“Kartolinë për 65-vjetorin e Cirkut Kombëtar” titullohet shfaqja e realizuar për 65-vjetorin e Cirkut Kombëtar dhe që do të shfaqet më 8 dhe 9 shkurt në orën 11:00 tek Teatri Kombëtar te ArTurbina.
“Aida”, një nga kryeveprat më të mëdha të Giuseppe Verdit do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit edhe më 8 shkurt në orën 19:00. Shfaqja vjen me produksion të Franco Zeffirelli-t.
Një dokumentar për piktorin pogradecar Gentian Zeka shfaqet këtë të shtunë më 8 shkurt, në orën 17:00 pranë Pallatit të Kulturës në Pogradec.
Teatri “Shshshsht… mbaje sekret” shfaqet këtë fundjavë me 8 dhe 9 shkurt në orën 10:30 te “Teatri i Kukullave” në Tiranë.
Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar vjen në sallën e Universitetit të Arteve me një koncert me vepra nga Limos Dizdari. Koncerti do të mbahet këtë të premte më 7 shkurt në orën 18:00 dhe në të do të interpretojë pianistja soliste Merita Rexha Tërshana, si dhe do të ketë mes të tjerash edhe një kolazh solo violinë dhe “Fjalët e Qiririt” nga muzika e filmit “Mësonjëtorja”, interpretuar nga Alda Dizdari. Koncerti vjen nën dirigjimin e Ermir Krantjes, me pjesëmarrjen eLuiza Xhuvanit.
“Horizonte të ndotura” titullohet ekspozita e artit digjital që do të çelet te Qendra Kulturore Tulla në Tiranë më 7 shkurt, në orën 19:00. Ekspozita eksploron ndikimin e zhvillimit urban në shoqërinë dhe natyrën në Shqipëri.
“Shprehi të mira” është ekspozita personale nga piktori nga Gjakova, Xhevdet Spahija, që çelet më 7 shkurt në orën 18:30 në Galerinë e Arteve në Shkodër.
“Edi Rama, Neuroestetika e një Artisti” e autorit Oltsen Gripshi është libri që promovohet më 7 shkurt në orën 17:00 në Bibliotekën Publike “Marin Barleti” në Shkodër.
Komente
