Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.ÇELET EDICIONI IV I FESTIVALIT NDËRKOMBËTAR TË DANCIT
Festivali Ndërkombëtar i Dancit në Tiranë shënon mbrëmjen e nesërme çeljen e edicionit të katërt. Nën drejtimin artisik të Angelin Preljocaj, festivali do të çelet në orën 20:00 në sheshin “Skënderbej” për të vijuar deri më 25 tetor. Ai do të mbahet në 11 teatro dhe hapësira të qytetit, me 15 premiera dhe 9 evente publike me hyrje të lirë.
2. VIOLINISTI ITALIAN GIUSEPPE GIBBONI, KONCERT NË TKOB
Giuseppe Gibboni, një nga violinistët më të spikatur të panoramës ndërkombëtare muzikore, fitues i çmimit Paganini, vjen me një koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit mbrëmjen e nesërme në orën 20:00. Pas dy koncerteve të tij me Orkestrën Filarmonike të Teatrit La Scala, Milano, ai sjell virtuozitetin e tij në Shqipëri me Koncertin për violinë nr. 2 të Paganinit, nën shoqërimin e Orkestrës Simfonike të TKOBAP-së në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura, të drejtuar nga dirigjenti fort i dashur për publikun Sergio Alapont.
3. TIRANË, ÇELET FESTIVALI LETRAR NDËRKOMBËTAR PËR TË RINJTË
Festivali Letrar Ndërkombëtar për të rinj “Tirana Gate 2025” çel dyert e tij sonte në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Tema e këtij viti është “Mesdheu dhe Evropa në Letërsinë Bashkëkohore”, ndërsa ftohet të marrin pjesë të gjithë shkrimtarët, poetët dhe artistët e rinj.
4. KUINITETI “AÇADEMIA DEI CAMERISTI” KONCERT NË VLORË
Kuiniteti “Accademia dei Cameristi” do të sjellë një koncert mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 te Teatri “Petro Marko” në Vlorë. Për publikun do të interpretojnë katër artistë italianë: violinistët Christian Sebastianutto dhe Paride Losacco, violistja Benedetta Bucci dhe violonçelistja Erica Piccotti,së bashku me pianistin me famë ndërkombëtare Manuele Torquati.
5. FOTOGRAFJA ITALIANE, EKSPOZITË PËR NGJARJET E VITI 1997
Fotografja italiane Isabella Balena vjen me një ekspozitë të titulluar “Fokus 16-Albania ‘97” mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 në Bibliotekën e Kryeministrisë. Ekspozita i kushtohet një prej periudhave më të trazuara të historisë sonë të afërt: Shqipërisë së vitit 1997.
6. MARTIN CAMAJ, 100 VJETORI I AUTORIT NË KUJTESËN KOLEKTIVE
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Martin Camajt, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Autoritetin për Informim mbi Dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit do të organizojnë nesër në orën 11:00 aktivitetin me temë “100-vjetori i Martin Camajt në kujtesën kolektive”. Ky aktivitet ndër të tjera do të sjellë në vëmendje dosjen e Martin Camajt, duke zbuluar hollësi të përmbajtjes së saj.
7. LEKSION NGA ARTISTET LJUDMILA E ALEKSANDRA STRATIMIROVIC
Artistet e njohura nga Serbia, Ljudmila Stratimirovic dhe Aleksandra Stratimirovic mbajnë një leksion për studentët e arteve në Fakultetin e Arteve të Bukura në Tiranë, ditën e nesërme në orën 11:00.
8. “AJAX” E “17 NËNTORI”, RITAKIM E EKSPOZITË FOTOGRAFIKE
Më 9 tetor festohet 55-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Holandës dhe Shqipërisë me një event të veçantë në Tiranë, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit. Aktiviteti do të mbahet në stadiumin “Air Albania” nesër në orën 11:00 dhe përkujton ndeshjen legjendare të vitit 1970 midis “Ajax” dhe “17 Nëntori Tirana”, e cila përfundoi me një barazim simbolik 2–2. Legjendat e futbollit holandez Arie Haan dhe Ruud Krol rikthehen në Tiranë për t’u ribashkuar me ish-lojtarët shqiptarë dhe për të bashkëbiseduar me gjeneratën e re të futbollistëve. Për të pranishmit do të hapet edhe një ekspozitë fotografike me imazhe të papublikuara më parë.
Komente
