Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit
“Kaleidoscope & Suitë në re” janë dy baletet që do të vijnë në një mbrëmje të përbashkët në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë këtë të hënë, në 26 maj në orën 20:00, për të vijuar edhe në 27 dhe në 28 maj në po të njëjtin orar.
Edicioni i dhjetë i “International Albanian Brass Festival” (Festivalit Ndërkombëtar të Instrumenteve të Frymës në Shqipëri) do të ngjitet mbrëmjen e kësaj të hëne, në 26 maj në orën 19:00, në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë (COD). Në aktivitet do të promovohet “14 këngë popullore shqiptare” për kuintet tunxhi i aranzhuar nga Maestro Edmond Doko, i cili ka shërbyer si frymëzim për koncertin.
“Një urë notash mes Shqipërisë dhe Italisë” është koncerti që do të vijë mbrëmjen e sotme, në 26 maj në orën 18:30 në hollin e TKOBAP-së. Në koncert do të interpretojnë sopranoja shqiptare Eva Golemi, sopranoja italiane Valentina Boi, mezzosopranoja shqiptare Ivana Hoxha, baritonët Solen Alla dhe Sergio Bologna dhe pianistja Herta Cane.
Filmi “Hive” nga Blerta Basholli shfaqet pasditen e kësaj të hëne, në 26 maj në orën 17:00 në Kinostudio. Shfaqja e filmit, fitues në Festivalin Ndërkombëtar “Sundance” do të pasohet nga një bisedë me regjisoren Basholli.
“Kërkoj vrasës për nënën” është shfaqja me regji nga Naser Shatrolli, që do të shfaqet te Teatri “Migjeni” në Shkodër mbrëmjen e kësaj të hëne në orën 19:00.
Filmi “Zyshë e Dashur” do të shfaqet këtë të hënë, në 26 maj në orën 19:00 te Qendra e Artit “Agimi” në Tiranë.
Komente
