Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“DIRE STRAITS LEGACY”, KONCERT TE PALLATI I KONGRESEVE
Me tingujt legjendarë të “Sultans of Swing”, “Money for Nothing” apo “Walk of Life”, muzika e grupit të rock-ut Dire Straits do të vijë për herë të parë për publikun shqiptar në një koncert në Pallatin e Kongreseve në Tiranë sonte duke filluar nga ora 20:30.
2. TRASHËGIMIA, TAKIM PËR TË ZBULUAR SHKODRËN NDËR BREZA
“Një ditë për të zbuluar Shkodrën ndër breza” është takimi që do të mbahet këtë të enjte më 25 shtator, në orën 11:00 në Muzeun Historik të Shkodrës. Ndërmjet relikeve të një tradite e kulture mijëra vjeçare, vend të rëndësishëm ruan ceremoniali i dasmës shkodrane dhe ritualet e saj, ardhur nga kohërat si simbol i hyjnizimit të jetës, i dashurisë së qytetarëve për trashëgiminë e saj nga brezi në brez.
3. PERFORMANCË E MUZIKË NË “AXIC EXPERIENCË” NË ISHULL LEZHË
Muzikë dhe performancë nga artistë të ndryshëm do të jenë pjesë e aktivititetit “Axis Experience” nga “Secret Society” në Ishull Lezhë nga 25 deri më 28 shtator.
4. GËRMIME NË ANTIGONE E GJIROKASTËR, KONFERENCË SHKENCORE
“Gërmime Arkeologjike në Antigone dhe Gjirokastër, Vlerësimi i Trashëgimisë dhe Mundësitë për Turizmin Kulturor” është konferenca shkencore që mbahet në kalanë e Gjirokastrës sot në orën 17:00, në kuadër të “Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore”.
5. “RRËFIME NOSTALGJIKE – PIRRO MILKANI”, NJË PASDITE NË COD
Një pasdite e veçantë kushtuar mjeshtrit të kinemasë shqiptare, Piro Milkani do të mbahet sot në orën 16:00 në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) pranë Kryeministrisë. Në takimin e quajtur “Rrëfime Nostalgjike-Piro Milkani” do të flitet për jetën dhe krijimtarinë e artistit.
6. “GRACEFUL RHYTHMS IN MOTION” NË JAVËN KULTURORE KINEZE
Një shfaqje e veçantë e operës dhe vallëzimit kinez do të mbahet sot, më 24 shtator, në orën 19:00, në Hollin e Universitetit të Arteve në kuadër të Javës Kulturore Kineze. Programi do të hapet me duetin “Ejani në Anhui-në e Bukur”, një vallëzim tradicional Huagu Lantern që sjell atmosferën festive dhe shpirtin e kulturës popullore kineze, për të vijuar me të tjera surpriza.
7. SHFAQJA E TEATRIT “FËMIJËT” E VIGNER TE TEATRI “METROPOL”
Një dramë e fuqishme dhe thellësisht njerëzore, që flet për përgjegjësinë, kujtesën dhe çmimin e zgjedhjeve tona është teatri “Fëmijët”, që do të shfaqet në teatrin “Metropol” në Tiranë në 24 deri më 28 shtator në orën 20:00. Nën regjinë e Eric Vigner në të interpretojnë aktorët Luiza Xhuvani, Yllka Mujo dhe Vasjan Lami.
Komente
