Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. Nga data 17 deri më 31 maj, Java e Evropës 2025 do të jehojë përmes muzikës, lëvizjes, arteve vizuale dhe historive – duke krijuar një hapësirë që të gjithë ta përjetojnë kulturën së bashku. Pas një thirrjeje të hapur që tërhoqi mbi 200 aplikime, në edicionin e këtij viti janë përzgjedhur për të marrë pjesë 11 artistë dhe grupe artistike. Veprat e tyre – duke filluar nga teatri, muzika, filmi, ekspozitat, performanca dhe arti bashkëkohor – ofrojnë eksplorime unike të identitetit, kujtesës, lirisë, dashurisë, pasigurisë dhe përkatësisë.
2. Rrjeti i Arteve Vizuale Shqiptare (The Albanian Visual Arts Network-AVAN), në bashkëpunim me ‘Galeria e Bregdetit’ prezantojnë në Radhimë nga 16 deri në 18 maj, edicionin e dytë të “Vlora Art Meeting”.
3. Këtë të premte në orën 19:30 në sallën e koncerteve “Tonin Harapi” në Liceun Artistik në Tiranë do të mbahet koncerti hapës i Festivalit Shqiptar të Kitarës, “Albania Guitar Festival 2025”. Në koncert do të interpretojnë duoja e kitaristëve të njohur gjermanë Daniel März dhe Thomas Oldenbürger.
4. Këtë të premte, më 16 maj në orën 16:30, në bibliotekën “Vexhi Buharaja” në Berat do të diskutohet libri “Më duaj, por jo vonë”, ku të ftuara do të jenë autoret Mimoza Ahmeti dhe Mimoza Kuchly.
5. Këtë të premte në Vlorë mbahen një sërë aktivitetesh, që nga koncertet deri te panairi dhe tregu festiv, të cilat çelin sezonin turistik. “Vlora Unlocked” do të vijojë deri më 18 maj.
Komente
