Aktorja e madhe Margarita Xhepa feston sot ditëlindjen e 86-të. Ajo ka lindur më 2 prill të vitit 1932 në Lushnje. E telefonuar nga “Shqiptarja.com” për ta uruar për ditëlindjen rrëfen se sot po i gëzohet ditës me diell me disa mikesha të saj në natyrë, në një nga baret e bukura të Tiranës.
Margarita Xhepa ka krijuar mbi 150 role në teatër. Edhe pse po vuan disa probleme shëndetësore, ku dy vjet më parë u operua nga këmba dhe vështirësi të tjera të shëndetit po i bëhen pengesë, vijon të jetë protagonsite në filma dhe teatro bashkëkohore.
Ja si e kujton ajo jetën e saj të vështirë dhe fillimet e para në aktrim.
Isha një vajzë e brishtë, që më pëlqenin fustanet me lule, të cilët derdheshin mbi kërcinjtë e gjatë, e që ecja këmbë zbathur nëpër rrugët e Myzeqesë.
Nëna ime Maria u nda prej meje, kur isha 9 vjeçe, as fëmijë dhe as e rritur, duke më krijuar një boshllëk të madh, një dhimbje, që do të më shoqëronte tërë jetën. Nuk e di, por më është krijuar bindja se ishin pikërisht rrëfimet e saj, ato që ndezën tek unë dëshirën për të ndjekur më pas rrugën e bukur të artit. Eh, një fëmijëri në një kohë dhe vend të varfër, që nuk dinim se çfarë ishin lodrat, përveç kërcimit me litar. Në shkollë, shkoja me një çantë lecke dhe shpesh këmbëzbathur. Kujtoj mësuesen e parë, Sofie Kushi, që më mësoi të flas, të recitoj dhe të këndoj bukur. Sidoqoftë, si për cilindo edhe për mua, fëmijëria është një pasuri e madhe, e pazëvendësueshme.Margarita Xhepa, aktore
Ndërsa rolin e parë si aktore e kujton kur ka qenë në shkollën 7-vjeçare.
Vjen një regjisor, që e kish emrin Gëzim Libohova, që kërkonte personazhin. Meqenëse personazhi kryesor aty ishte një vajzë ruse e bukur, ai më zgjodhi mua, ngaqë isha dhe unë shtatlartë, e bardhë dhe flokëverdhë, si ruset. Shfaqja doli shumë mirë dhe me të bëmë një turne në Kuçovë, Fier dhe Patos. Sa e lumtur ndjehesha.
Margarita Xhepa, aktore
(Margarita Xhepa në rolin e saj të parë)
(Margarita Xhepa në rolin e Ofelisë)
Role më spikatura të aktores Margarita Xhepa
Ajo ishte një Zonjë Bërling e përsosur në dramën e Xhon Pristlit “Vizita e Inspektorit” u vu në skenë nga regjisori i ri Dhimitër Pecani dhe u shfaq në Teatrin e Popullor në vitin 1980. Në gjithë zhvillimin e këtij spektakli, ndjehej loja e sigurt e Margarita Xhepës, në interpretimin e rolit të zonjës Bërling. Ajo u dha si një grua potente, racionale, me një paraqitje stoike, po aq ambicioze dhe mbrojtëse e interesave të ngushta të familjes së vet. Shpirti i saj akumulon vazhdimisht, gjersa shkon drejt një shpërthimi ndjenjash të vrullshme në mbrojtje të së vërtetës.
Morali i zonjës Dulska
Margarita Xhepa tashmë e konsoliduar në mjeshtërinë e saj, na shfaqet me rolin e Melës tek tragji-komedia e dramaturges polake Grabiela Zapolska “Morali i zonjës Dulska”. Vlera ë këtij spektakli ishte zbulimi dhe demaskimi i falsitetit, hipokrizisë dhe korrupsionit, që fshiheshin pas luftës së një familjeje në shoqërinë borgjeze. Spektatorët duartrokasin fort interpretimin e nënës despotike si zonja Dylska, që i mban nën tutelë fëmijët e saj të rritur, që për mungesë të moralit, shthuret e përmbyset gjithçka.
