Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vend.
Shkodra çel turin e “Vala Fest 2025” në 27 qershor në orën 17:00 në sheshin para Bashkisë së qytetit. Në 27 dhe në 28 qershor mund të përjetoni dy ditë të mbushura me energji, pasion dhe ritme pa fund, nga aktivitete të ndryshme gjatë ditës, te netët magjike me DJ-të më të mirë dhe artistët më të njohur kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Aktivitet sportiv me biçikleta, muzikë live, një program argëtues për fëmijë dhe shumë më tepër mund t’i shijoni gjatë “Tirana Fest 2025” në sheshin “Skënderbej” në 27 dhe në 28 qershor, duke filluar nga ora 17:00
“Retro n’Myzeqe” sjell atmosferën dhe nostalgjinë e makinave klasike, në dy nga vendet më të bukura të Myzeqesë: Lushnjë dhe Divjakë. Aktiviteti do të çelet në 27 qershor në orën 17:00 në Lushnjë. Të pranishmit mund të zbulojnë koleksione të rralla makinash retro, të shijojnë peizazhet fantastike dhe të përjetojnë një mbasdite me surpriza, muzikë dhe shije verore.
Panairi i Gastronomisë Detare vjen për herë të parë në Vlorë, më 27 dhe 28 Qershor. Aktiviteti është një format i menduar për të sjellë më pranë publikun me kuzhinën e detit dhe ata që punojnë me të përditë.
“Tingujt e Mesdheut në Tiranë” është koncerti që do të mbahet në sheshin “Bukureshti” (në pedonalen pranë Rrugës së Mimozave) në Tiranë në 26 qershor në orën 20:00. Në program do të vijnë këngës të trashëgimisë shqiptare së bashku me këngë të njohura nga vende të Mesdheut.
“Under the skin” (Nën lëkurë) është ekspozita nga Ardian Isufi që po vijon të mbahet nga 20 qershori në galerinë “Debussy Fine Art” në rrugën “Nikolla Tupe” në Tiranë.
Festivali i Muzikës Elektronike “Lumina” mbahet në Parkun e Korçës në 25 dhe në 26 qershor. Festivali shënon këtë vit edicionin e tij të dytë.
Në galerinë e arteve “Edward Lear” në Berat mbahet deri në 4 korrik edicioni i shtatë i ekspozitës së grupit “Muri”. Këtë vit, ekspozita i kushton një hapësirë të veçantë, “in memoriam”, artistit Leon Çika.
“Art Station”, një stacion urban i përkohshëm, ku arti, muzika, ushqimi dhe komuniteti bashkëjetojnë, do të hapë dyert më 26 qershor në orën 20.00, pranë Akademisë së Arteve.
“Testamenti” është shfaqja teatrale me regji nga Violeta Trebicka, që do të vijojë të shfaqet në skenën e teatrit “Bylis” në Fier mbrëmjet e 26 dhe 27 qershorit në orën 19:30.
Komente
