1. FOTOGRAFI ITALIAN PIETRACUPA, EKSPOZITË NË TIRANË
“Kohë pas kohe” (Tempo su tempo) është ekspozita nga Marco Pietracupa, që do të çelet sonte në orën 19:00 te “Galeria e Artit” Tiranë. Ekspozita bashkon imazhe të marra nga Pietracupa gjatë vizitave të tij në Tiranë, një qytet që i paraqitet objektivit të tij si një palinsest epokash, stilesh dhe kontradiktash.
2. “SAGA E DINEJVE…”, EKSPOZITË DHE LIBËR I RI NGA LUAN RAMA
Një ekspozitë fotografike dhe prezantim i librit “Saga e Dinejve -Çamët që bën histori” me autor studiuesin Luan Rama do të mbahet më 18 shtator në orën 18.00 në “Hotel Tirana” në kryeqytet.
3. “MBRO & PROMOVO – EDICIONI V”, EKSPOZITË ME FINALISTËT
Vijon të qëndrojë e hapur në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë ekspozita shëtitëse me 10 finalistët e edicionit të V të konkursit fotografik “Mbro & Promovo”. Më pas ekspozita do të udhëtojë drejt Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia, ku do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit tetor.
4. LIBRA, MUZIKË E TEATËR NË JAVËN KULTURORE TË ARABISË SAUDITE
Një sërë aktivitetesh po vijojnë të mbahen në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në Javën Kulturore të Arabisë Saudite. Sot dhe nesër do të ketë diskutim për disa libra, shfaqje teatrore dhe performancë bashkëkohore, si dhe një simpozium për muzikën.
5. “SIMPOZIUMI NDËRKOMBËTAR I SKULPTURËS NË PARK” NË KORÇË
Simpoziumi Ndërkombëtar i Skulpturës në Park vjen në Korçë nga 18 deri më 27 shtator. Artistë e skulptorë nga mbarë bota bashkohen për të krijuar vepra unike, duke pasuruar edhe më tej Muzeun e Hapur të Skulpturës.
6. KOMEDIA “PLEQËRI ME KUSURE” NË TEATRIN E BYLISIT NË FIER
Komedia “Pleqëri me kusure” e autorit fierak, Odise Plaku dhe me regji të Eliona Thomaraj rikthehet me dy netë të tjera në skenën e teatrit “Bylis” në Fier në 18 dhe 19 shtator në orën 19:00.
7. “KORÇA SERENIGHTS FESTIVAL”, TRI NETË ME SERENATA E MIQËSI
Tre netë me serenata dhe miqësi do të vijnë në Korçë në “Korça Serenights Festival” në 18, 19 dhe 20 shtator.
8. “WHAT THE FINN?”, FILMI PËR FËMIJË I REGJISORIT GJERMAN
Filmi “What the Finn? bazuar në librin e njohur të Martin Muser-it prezantohet mbrëmjen e nesërme në orën 18:30 në “Goethe-Zentrum” në Tiranë. Regjisori Stefan Westerëelle sjell një film për fëmijë që është njëkohësisht emocionues dhe i ndjeshëm. Filmi do të vijë në gjermanisht me titra në anglisht.
Komente
