Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vend.
1. “Tingujt e Mesdheut në Tiranë” është koncerti që do të mbahet në sheshin “Bukureshti” (në pedonalen pranë Rrugës së Mimozave) në Tiranë në 26 qershor në orën 20:00. Në program do të vijnë këngës të trashëgimisë shqiptare së bashku me këngë të njohura nga vende të Mesdheut.
2. “Under the skin” (Nën lëkurë) është ekspozita nga Ardian Isufi që po vijon të mbahet nga 20 qershori në galerinë “Debussy Fine Art” në rrugën “Nikolla Tupe” në Tiranë. Ekspozita, në kuadër të 1-vjetorit të galerisë, shënon një moment reflektimi dhe ripërtëritjeje, duke eksploruar identitetin dhe tensionet e padukshme që fshihen “nën lëkurë”, përmes një gjuhe artistike të thellë dhe personale.
3. Festivali i Muzikës Elektronike “Lumina” mbahet në Parkun e Korçës në 25 dhe në 26 qershor. Festivali shënon këtë vit edicionin e tij të dytë.
4. Në galerinë e arteve “Edward Lear” në Berat mbahet deri në 4 korrik edicioni i shtatë i ekspozitës së grupit “Muri”. Këtë vit, ekspozita i kushton një hapësirë të veçantë, “in memoriam”, artistit Leon Çika.
5. Mbrëmjen e kësaj të mërkure, në 25 qershor, në orën 19:00, studentë të muzikës së “Dean Art Studio” do të mbajnë një koncert në piano dhe në kitarë në Qendrën e Artit “Agimi”.
6. “Art Station”, një stacion urban i përkohshëm, ku arti, muzika, ushqimi dhe komuniteti bashkëjetojnë, do të hapë dyert më 26 qershor në orën 20.00, pranë Akademisë së Arteve. Artistët, muzikantët, dhe komuniteti do të kenë mundësinë të ndajnë eksperienca dhe të bashkëjetojnë përmes shprehjes artistike, performancave muzikore dhe aktiviteteve komunitare.
7. “Testamenti” është shfaqja teatrale me regji nga Violeta Trebicka, që do të shfaqet në skenën e teatrit “Bylis” në Fier mbrëmjet e 25, 26 dhe 27 qershorit në orën 19:30.
Komente
