Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vend.
1. “Gloria” nga Vivaldi, një nga veprat më të dashura të repertorit barok është koncerti i Korit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit që do të mbahet në 16 korrik në orën 20:00 në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri. Vepra vjen nën dirigjimin e Dritan Lumshit, me soliste Marina Kurti e Amelda Papa, ndërsa koncertmaestër kori është Ingrid Pulizo.
2. Kjo e martë shënon çeljen e disa aktiviteteve kulturore palestineze në Tiranë me një bashkëbisedim në “Bulevard Art Institute” në orën 19:00. Diskutimet do të kenë në qendër poezinë, rezistencën, kujdesin kolektiv si dhe kulturën palestineze të ushqimit.
3. “Motion Marks” nga Griselda ‘Zelda’ Borizani dhe Blendi Kareco është ekspozita që çelet mbrëmjen e kësaj të marte në orën 19:00 te Qendra e Artit “Agimi” në Tiranë. Autorët përmes punëve të tyre sjellin këndvështrimin e tyre mbi urbanen.
4. “Shrek 2”, “Mbretëresha e dëborës” dhe “Frozen” e “Maleficent” janë filmat që do të shfaqen përkatësisht mbrëmjen e kësaj të marte dhe të mërkurën në oraret 20:00 dhe në 21:30 në “Open Sky Cinema”, përballë Kalasë në Pogradec.
5. Vendi më i humbur në Shqipëri” është shfaqja me regji nga Andia Xhunga që do të shfaqet premierë te Amfiteatri Antik i Durrësit mbrëmjen e 15 korrikut në orën 21:00.
6. Te sheshi i quajtur “Kinemaja verore” në Lungomare në Vlorë do të mbahet një performancë mbrëmjen e kësaj të mërkure në orën 20:00 nga orkestra “Fanfara Tirana”.
Komente
