Kultura

Aktivitetet kulturore/ Festivali i muzikës moderne, ngjarje në Shkodër e Tiranë! Mbrëmje për xhazin, kinemanë dhe përvojën afro-amerikane

22 Korrik, 13:37| Përditesimi: 22 Korrik, 14:11

  • Share

1. Edicioni i tetë i Festivalit të Muzikës Moderne me drejtues artistik Gjon Shllakun do të mbahet nga 23-26 korrik në Shkodër. Festivali do të çelet mbrëmjen e së mërkurës në orën 21:00 në teatrin “Migjeni” në Shkodër, ndërsa gjatë ditëve në vijim do të mbahet edhe në Gjuhadol, në Kishën Katolike “Zemra e Krishtit” në Tiranë apo në Pedonalen e Shkodrës.

2. Xhazi, kinemaja dhe përvoja afrikano-amerikane në ekzile vijnë në një aktivitet interesant nga Kinemateka Shqiptare këtë të mërkurë, në 23 korrik në orën 20:00. Për të pranishmit në “Destil Garden” në Tiranë do të shfaqet një dokumentar, që sjell portretin e tensionuar të gjeniut Thelonious Monk gjatë një emisioni televiziv francez në 1970.

3. “Verë dhe Portokalle” do të mbahet në Elbasan nesër në orën 20:30. Spektakli i humorit do të sjellë të qeshura, energji dhe atmosferë verore.

4. Festivali polifonik “On Fest” po vijon të mbahet te Porta e Pashait prej të hënës e deri nesër mbrëma. Polifonia e vërtetë shqiptare do të vijë për të pranishmit nën interpretimin e grupeve të Beratit, Skraparit, Dimalit, Poliçanit dhe Roshnikut.

5. Dita e Teknologjisë së Ngjyrave, eventi i parë i trajnimit profesional në Shqipëri i dedikuar plotësisht klasifikimit të ngjyrave dhe post-prodhimit do të mbahet këtë të mërkurë në orën 10:00 në qendrën e artit “Agimi” në Tiranë.

6. Java e katërt e filmave te “Open Air Tirana” te “Reja” në oborrin e Galerisaë Kombëtare të Arteve do të vijojë sonte në orën 21:00 me filmin “No Hard Feelings”, ndërsa në orën 21.00 të së mërkurës do të ketë një aktivitet me lojëra, energji e argëtim.

7. Komedia “Vendi më i humbur në Shqipëri” do të vijojë të shfaqet edhe mbrëmjen e kësaj të marte dhe të mërkurën në orën 21:00 në Amfiteatrin Antik të Durrësit.

8. Shfaqja “Tre derrkucët” nga Teatri i Kukullave do të udhëtojë në qendër të Vorës, për një shfaqje mbrëmjen e 23 korrikut në orën 20:00.

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?