Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vend.
1. Një koncert instrumental do të vijë mbrëmjen e kësaj të hëne në orën 20:00 në Muzeun Etnografik në Elbasan nga Virtuozët Elbasanas & Kuarteti i Harqeve “Mansius”. Drejtues Artistik është Desart Shëmili, ndërsa i ftuar është violinisti Zeqir Sulkuqi.
2. “Realiteti arsimor në Lezhë përmes pikturave” është ekspozita që do të qëndrojë e çelur te Qendra “Hana” në Lezhë prej kësaj të hëne deri në 11 korrik nga ora 10:00-16:00 të çdo dite. Aktiviteti kërkon të sjellë një ndërgjegjësim për gjendjen e arsimit në këtë qytet përmes pikturave të të rinjve, që janë ende në shkolla, por që ndihen të padëgjuar dhe të pashpresë.
3. “La Santa Piccola” është filmi që do të shfaqet në “Catalyst Stories Albania” në Kinostudio mbrëmjen e kësaj të hëne në orën 19:00 si pjesë e programit “Kineastja”.
4. “Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës” vijon të mbahet në Kishën e Shën Luçisë në Durrës. Këtë të hënë në orën 19:30 do të ketë një koncert nga “Albanian Youth Chamber Orchestra” me violinist e dirigjent Shlomo Mintz.
5. “Shoqja nga fshati” është filmi komedi me regji nga Piro Milkani, që do të shfaqet mbrëmjen e kësaj të hëne në orën 20:00 në teatrin veror të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Tiranë.
6. Pas dy ditësh eksperimentim me teknikat e fotografisë pa kamera dhe projeksionet analoge performative mund të ndiqni një mbrëmje me printime fotografike dhe gjurmë vizuale të lindura nga ky proces te “Destile Creative Hub” në Tiranë, këtë të hënë në orën 19:00.
Komente
