Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vend.
1.FOTOGRAFJA JUTTA BENZENBERG LIBËR PËR SHQIPËRINË NGA ’90-A
“Mos shiko pas te shtëpia që po digjet” (“Don’t Look Back at the Burning House”) është libri i fotografes Jutta Benzenberg, që do të promovohet në 20 shtator në galerinë “HBS” te Piramida në Tiranë, ndërkohë që do çelet edhe një ekspozitë me të njëjtin titull. Libri është dëshmi e punës shumëvjeçare të Jutta Benzenberg në Shqipëri, që nis në vitet ’90. Ai përmban punë të pashfaqura më parë, përfshirë këtu dhe rikrijime të negativëve të djegur në vitin 2006, kohë kur një zjarr shkatërroi nëntëdhjetë përqind të arkivit fotografik të Juttës.
2.“ZEMËRIMI I SHKRONJAVE” ÇEL SEZONIN TE TEATRI I KUKULLAVE
Sezoni i ri artistik i Teatrit të Kukullave çelet këtë të premte me premierën “Zemërimi i Shkronjave”. Kjo shfaqje-legjendë rikthehet në skenë pas plot 40 vitesh. Premiera me audio-përshkrim do të jetë sot në orën 18:00, ndërsa për publikun shfaqja do të vijë më 20 e 21 Shtator në oraret 10:30 dhe 11:30.
3. KOMEDIA “ERASHKA”, SHFAQJE NË TEATRIN “SKAMPA” NË ELBASAN
“Erashka” nga Carlo Goldoni është shfaqja që do të ngjitet në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan më 19, 20, 21 e 22 shtator në orën 19:00.
4. “MBI RRËNJË”, EKSPOZITË PËR KULTURËN DHE NATYRËN NË KORÇË
Një ekspozitë qeramike që ndërthur traditën me inovacionin, duke sjellë në vëmendje rrënjët tona kulturore dhe lidhjen me natyrën do të çelet në hotel “Mik” në Korçë më 20 shtator në orën 19:15.
5. “SIMPOZIUMI NDËRKOMBËTAR I SKULPTURËS NË PARK” NË KORÇË
Simpoziumi Ndërkombëtar i Skulpturës në Park vjen në Korçë nga 18 deri më 27 shtator. Artistë e skulptorë nga mbarë bota bashkohen për të krijuar vepra unike, duke pasuruar edhe më tej Muzeun e Hapur të Skulpturës.
6. GJASHTË VITE “COLOUR DAY FESTIVAL ALBANIA” TE “SKËNDERBEJ”
Një traditë që vazhdon të sjellë muzikë, ngjyra dhe surpriza në zemër të Tiranës, festivali “Colour Day Albania” shënon edicionin e tij të gjashtë në sheshin “Skënderbej”, më 20 shtator. Të interesuarit mund të bëhen pjesë e festivalit gjatë 12 orëve non-stop, ku performancat live, artet vizuale dhe ngjyrat krijojnë atmosferë unike.
Komente
