Kultura

Aktivitetet kulturore/ ‘Histori vjeshte’, shfaqje tek teatri 'Kujtim Spahivogli'! ‘Manifesto Vala e madhe’ te galeri ‘Zeta’

6 Shkurt, 11:37| Përditesimi: 6 Shkurt, 15:49

  • Share

Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar vjen në sallën e Universitetit të Arteve me një koncert me vepra nga Limos Dizdari. Koncerti do të mbahet më 7 shkurt në orën 18:00 dhe në të do të interpretojë pianistja soliste Merita Rexha Tërshana, si dhe do të ketë mes të tjerash edhe një kolazh solo violinë dhe “Fjalët e Qiririt” nga muzika e filmit “Mësonjëtorja”, interpretuar nga Alda Dizdari. Koncerti vjen nën dirigjimin e Ermir Krantjes, me pjesëmarrjen e Luiza Xhuvanit.

2. Albana Shoshi dhe Zef Shoshi vijnë me një ekspozitë të përbashkët këtë të premte, më 7 shkurt në orën 11:00-13:00 në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë.

3. “Horizonte të ndotura” titullohet ekspozita e artit digjital që do të çelet te Qendra Kulturore Tulla në Tiranë më 7 shkurt, në orën 19:00. Ekspozita eksploron ndikimin e zhvillimit urban në shoqërinë dhe natyrën në Shqipëri.

4. “Manifesto Vala e madhe” titullohet aktiviteti që do të mbahet te galeri “Zeta” këtë të enjte dhe të premten, pra në 6 dhe 7 shkurt, në orën 18:00. Këto janë dy aktivitete përmbyllëse, që do të vijnë në formë bisedimesh. I pari është “Kinemaja para gjyqit: Nga kinokronikat e gjyqeve komuniste tek filmat e vigjilencës revolucionare të masave”, prezantim libri dhe bisedë e hapur dhe punëtoria mbi konferencën me titull “Vitet 1990 si periudhë e zhbërjes dhe ribërjes së kulturës në Shqipëri”.

5. “Shprehi të mira” është ekspozita personale nga piktori nga Gjakova, Xhevdet Spahija, që çelet më 7 shkurt në orën 18:30 në Galerinë e Arteve në Shkodër.

6. “Edi Rama, Neuroestetika e një Artisti” e autorit Oltsen Gripshi është libri që promovohet më 7 shkurt në orën 17:00 në Bibliotekën Publike “Marin Barleti” në Shkodër.

7. “Kush është Charles Dickens?” është sesioni i leximit që do të mbahet në mjediset e COD pranë Kryeministrisë më 7 shkurt në orën 14:00. Aktiviteti do të ketë për bazë një nga romanet më magjepsës të letërsisë botërore: “David Copperfield”.  Për ta njohur më mirë veprën dhe autorin e saj, fëmijët e Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë dhe nxënësit e shkollës “Kushtrimi i Lirisë” do të shijojnë një sesion leximi me aktorin e trupës së Teatrit të Kukullave, Florian Kokona.

8. “Histori vjeshte” është shfaqja që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “K.Spahivogli” në Tiranë më 5, 6 dhe 7 Shkurt në orën 19:00. Me autor Aleksei Arbuzov, pjesa vjen nën regjinë e Armando Borës.

Xh.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?