Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. Duke filluar nga kjo e hënë në orën 18:30 dhe çdo mbrëmje deri më 17 janar “Tek Bunkeri” do të mbahet Java e Dokumentarëve. Aktiviteti vjen në kuadër të projektit “Voiced”, për të gjithë të apasionuarit pas filmit dhe historisë. Ky projekt synon të ndërgjegjësojë dhe edukojë shoqërinë mbi padrejtësitë historike të periudhës së diktaturës në vendin tonë, duke trajtuar dhe rastet e personave të zhdukur. Hyrja për të gjithë të interesuarit është e lirë.
2. “Inside my home” nga Fatmir Boshnjaku titullohet ekspozita që vijon të jetë e hapur te “Parking Art Gallery” në Tiranë. Kjo ekspozitë sjell një dialog mes traditës dhe artit bashkëkohor, duke eksploruar ndjenjën e shtëpisë si identitet dhe kujtimet e pakicave kombëtare në Shqipëri.
3. Në muzeun e fotografisë “Marubi” në Shkodër vijon të jetë e hapur ekspozita “George Crewdson”.
Crewdson është një fotograf i njohur ndërkombëtarisht, i cili gjatë tre dekadave të fundit ka mishëruar një portret të Amerikës së Mesme. Kjo ekspozitë prezanton vepra nga tre seritë e krijuara midis viteve 2012 dhe 2022.
4. Vijon të qëndrojë e çelur në galerinë “Guri Madhi” në Korçë ekspozita e mjeshtrit të artit figurative, Roland Karanxha. Ekspozita do të qëndrojë e çelur deri më 30 janar.
5. Në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë vijon të qëndrojë e çelur ekspozita imersive “Rilindja Italiane”. Kjo ekspozitë transformuese, ju vendos mes kryeveprave të Da Vincit, Michelangelos, Botticellit, etj. E hapur që prej 20 dhjetorit, ekspozita do të vijojë deri më 20 mars.