Foto nga shfaqja 'Ferma e Kafshëve'

Kultura

Aktorët protagonistë infektohen me COVID, Teatri Kombëtar njofton anulimin e tre shfaqjeve

11 Nëntor 2021, 14:47| Përditesimi: 11 Nëntor 2021, 14:51

  • Share

Teatri Kombëtar ka njoftuar anulimin e tre shfaqjeve. Bëhet fjalë për shfaqjet  “Ferma e Kafshëve”, shfaqjes së Teatrit “Skampa”, “Një Madam nga Argjentina”, autorët protagonistë të së cilave kanë rezultuar të infektuar si dhe shfaqja “Edmond”, si pasojë e aksidentimit të aktorit Lulzim Zeqja.

Anulimi i shfaqjeve ka shkaktuar jo pak irritim te publiku të cilët kishin blerë bileta, ndërsa Teatri Kombëtar njofto se ata duhet të paraqiten te  bilateria te ArTurbina për të rimbursuar biletën për shfaqjet "Ferma e Kafshëve" dhe "Edmond" brenda datës 20.11.2021 dhe shfaqjes së teatrit "Skampa", Një Madam nga Argjentina" brenda datës 17.11.2021.

Komenteve të publikut se përse Teatri Kombëtar nuk ka dublantë të roleve, Teatri Kombëtar i prgjigjet: "Fatkeqësisht sot, Teatri Kombëtar ka 28 aktorë permanentë të tre brezave të ndryshëm, aktorë të cilët shpërndahen në të gjithë produksionet që zhvillon TK, dhe kjo ngarkesë në shfaqje të ndryshme e bën të pamundur dublimin e roleve. Gjithashtu, buxhetet shumë të kufizuara të institucioneve artistike publike e bëjnë të pamundur rekrutimin e aktorëve të jashtëm, në një masë të konsiderueshme e të vlefshme për dublim".

Postimi i plotë:

Të nderuar miq të Teatrit!

Të nderuar spektatorë!

Teatri Kombëtar, që në muajin korrik, çeli sezonin artistik për vitin 2021 me shfaqjen “Ferma e Kafshëve”. Pas një kohe të gjatë ndërpreje të aktiviteteve tona artistike për shkak të pandemisë, kthimi në skenë i trupës së Teatrit Kombëtar ishte një frymëzim i jashtëzakonshëm për të gjithë punonjësit e institucionit tonë. Ky entuziazëm u shtua më shumë kur frekuentimi i shfaqjes “Ferma e Kafshëve”, pas një pauze kaq të gjatë, ishte i jashtëzakonshëm, ku vetëm nata e fundit e shfaqjes mblodhi plot 702 spektatorë në Amfiteatrin e Tiranës. Ndërkohë, për fatin tonë të keq, me rikthimin e shfaqjes në fund të shtatorit te Amfiteatri i Tiranës, aktori protagonist i saj rezultoi pozitiv me COVID-19 dhe ne u detyruam të rikthejmë të gjitha biletat e shitura.

Pavarësisht kësaj pengese, Teatri Kombëtar nisi projektin e dytë, “Edmond”, të mbarsur nga viti 2020, kohë kjo kur u ndërprenë aktivitetet me nisjen e pandemisë. Edhe këtu frekuentimi i publikut për 4 netët e para ishte i jashtëzakonshëm. Madje, pas 4 shfaqjeve të para, biletat e javës së ardhshme ishin të gjitha të shitura. Për të dytën herë, për fatin tonë të keq, protagonisti kryesor i shfaqjes pëson një aksident serioz dhe Teatri Kombëtar detyrohet të anulojë shfaqjen dhe të lajmërojë kthimin e biletave të shitura.

Ndërkohë, Teatri Kombëtar filloi punën dhe për produksionin e tij madhështor të radhës, “Coriolanus”, një shfaqje më një numër shumë të madh aktorësh në skenë. Edhe ky projekt i filluar në vitin 2020 dhe i ndërprerë nga pandemia. Gjatë kohës së provave për përgatitjen e kësaj shfaqje dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, Teatri Kombëtar bëri pjesë të kalendarit të tij te ArTurbina dy shfaqje: “Vdis duke qeshur”, produksion i Teatrit “Andon Zako Çajupi”, Korçë; dhe “Një Madam nga Argjentina” produksion i Teatrit “Skampa”, Elbasan. Shfaqja “Vdis duke qeshur”, si për të ringritur entuziazmin tonë, ishte për 5 netë "sold out", duke kënaqur publikun kryeqytetas. Po ashtu në javën në vazhdim, për shfaqjen “Një Madam nga Argjentina”, entuziazmi jonë u shtua edhe më tej kur biletat për këtë shfaqje u mbaruan ditë përpara spektaklit. Për herë të tretë, për fat të keq, në këtë kohë të mbrapshtë pandemie, përsëri aktori kryesor i shfaqjes, disa orë përpara saj, rezultoi pozitiv me COVID-19.

Shumë prej jush kanë shkruar të pakënaqur në rrjetet tona sociale për këto situata të krijuara, duke pretenduar për mungesën e një ‘PLANI B’ të Teatrit, ndoshta me dublimin e aktorëve të shfaqjeve. Teatri Kombëtar e ndjen për detyrë të sqarojë gjithë publikun se sistemi i dublantit është një praktikë e cila zhvillohet në teatrot e vendeve të lindjes me trupa shumë të mëdha permanente (80-100 aktorë) në organikën e tyre. Këtë praktikë e ka përdorur Teatri Popullor i para vitetve ’90, kur trupa e tij artistike përbëhej nga rreth 70 aktorë. Arsyet e përdorimit të sistemit të dublimit janë: repertor i ngjeshur dhe afatgjatë; turnetë e vazhdueshme të institucionit; dhe nxitja e konkurrencës për aktorët me qëllim një performancë sa më të mirë brenda roleve.

