Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. ORKESTRA SIMFONIKE E RTSH-SË, KONCERT ME PREMIERA ABSOLUTE
Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar vjen sot në mbrëmje me një koncert të veçantë, në orën 19:00 në sallën e Universitetit të Arteve. Në koncert, hyrja është e lirë ndërsa në program do të interpretohen: Oyaji – Elvira Muratore (Koncert për harmonikë dhe harqe), “Where Eagles Fly” nga Lodi Luka (Simfoni), Koncert për flaut dhe violinë – Bohuslav Martinů. Koncerti vjen nën dirigjimin e Gridi Krajës me solistë: Stefano Olivato – harmonikë, Laura Llozi - violinë dhe Jonela Golemi - flaut.
2.“SHQIPËRIA 1994, EKSPOZITË FOTOGRAFIKE NGA GIANNI BELLESIA
“Shqipëria 1994 – Një popull në lëvizje” është ekspozita e fotografit italian Gianni Bellesia që do të çelet këtë të premte në orën 18:00 në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës, mes dihmave humanitare, rrëfimeve prekëse dhe ëndrrave të të rinjve për një jetë më të mirë vjen.
3.VIJON EDICIONI I 27-TË I FESTIVALIT TEATROR “SKAMPA”
Vijon të mbahet në Elbasan edicioni i 27-të i Festivalit Teatror “Skampa”, i cili do të vijojë deri më 6 tetor. Festivali i stileve dhe formave të reja teatrore risjell edhe këtë vit një larmi performancash nga vende të ndryshme të botës. Këtë vit do të ngjiten në skenë 11 shfaqje, në Elbasan, por edhe në Tiranë, nga nëntë trupa të ndryshme teatrore, mes të cilave ajo e Ankarasë, e Stambollit, si dhe trupat nga Greqia, Kosova, Lituania, Serbia e Shqipëria.
4. RIKTHEHET NË TEATRIN KOMBËTAR SHFAQJA “FERMA E KAFSHËVE”
“Ferma e kafshëve” vijon sonte në Teatrin Kombëtar pranë ArTurbinës, e deri më më 5 tetor. Shfaqja, një përshtatje e veçantë e alegorisë së famshme nga George Orwell, që flet për pushtetin, manipulimin dhe shpresën do të vijë për publikun çdo mbrëmje në orën 20:00 dhe ka si regjisore Driada Dervishin.
5.KOMEDIA “KOMSHINJTË” RIKTHEHET NË TURIN QË FILLON NGA KORÇA
“Komshinjtë” është komedia që do të rikthehet sonte dhe nesër në orën 19:00 në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë
6. HAP DYERT KLUBI I POEZISË “SHKËNDIJA E VARGUT” NË SHKODËR
Klubi i Poezisë “Shkëndija e Vargut” hap dyert këtë të shtunë, më 4 tetor, në ora 11:00 në Qendrën Rinore “Atelie” në Shkodër. Për të pranishmit do të ketë lexim poezish dhe biseda të hapura që frymëzojnë për të shkruar dhe ndarë mendimet
7. NË DITËN E BASHKIMIT TË GJERMANISË ÇELET JAVA KULTURORE
“Java Kulturore Gjermane” çelet sot në orën 17:00 te Pazari i Ri, në Ditën e Bashkimit të Gjermanisë me “German Street Festival”, duke sjellë muzikë live, atmosferë festive dhe pije.
8.VERË, MUZIKË DHE HISTORI NË FESTËN TRE-DITORE NË BERAT
Shumë verë dhe histori vijnë në “Wine & Stories of Berat 2025” më 3, 4 dhe 5 tetor në tri netë, ku Berati ndizet me muzikë, shije vere dhe atmosferë feste.
Komente
