Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“SHQIPËRIA 1994, EKSPOZITË FOTOGRAFIKE NGA GIANNI BELLESIA
“Shqipëria 1994 – Një popull në lëvizje” është ekspozita e fotografit italian Gianni Bellesia që do të çelet këtë të premte në orën 18:00 në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës. Mes ndihmave humanitare, rrëfimeve prekëse dhe ëndrrave të të rinjve për një jetë më të mirë vjen një dëshmi vizuale e fuqishme për një kohë të trazuar, por plot shpresë.
2. ORKESTRA SIMFONIKE E RTSH-SË, KONCERT ME PREMIERA ABSOLUTE
Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar vjen me një koncert të veçantë, që sjell premiera absolute në Shqipëri mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 në sallën e Universitetit të Arteve. Në koncert, hyrja është e lirë ndërsa në program do të interpretohen: Oyaji – Elvira Muratore (Koncert për harmonikë dhe harqe), “Ëhere Eagles Fly” nga Lodi Luka (Simfoni), Koncert për flaut dhe violinë – Bohuslav Martinů. Koncerti vjen nën dirigjimin e Gridi Krajës me solistë: Stefano Olivato – harmonikë, Laura Llozi - violinë dhe Jonela Golemi - flaut.
3. “RENDI I RI”, SHFAQJE NË GJIROKASTËR NGA TEATRI “ÇAJUPI”
“Rendi i ri” është shfaqja teatrore që do të vijë në skenën e teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër mbrëmjen e sotme dhe të nesërme në orën 19:00. Shfaqja është produksion i Teatrit Shëtitës “Çajupi” me regji nga Kiço Londo.
4. KOMEDIA “KOMSHINJTË” RIKTHEHET NË TURIN QË FILLON NGA KORÇA
“Komshinjtë” është komedia që do të rikthehet më 3 e 4 tetor në orën 19:00 në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë, ndërkohë që në vijim do të udhëtojë në një tur edhe në qytete të tjera të vendit.
5. VERË, MUZIKË DHE HISTORI NË FESTËN TRE-DITORE NË BERAT
Shumë verë dhe histori vijnë në “Wine & Stories of Berat 2025” më 3, 4 dhe 5 tetor në tri netë, ku Berati ndizet me muzikë, shije vere dhe atmosferë feste.
6. NË DITËN E BASHKIMIT TË GJERMANISË ÇELET JAVA KULTURORE
“Java Kulturore Gjermane” çelet në Tiranë me festë, pikërisht në Ditën e Bashkimit të Gjermanisë. Më 3 tetor në orën 17:00 mund të festoni te Pazari i Ri me “German Street Festival” me muzikë live, atmosferë festive dhe pije
7. TIRANA NË SYTË E FËMIJËVE, PROGRAM EDUKIMI NË GAT
Në kuadër të ekspozitës së hapur rishtazi në Galerinë e Artit Tiranë të italianit Marco Pietracupa, ekipi i edukimit i Galerisë së Tiranës ka përgatitur një seri punëtorish krijuese të frymëzuara nga arti i tij. Aktiviteti i radhës “Tirana, qyteti në sytë e mi” i dedikohet fëmijëve 7–12 vjeç dhe do të mbahet nesër në orën 17:00.
8. “NJË HISTORI E PARRËFYER” NË KINEMANË E ARKIVIT TË FILMIT
Sot, në orën 18:00, në Sallën Kinemasë së Arkivit Shtetëror të Filmit shfaqet filmi me metrazh të shkurtër "Një histori e parrëfyer". Më pas, studiuesja Anxhela Çikopano, skenariste e këtij filmi, do të zhvillojë bisedën: "Realitete artistike - një film për Shqipërinë komuniste në Shqipërinë jo-komuniste".
9. ELBASAN, ÇELET EDICIONI I 27-TË I FESTIVALIT TEATROR “SKAMPA”
Nesër çelet në Elbasan edicioni i 27-të i Festivalit Teatror “Skampa”, i cili do të vijojë deri më 6 tetor. Këtë vit do të ngjiten në skenë 11 shfaqje, në Elbasan, por edhe në Tiranë, nga nëntë trupa të ndryshme teatrore, mes të cilave ajo e Ankarasë, e Stambollit, si dhe trupat nga Greqia, Kosova, Lituania, Serbia e Shqipëria.
Komente
