Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vend.
1. “PORTO PALERMO FESTIVAL”, KONCERT NGA MARSELA ÇIBUKAJ
“Porto Palermo Festival” vijon mbrëmjen e nesërme me një koncert nga Marsela Çibukaj. Festivali, që këtë vit shënon edicionin e tij të pestë është konceptuar dhe drejtohet nga artisti Olen Cesari.
2. VIJON EDICIONI I 16-TË I FESTIVALIT TË XHAZIT NË SHKODËR
Shkodra vijon të mbajë deri në 31 gusht edicionin e 16-të i “Shkodra Jazz Festival”. Programi i këtij viti përfshin një sërë koncertesh dhe masterklasash të ndara në kategori të ndryshme.
3. “STAR CAMPERS”, YJE DHE GALAKTIKA NË RRUGËN EGNATIA
Një kamping i veçantë po mbahet në rrugën Egnatia në Librazhd prej mbrëmjes së të hënës, për të vijuar edhe sonte. “Star Campers” ofron një përvojë të veçantë, ku mund të flini nën yje, të dëgjoni muzikë rreth zjarrit dhe të vështroni galaktikat nga teleskopi.
4. ANSAMBLI I KËNGËVE E VALLEVE VIJON TURIN NË LAÇ
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore vijon turin e tij në qytete të ndryshme të vendit. Mbrëmjen e nesërme, në 14 gusht, ai do të ndalet në qytetin e Laçit.
5. “OPEN AIR TIRANA”, FILMA FALAS TE KINEMAJA TE “REJA”
Romancë, komedi dhe aventurë mund të shijoni në kinemanë e hapur te “Reja” pranë Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Mbrëmjen e sotme në orën 21:00 mund të ndiqni filmin “Legally Blonde”, ndërsa nesër filmin “Think Like a Man”.
6. “HIMARA OPEN CINEMA”, NJË JAVË ME FILMA PËR FËMIJË
Një javë me filma për fëmijë është rezervuar te kinemaja “N’plazh” në “Himara Open Cinema”. Mbrëmjen e sotme në orën 20:15 do të shfaqet filmi “Zootopia”, ndërsa nesër, në 14 gusht do të shfaqet filmi “Migration”.
7. “TULLA VISUAL ART LAB”, EKSPOZITA ME PUNË TË FËMIJËVE
Në qendrën kulturore “Tulla” vijon të qëndrojë e hapur deri më 15 gusht ekspozita me punimet e krijuara gjatë edicionit të 3-të të punëtorisë për fëmijë “Tulla Visual Art Lab” e udhëhequr nga mësuesja e artit Dardane Hadri.
8. “MICRO-FOLIE TIRANA”, MUZE DIGJITAL TE PARKU “EUROPA”
Një muze digjital unik, ku arti, teknologjia dhe kultura bashkohen për të sjellë një eksperiencë interaktive për të gjitha moshat. “Micro-Folie Tirana” është zhvendosur prej 6 gushtit e deri në 16 gusht nga ora 20:00-21:30 në Parkun “Evropa” në Tiranë.
Komente
