Kandidati i Sali Berishës në Lezhë, ish-gjyqtari i shumëpërfolur Gjin Gjoni vijon sërish akuzat ndaj PS për blerje votash, duke pretenduar se po përdorin autoambulancat për të shpërndarë para. Ai kërcënon duke thënë se “i kemi në monitorim” dhe se do të kenë fatin e protagonistëve të Manualit 184.
“Ambulancat që shpërndanin farat e kanabisit po shpërndajnë para për vota në Lezhë, Mirditë e Kurbin! Kriminelët elektoralë në Lezhë në dëshpërim nga humbja e thellë e 11 Majit, kanë nisur të dalin në terren në autoambulanca me shpresën se do gjejnë njerëz që mund ti blejnë votën, por janë qytetarët që po na sinjalizojnë.
Janë duke përdorur ambulancat që dikur i përdorin për të shpërndarë kanabis, por i paralajmëroj blerësit e votës se i kemi nën monitorim dhe të jenë të sigurt se nuk do kenë fatin e protagonistëve të Manualit 184 se nuk do ketë njeri që do ti shpëtojë nga ndëshkimi ligjor për blerjen e votës.
Ftoj vëllezërit e mi Lezhjanë Mirditorë e Kurbinas të mos bëhen kurban elektoral të sektit shqipfolës më të rrezikshëm që ka njohur ky vend. Ftoj qytetarët e Lezhës, që të denoncojnë pranë nesh çdo tentativë për blerje vote nga segmentet e mazhorancës dhe i ftoj të denoncojnë paralelisht në numrin e vendosur në dispozicion nga SPAK dhe partnerët ndërkombëtar që është 0800-04-05.”, shkruan Gjin Gjoni.
Kujtojmë që më 6 maj, policia e Lezhës nisi një hetim për shpifje për kandidatin e Berishës. Ai po procedohet në gjendje të lirë me akuzën se ka shpifur për pesë zyrtarë socialistë, të cilët i publikoi me emra duke thënë se ishin të implikuar në blerje votash.
Sakaq, pak ditë mëparë, kandidati demokrat deklaroi se kanë organizuar strukturën e mbrojtjes së votës, një skemë e cila, përveçse e paligjshme, solli edhe një konflikt të rëndë në Elbasan katër vite më parë, ku u vra simpatizanti i PS-së, Pjerin Xhuvani.
Postimi i Gjin Gjonit
Komente
