Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vend.
1. “PhotoWalk Albania: Tirana Neighborhoods” (PhotoWalk Albania: Lagjet e Tiranës) kthehet sërish në kryeqytet, këtë herë në Kombinat një lagje e formësuar nga industria socialiste, shndërrimet post-industriale dhe ritmi i qetë i jetës së përditshme. Pika e takimit do të jetë sheshi “Garibaldi” në 12 korrik në orën 18:00.
2. Këtë 12 korrik në sheshin “Skënderbej” në Tiranë do të mbahet parada e Vespa-s, që do të sjellë një atmosferë plot energji dhe adrenalinë për të pasionuarit pas motorëve.
3. E konceptuar si një natë nuancash, 12 korriku do të kthehet në muzën e frymëzimit për këdo që e do malin dhe artin. “Nur ndër maja” do të mbahet në Theth, Shkodër në orën 19:00, duke sjellë katër linja drite për katër zhanre arti që do vallëzojnë nën kurorën e maleve të Thethit, ndërsa mbrëmja do të kulmojë me një koncert të veçantë të Bojken Lakos.
4. Nënqyteti rizbulon shtresat e zbehura të Pogradecit, ku tridhjetë e një vizatime nga artisti Anastas Kostandini ndërtojnë një hartë intime dhe poetike të qytetit, rikthyer përmes kujtesës, vëzhgimit të imët dhe rrëfimit. Ekspozita do të çelet në 12 korrik në orën 20:00 në galerinë e artit të qytetit.
5. Këtë të premte në orën 18:00 te holli i Piramidës do të mbahet Festivali i Ushqimit Egjiptian, ndërsa në orën 21:00 te “Reja”, në oborrin e Galerisë Kombëtare të Arteve do të shfaqet filmi “Elefanti blu”. Aktivitetet vijnë si pjesë e Javës Kulturore Egjiptiane.
6. “Kopshti Zanor” është eventi komunitar që do të mbahet te Liqeni Artificial në Tiranë në 12 dhe në 13 korrik prej orës 15:00 deri në mesnatë. Aktiviteti synon të ofrojë një eksperiencë ndryshe nga rutina, me tinguj ambientalë dhe shoqëri të mirë.
7. Shkolla Verore e Alpeve Shqiptare II do të mbahet nga 11 deri në 20 korrik në Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”. Me vendndodhje në Nikç, Kelmend, Lugina e Cemit, kjo shkollë verore 10-ditore do të zhvillohet në njërin preje vendbanimeve më të thella dhe më të ruajtura të Alpeve dhe do të ofrojë një përvojë unike dhe të thelluar në terren për njohjen, dokumentimin dhe hartëzimin e peizazhit kulturor të tij, për të ndihmuar në të kuptuarit e civilizimit rural në malësitë e Gegnisë. Programi krijon një hapësirë ndërdisiplinore për njohje në terren të vendbanimit malor në rajonin verior të Shqipërisë, reflektim kritik dhe prodhim kolektiv njohurish.
Komente
