Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. “KOPSHTET E PAVARURA TË LUMTURISË” NË TEATRIN E SHKODRËS
“Kopshtet e pavarura të lumturisë” është shfaqja teatrore me autor Albri Brahushën dhe regji nga Hervin Çuli, që do të vijë premierë te teatri “Migjeni” në Shkodër më 10 deri 12 tetor në orën 19:00.
2. NJË NATË ME MUZIKË KLASIKE NË PARKUN E LIQENIT NË TIRANË
Në kuadër të 10-vjetorit të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, mbrëmjen e nesërme në orën 18:00, në amfiteatrin “Mirush Kabashi” te Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës mund të ndiqni koncertin “Classic Night Music” me dirigjent Dritan Lumshin e koncertmaestër Ingrid Pulizo. Në skenë do të ngjiten: Kori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Kori i Zërave të Bardhë, nën drejtimin e Sonila Baboçi, solistë të ftuar.
3. FESTIVALI I FILMIT “IDROMENO” PËR KUJTESËN KOLEKTIVE
Shpërfaqja e të shkuarës në të tashmen, manifestimi i kujtesës kolektive ndër shekuj është tema e Festivalit të Filmit “Idromeno”, që mbahet në Shkodër nga 11-18 tetor. Festivali çelet mbrëmjen e nesërme në orën 20:00.
4. LIDHJET MES SË KALUARËS E SË ARDHMES, AKTIVITET TE “VILA 31”
Dialogë me artistë “Lidhjet mes së kaluarës dhe së ardhmes” është aktiviteti që do të mbahet nesër në orën 17:30 te Vila 31-Art Explora në ish-Bllok në Tiranë, në kuadër të Javës Kulturore Hollandeze. Kuratorja Kim Knoppers eksploron fuqinë e qëndisjes dhe tekstileve si mjete për të ruajtur kujtime, për të ushqyer rezistencën dhe për të nxitur shërimin, duke i dhënë zë historive të komuniteteve dhe emocioneve të kolektivit.
5. CIRKU KOMBËTAR, PËRMBLEDHJE MAGJIKE TE TEATRI I KUKULLAVE
Cirku kombëtar vjen me “Një përmbledhje magjike” te Teatri i Kukullave në Tiranë më 11 dhe më 12 tetor në orën 17:00.
6.“BABAI”, SHFAQJA PREMIERË E ZELLER NË TEATRIN KOMBËTAR
“Babai” është shfaqja teatrore që po vijon të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” edhe sonte, nesër dhe të dielën në orën 20:00. Me autor Florian Zeller në të interpretojnë aktorët: Viktor Zhusti, Egla Ceno, Pjerin Vlashi, Linda Jarani e Adriana Tolka.
7. “FËMIJËT” E ERIC VIGNER RIKTHEHET NË TEATRIN “METROPOL”
“Fëmijët” është shfaqja me regji nga Eric Vigner që po vijon të shfaqet te Teatri Metropol. Ajo do të vijë edhe sonte, të shtunën dhe të dielën në orën 20:00. Në të interpretojnë aktorët: Luiza Xhuvani, Yllka Mujo e Vasjan Lami.
8. FESTA E ULLIRIT NË BERAT, ARGËTIM E MUZIKË ME VASKË CURRIN
Një traditë tashmë e përvitshme, Festa e Ullirit do të mbahet në Bilçë të Beratit sonte në orën 19:00. Për të pranishmit do të interpretojë këngëtari Vaskë Curri.
9. PANAIRI I ARTIZANËVE, TRE DITË EKSPOZIM I TRADITËS SHQIPTARE
Përgjatë digës së Liqenit Artificial prej ditës së sotme deri më 12 tetor ka filluar të mbahet Panairi i Artizanëve, një ekspozim 3-ditor i mjeshtërisë shqiptare, ku artizanë nga e gjithë vendi do të sjellin punimet e tyre unike, traditën dhe kulturën e punuar me dorë.
10. “DELJA E DETIT”, SHFAQJE PËR FËMIJËT TE TEATRI I KUKULLAVE
Teatri për fëmijë “Delja e detit” do të shfaqet te “Teatri i Kukullave” në Tiranë ditën e nesërme në oraret 10:30 dhe 11:30.
Komente
