Kronikë

Aktivizohet vatra e zjarrit në malin “Vlashaj” të Shupenzës në Bulqizë (VIDEO)

16 Korrik, 10:21| Përditesimi: 16 Korrik, 12:44

  • Share

Një vatër zjarri ka shpërthyer këtë mërkurë në malin “Vlashaj”, mbi fshatin Shupenzë, në Bulqizë.

Erërat e forta kanë kontribuar në përhapjen e shpejtë të flakëve, duke bërë që zona të jetë e rrezikuar dhe të zgjerohet më tej.

Aktualisht, forcat e emergjencës janë të angazhuara në shuarjen e një zjarri të madh që ka shpërthyer në masivin pyjor të fshatit Peladhi. Ky zjarr ka shpërthyer që një javë më parë dhe ka djegur deri tani një sipërfaqe prej rreth 20 hektarësh.

Për shkak të situatës në Peladh, ende nuk është mundur të ndërhyhet në malin “Vlashaj”, ku zjarri ka shpërthyer ditën e dielë.

Përveç masivit të Peladhit, një situatë kritike vazhdon të mbetet edhe në Lurë, ku flakët kanë përfshirë pyjet me pishë, ah dhe shkurre.

Forcat e angazhuara në terren, si të Ministrisë së Mbrojtjes ashtu edhe ato lokale, janë duke luftuar për të ndalur përhapjen e flakëve. Ditën e kaluar, një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes iu bashkua forcave tokësore për të ndihmuar nga ajri, duke u fokusuar veçanërisht në zonat e vështira për t’u arritur për shkak të terrenit të thepisur.

Ministria e Mbrojtejes në njoftimin e sotëm bëri me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri, ku tre prej tyre janë ende aktive.

Ora 11:01
Zjarret në vend, Mbrojtja: Gjatë 24 orëve janë raportuar 20 vatra, 3 ende aktive

Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku nga 20 vatra të raportuara tre prej tyre janë aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Mallakastër, Fier, Kavajë, Vorë, Vau i Dejës, Shkodër, Malësi e Madhe, Has, Krujë, Vlorë, Selenicë, Gjirokastër e Përmet.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

Qarku Dibër - Ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit në vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë.

Qarku Shkodër - Në vendin e quajtur “Qafa e Lacit”, bashkia Vau-Dejës, prej ditës së djeshme ka një vatër zjarri në një sipërfaqe me lis dhe shkurre. Sipërfaqja e përfshirë nga zjarri është rreth 5 ha.

Qarku Gjirokastër - Në vendin e quajtur Grohot, ku bëhet grumbullimi i mbeturinave të bashkisë Gjirokastër, prej ditës së djeshme ka një vatër zjarr. Në terren për shuarjen e zjarrit ndodhet grupi i shërbimit me një mjet zjarrfikës.

Në monitorim:

Qarku Dibër - Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë. Ditën e sotme zona ku është zhvilluar zjarri është e fjetur dhe me pak tym që vjen brendësia e vatrës. Aktualisht në terren zjarri po monitorohet nga 4 forca të AdZM dhe 5 forca bashkiake për shuarjen e vatrës së zjarrit.

Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur më shumë se 150 hektarë sipërfaqe dhe mbi 1000 rrënjë ullinj.

Në një rast, zjarri është konstatuar në një banesë, në lagjen " 15 Tetori", Fier dhe në një rast tjetër në një autobus, në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, pranë tunelit te Skërficës, bashkia Gjirokastër. Në të dy rastet janë regjistruar dëme materiale.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 29 automjete zjarrfikëse dhe 346 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 130 efektivë.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje tё dobëta në qarqet Kukës dhe Elbasan, ndërsa në qarqet Shkodër, Dibër, Tiranë, Berat, Korçë dhe Gjirokastër priten reshje të lokalizuara.

Sa i përket zjarreve në pyje, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet Lezhë, Fier, Berat, dhe Gjirokastër, nivel rrezik “I MODERUAR” në të gjitha qarqet e tjera.

Strukturat e Mbrojtjes Civile janë të gjitha të angazhuara, për t'i ardhur në ndihmë komunitetit në rast nevoje.

Ftojmë qytetarët të bëjnë kujdes, duke shmangur ndezjen e zjarreve në mjedise të hapura dhe të raportojnë menjëherë pranë shërbimeve zjarrfikëse çdo vatër që konstatojnë.

V.GJ /E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?