Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vend.
1. Një koncert nga kuarteti “Togha” i Orkestrës Simfonike te Forcave të Armatosura do të mbahet mbrëmjen e kësaj të hëne në orën 20:00 në Hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Për të pranishmit do të interpretojnë Vilson Guri (violinë), Erbi Piranaj (violinë), Stela Bello (violë) dhe Bashkim Kupi (violonçel).
2. Elbasani do të përjetojë një mbrëmje të veçantë këtë të hënë me “El Summer Fest”. Në sheshin “Gensher” të qytetit, prej orës 20:00 do të performojnë rreth 30 artistë, të të gjitha rrymave muzikore.
3. Këtë të martë, në 29 korrik, në orën 10:00 në “HangArt Kinostudio” do të mbahet një takim informativ me kineastët shqiptarë. Në këtë tryezë diskutimi do të flitet mbi strategjinë e re për zhvillimin e sektorit audiovizual.
4. “Burimi i Jetës” nga Ayn Rand është libri për të cilin do të diskutohet në takimin e radhës të “Dua Libri”, në qendrën “Dua” në Tiranë, këtë të martë, në 29 korrik në orën 18:30.
5. “Vrima e Kopiles - një arsyetim etnolinguistik i toponimit” është takimi që do të mbahet te botimet “Berk” në Tiranë këtë të martë, në 29 korrik, në orën 20:00. Ligjërata do të mbahet nga Ledi Shamku Shkreli, moderuar nga Rea Nepravishta. Kjo bisedë vjen pas një ekspedite dy ditore në Leskovik.
6. Sonte, në orën 20:30, në ekranin e Kinemasë Verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave do të shfaqet komedia “Pallati 176”. Të pranishëm do të jenë aktorët protagonistë: Eva Alikaj (Elsa), Gëzim Rudi (Fredi) dhe Elida Janushi (Marjeta). Në nder të aktorit të ndjerë Roland Trebicka, si edhe në mungesë të regjisorit Andon Qesari, në shfaqje do të jenë pasardhësit e tyre, Evis Trebicka dhe Edon Qesari.
Komente
