Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. Këngëtari i njohur italian Gigi D’Alessio do të mbajë një koncert në Pallatin e Kongreseve në Tiranë mbrëmjen e kësaj të hëne dhe të martën, më 28 dhe 29 prill në orën 20:00. Artisti do të interpretojë hitet e tij më të famshme dhe këngët e reja nga turi Europian 2025.
2. Mbi 100 të rinj nga gjashtë qytete të Shqipërisë (Përrenjasi, Tirana, Elbasani, Lushnja, Fieri, Librazhdi) do të sjellin vallet dhe kostumografinë e trevave të veta përmes një parade tradicionale në qendrën e Përrenjasit në orën 15:00, për të vijuar më pas me koncertin në Qendrën Kulturore të qytetit në orën 16:00, këtë të hënë më 28 prill. Aktiviteti është finalizim i projektit “Move Albania” nga Shoqata “Mega Art”, që ka në fokus trashëgiminë kulturore në valle dhe kostumografi.
3. Roli i redaktorit në procesin e botimit të librit shqip do të diskutohet në një takim me Anxhela Lepuri dhe Artemisa Bushi këtë të hënë, më 28 prill në orën 14:00 në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë (COD).
4. Më 29 prill në orën 18:30, në Qendrën “Dua” në Tiranë do të diskutohet një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë botërore, “Kur qau Niçja” nga Irvin D. Yalom.
5. Vijon të mbahet në teatrin “Skampa” në Elbasan edhe këtë të hënë dhe të martë në orën 18:00, “Maratona Rinore 2025”. Konkursi artistik i shkollave të mesme të qytetit të Elbasanit, në zhanrin e këngës, kërcimit, aktrimit, recitimit, prezantimit e modelingut, sjell talentin, pasionin dhe energjinë e të rinjve, të cilët në fund, do të vlerësohen me çmime.
Komente
