Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. “Pazari i Vjetër i Tiranës: Në zgrip të së vërtetës” është aktiviteti që do të mbahet më 6 shkurt në orën 19:00 te Librari Valentini në Tiranë. Ky projekt synon të hedhë dritë mbi historinë dhe rëndësinë kulturore të Pazarit të Vjetër të Tiranës, bazuar në materiale arkivore dhe kërkime në terren dhe biblioteka institucionale.
2. “Kinemaja para gjyqit: Nga kinokronikat e gjyqeve komuniste te filmat e vigjilencës revolucionare të masave” titullohet librit që do të prezantohet më 6 shkurt në orën 18:00 në galerinë “Zeta” në Tiranë.
3. “KafeKokoshka” është aktiviteti që do të mbahet te “Destil Creative Hub” në Tiranë më 6 shkurt në orën 19:00. Artistja Genny Petrotta do të prezantojë një sërë veprash të prodhuara rreth filmit të saj “Mamma Perdonami” (Mama më fal) i vitit 2023, i zhvilluar në fshatin e saj të origjinës, Piana degli Albanesi, në Siçili. Kjo vepër avangarde riimagjinon një moment të harruar tragjikisht në dhjetor 1944, kur revolucionarët arbëreshë krijuan shkurtimisht një republikë fshatare malore.
4. “Në Parajsën Socialiste (Nuk Bie Shi)”, film dokumentar nga Ermela Teli shfaqet premierë në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit këtë të mërkurë, më 5 shkurt në orën 18:00. Një rrëfim audiovizual që trajton temën e propagandës në art dhe rolin e saj të rëndësishëm politik. Projekti bazohet në imazhe arkivore nga trashëgimia kinematografike shqiptare e ruajtur në AQSHF.
5. “Zërat – Një udhëtim muzikor përtej kufijve të diktaturës” këtë të mërkurë më 5 shkurt në orën 19:00 do të jetë një takim me Fatmir Lelën. Takimi mbahet te “Tek Bunkeri” dhe në të do të flitet për jetën e muzikantëve të traditës popullore gjatë regjimit diktatorial. Gjithashtu, Fatmir Lela do të udhëheqë edhe një sesion dëgjimor nga vepra e familjes, me inçizime të rralla muzikore dhe të padëgjuara kurrë më parë.
6. “E shkuara është vendi ynë” nga Ardian Vehbiu do të mbahet te “Destil Creative Hub” në Tiranë më 5 shkurt në orën 20:00. Aktiviteti do të vijë si një mbrëmje rrëfimesh me lexime nga seria e shkrimeve të Vehbiut, që do të shoqërohen me një projeksion vizual që përfshin imazhe nga Rruga Kont Urani, si vendi emblematik ku e kaluara dhe e tashmja përplasen dhe rishkruhen.
7. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor risjell në skenë më 6 shkurt në orën 19:00 një nga kryeveprat më të mëdha të Giuseppe Verdit, “Aida”, me një produksion legjendar të të madhit Franco Zeffirelli.
8. “Letra nga Ferri” çelet më 6 shkurt në orën 11:00 te “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër. Ekspozita sjell një dëshmi të fortë për vuajtjet dhe rezistencën e të burgosurve politikë gjatë regjimit komunist.