“Zërat – Një udhëtim muzikor përtej kufijve të diktaturës” këtë të mërkurë më 5 shkurt në orën 19:00 do të jetë një takim me Fatmir Lelën. Takimi mbahet te “Tek Bunkeri” dhe në të do të flitet për jetën e muzikantëve të traditës popullore gjatë regjimit diktatorial. Gjithashtu, Fatmir Lela do të udhëheqë edhe një sesion dëgjimor nga vepra e familjes, me inçizime të rralla muzikore dhe të padëgjuara kurrë më parë.
“E shkuara është vendi ynë” nga Ardian Vehbiu do të mbahet te “Destil Creative Hub” në Tiranë më 5 shkurt në orën 20:00. Aktiviteti do të vijë si një mbrëmje rrëfimesh me lexime nga seria e shkrimeve të Vehbiut, që do të shoqërohen me një projeksion vizual që përfshin imazhe nga Rruga Kont Urani, si vendi emblematik ku e kaluara dhe e tashmja përplasen dhe rishkruhen.
“Histori vjeshte” është shfaqja që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “K.Spahivogli” në Tiranë më 5, 6 dhe 7 Shkurt në orën 19:00. Me autor Aleksei Arbuzov, pjesa vjen nën regjinë e Armando Borës.
Filmi “I, Daniel Blake” do të shfaqet te “Tek Bunkeri” në Tiranë mbrëmjen e kësaj të marte, më 4 shkurt, në orën 19:00.
“I, Daniel Blake”, një film tronditës nga Ken Loach, sjell historinë e një njeriu të zakonshëm që përballet me padrejtësinë e një sistemi burokratik që i mohon dinjitetin dhe të drejtat themelore. Nëpërmjet betejës së tij personale, shfaqet një pasqyrë e ashpër e mënyrës se si pushteti mund të shtypë individin.
Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë shënon këtë vit edicionin e 63-të dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve “Kujtim Alija” në Shkodër shpall konkursin për pranimin e këngëve për këtë festival. Krijuesit nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe diaspora ftohen të dërgojnë krijimet e tyre deri më 10 mars 2025.
“Në Parajsën Socialiste (Nuk Bie Shi)”, film dokumentar nga Ermela Teli shfaqet premierë në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit më 5 shkurt në orën 18:00. Një rrëfim audiovizual që trajton temën e propagandës në art dhe rolin e saj të rëndësishëm politik. Projekti bazohet në imazhe arkivore nga trashëgimia kinematografike shqiptare e ruajtur në AQSHF.
Konkursi “Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë” mbërrin në edicionin e 30-të dhe tashmë është në fazën e dytë të tij. Nga data 3 deri më 14 Shkurt, fëmijët pjesëmarrës vazhdojnë garën për të sjellë interpretimet më të bukura në Qendrën Kulturore për Fëmijë “Kujtim Alija”.
Ekspozita “Dorëshkrime të panjohura dhe letërkëmbime të Kadaresë” vijon të qëndrojë e çelur te “Shtëpia Studio Kadare” në Tiranë.
Teatri “Midis nesh” do të shfaqet në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë më 4 shkurt në orën 19:00. Pjesa është një dramë origjinale që sjell në qendër një marrëdhënie komplekse mes një nëne dhe një vajze, duke u fokusuar në mënyrën se si shoqëria ndikon dhe përcakton dinamikën e kësaj marrëdhënieje.
“Letra dashurie”- Dorëshkrime origjinale të Dritëro Agollit dhe Sadijes ekspozohen te “Shtëpia Studio Agolli” në Tiranë këtë të martë, më 4 shkurt në orën 17:30.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)