me pjesëmarrjen e këngëtarëve Era Rusi dhe Endrik Beba & Band, performanca muzikore nga artistët e rinj të qytetit si edhe nga trupa e valleve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve.

4. ANSAMBLI I KËNGËVE E VALLEVE, KONCERT NË LAÇ E KAVAJË

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore vijon turin në qytete të ndryshme të vendit. Mbrëmjen e sotme ai do të mbajë koncert në qytetin e Laçit, ndërsa nesër në Kavajë.

5. KINEMAJA E HAPUR VERORE NË HIMARË, FILMA PËR FËMIJËT

Fëmijët në Himarë mund të ndjekin filma në kinemanë e hapur “N’plazh” në orën 20:15. Mbrëmjen e sotme ata mund të shohin “Migration”, ndërsa nesër filmin “Shrek”.

6. MUZIKË E ARGËTIM NË FESTËN E MIQËSISË NË LUSHNJË

Qytetarët e Lushnjës mund të bëhen pjesë e Festës së Miqësisë, që do të mbahet mbrëmjen e nesërme në Lushnjë në orën 20:00.

7. “SOLAR MUSIC FESTIVAL” NË SARANDË PËR TË TRETIN VIT

“Solar Music Festival” rikthehet në Sarandë për të tretin vit në 15 e 16 gusht me muzikë, festa në varkë dhe argëtim.

8. “VERË NË KOLONJË”, KONCERT NË SHESHIN “RILINDJA” TË ERSEKËS

Verë në Kolonjë vijon mbrëmjen e së premtes në orën 20:00 me koncert të Orkestrës së Qendrës Kulturore Fan Noli në sheshin “Rilindja” në Ersekë.

9. “LIN FESTIVAL”, MUZIKË LIVE, TRADITË, KULINARI E POEZI

Edicioni i tretë i “Lin Festival” çelet sonte në orën 17:00 në Pogradec. Aktiviteti kushtuar trashëgimisë do të bëjë bashkë grupe muzikore dhe dj, që do të interpretojnë muzikë live, kulinari, etnografi, modë, traditë, poezi etj., dhe do të vijojë deri në 16 gusht.

V.GJ /E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimi Trump-Putin do të sjellë paqen në Ukrainë?