Por edhe kjo praktikë me sa duket nuk ka rezultuar efektive, ku mund të japim shembullin aktual të Teatrit Kombëtar në Bukuresht, një teatër me 120 aktorë permanentë, i cili, pavarësisht numrit të madh të stafit të tij, u detyrua të anulojë shfaqjen e datës 7 Nëntor 2021, ‘për arsye objektive’.

Këtu gjeni dhe linku-n: https://www.facebook.com/121068617934733/posts/6707187449322784/

Fatkeqësisht sot, Teatri Kombëtar ka 28 aktorë permanentë të tre brezave të ndryshëm, aktorë të cilët shpërndahen në të gjithë produksionet që zhvillon TK, dhe kjo ngarkesë në shfaqje të ndryshme e bën të pamundur dublimin e roleve. Gjithashtu, buxhetet shumë të kufizuara të institucioneve artistike publike e bëjnë të pamundur rekrutimin e aktorëve të jashtëm, në një masë të konsiderueshme e të vlefshme për dublim.

Ndokush mund të shtrojë dhe pyetjen “Pse ndërtohen shfaqje me numër kaq të madh aktorësh, kur në këtë periudhë emergjence mund të vihen në skenë shfaqje me numër të kufizuar interpretësh?”. Këtë gjë e kemi menduar, por e kemi pasur të pamundur shmangien e këtyre 3 produksione të para me numër të madh aktorësh, përkatësisht “Ferma e Kafshëve”, “Edmond” dhe “Coriolanus”, sepse janë produksione të mbarsura nga viti 2020 dhe skenografitë, kostumografitë, kontratat me stafet krijuese kanë qenë të mbyllura dhe Teatri Kombëtar ka qenë i detyruar të zbatojë kushtet dhe afatet e tyre.

Gjithsesi, Teatri Kombëtar i drejtohet me përulje miqve dhe spektatorëve të TK, duke i kërkuar ndjesë, por njëkohësisht dhe mirëkuptim për këtë situatë të jashtëzakonshme të krijuar në këtë kohë të mbrapshtë pandemie.

Duke ju kërkuar dhe njëherë ndjesë për çdo shqetësim, ju bëjmë thirrje të afroheni pranë biletarisë tonë te ArTurbina për të rimbursuar biletën tuaj për shfaqjet “Ferma e Kafshëve” dhe “Edmond” brenda datës 20.11.2021 dhe shfaqjes së Teatrit “Skampa”, “Një Madam nga Argjentina” brenda datës 17.11.2021.

JU FALENDEROJMË!

TEATRI KOMBËTAR

Ora 16:26
Teatri Kombëtar anulon tre shfaqje, qytetarët debat me drejtorin: S’keni dublantë! Çuli: Kemi vetëm 28 aktorë

3 shfaqje në Teatrin Kombëtar janë anuluar për shkak se një nga aktorët është infektuar me COVID dhe një prej protagonistëve të një shfaqje tjetër është aksidentuar. Por anulimi i shfaqjeve ka shkaktuar edhe pakënaqësi tek qytetarët të cilët kanë paguar biletën dhe kërkojnë që shfaqja të interpretohet nga aktorë dublantë.

“Vazhdon …..u bë si barcaletë…dublantet ku i keni???? Teatri Kombetar, përfaqëson një shtet nuk është teater privat”, shkruan një qytetarë.

Si kundër përgjigje për ankesën e tij, përgjigja i ka ardhur nga drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, i cili i shpjegon qytetarit faktin pse nuk përdoren aktorët dublonte. Sipas Çulit, dublant, përdorin vendet e lindjes, në teatro me reporter shumë vjeçar dhe me stafe rezidente 80 – 100 aktorë, dhe jo si TK që ka 28 aktore dhe kalendar të kufizuar.

 ‘A e shikon që është shfaqje e teatrit Skampa apo nuk shikon nga sytë???Edhe shfaqjen e teatrit Elbasanit t’a dubloje TK?!!! Ndërkohe kupton ti çdo të thotë dublant dhe kur aplikohet dublanti? Dublant e nderuar përdorin vendet e lindjes, në teatro me repertor shume vjeçar dhe me stafe aktorësh rezidentë 80 – 100 aktore, dhe jo si TK qe ka 28 aktore dhe kalendar të kufizuar. Po ti nuk e kupton dot kete, se ke nevojë që komplekset e tua ti të mos realizimit personal ti vjellesh në këtë faqe sa herë të jepet mundësia’, shkruan Hervin Çuli, drejtor i Teatrit Kombëtar, teksa i përgjigjet komentuesit.

Ndërkohë Teatri Kombëtar në një reagim, duke u kërkuar ndjesë qytetarëve për anulimin e shfaqejeve, u kërkon që të paraqiten pranë biletarisë për të rimbursuar biletën.

‘Duke ju kërkuar dhe njëherë ndjesë për çdo shqetësim, ju bëjmë thirrje të afroheni pranë biletarisë tonë te ArTurbina për të rimbursuar biletën tuaj për shfaqjet “Ferma e Kafshëve” dhe “Edmond” brenda datës 20.11.2021 dhe shfaqjes së Teatrit “Skampa”, “Një Madam nga Argjentina” brenda datës 17.11.2021.’- thuhet në njoftimin e TK.

Komentet në Facebook
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?