Klea tek komedia e Gulhieme Figueiredos
Teksa kujton disa nga rolet e saj të spikatura, që ka prekur suksesin, ndalet tek roli i Kleas në komedinë e Gulhieme Figueiredos, që u shfaq në pranverën e vitit 1961. Duke folur për shfaqjen, kritika e kohës do të nënvizonte: “Pamja e Margarita Xhepës ishte shkëlqyese dhe u përgjigjet në mënyrë harmonike ndjesive shpirtërore prej femre të kultivuar, të pasionuar dhe inteligjente!”.
Shërbyesja në dramën ruse
“Në vitin 1951 kam luajtur për herë të parë rolin e shërbyeses, në një dramë ruse “Makar Dubrov”. Kanë kaluar 51 vjet pas rolit dhe ndjehem shumë keq, që realiteti shqiptar përjeton në çdo kohë drama dhe tragjedi të tilla. Shqipëria vazhdon të përjetojë, siç kanë shkruar Naimi, Mjeda, Fishta e Migjeni. Prandaj edhe spektatori ynë është shumë i ndjeshëm nga dhimbjet, nga dramat që luhen në kurriz të tij. Kjo është dhimbje për çdo shqiptar, por për artistin dhjetëfish”, - përlotet aktorja.
Nëna e Kostandinit
“Kostandini dhe Doruntina” kishte parë dritën e skenës në Teatrin Kombëtar në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar dhe në fundin e dhjetëvjeçarit të ri të shekullit njëzet e një, kapërcen kufirin nëpërmjet skenës greke. Tanimë shfaqja do të quhej “Besa e vëllait të vdekur” dhe do të jepej më 12 prill 2009 në Teatrin “Kappa” të Athinës, në një vështrim të ri prej regjisorit grek Sotiris Haxaqis. Ishin mbledhur e harmonizuar këtu të gjitha variantet e kësaj legjende të prodhuar në trevën ballkanike, për të krijuar atë vepër unike universale që u quajt “Mrekullia e vitit”! Thuajse e njëjta legjendë e interpretuar në pesë gjuhët e Ballkanit, me tre nëna njëherësh në skenë (greke, rumune e shqiptare), ku do të spikaste Nëna e Kostandinit, Margarita Xhepa.
Një sukses i madh i aktores ka qenë pjesëmarrja në filmin grek “Mirupafshim”, me regjisor Jorgo Koras dhe Kristo Vukuras, ku Margarita luajti rolin e nënës me aktorin më të kërkuar grek, Aqis Sakelariu. Në të gjitha faqet e para të shtypit grek shkëlqente portreti i aktores shqiptare Margarita Xhepa. S’kishte si të ndodhte ndryshe, pasi ai rol i gruas i përshtatej thellë në ind dhimbjes amësore të fatit tragjik të shqiptarëve, të cilat lënë shtëpitë e familjet e tyre për një copë bukë. Dhe nuk i dihet fatit të tyre, kthehen gjallë apo të vdekur.
Një tjetër sukses i Margarita Xhepës, ishte pjesëmarrja në Teatrin Kombëtar të Athinës me “Elektra” e Sofokliut në rolin e dados, me regjisorin e njohur grek, Dhimitër Mavriqo. Kjo pra, është karriera artistike e Margarita Xhepës. Gruaja që theu tabutë në një moshë fare të re dhe u ngjit në skenën shqiptare për t’u bërë mit i bukurisë dhe profesionit aktoresk. Dhe ia arriti qëllimit të saj fisnik e profesional, ku dha shumë nga jeta e saj e derdhi të gjithë mirësinë e shpirtit të gruas dhe të nënës shqiptare.
Kush është Margarita Xhepa
E njohur si një Zonjat e Mëdha të Teatrit Shqiptar në këtë 86-vjetor Margarita Xhepa kujtohet për kontribututin e saj ne teatër që e nisi nga viti 1950, kur u aktivizua si artiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Njëkohësisht me punen ajo ka bërë edhe studimet në Liceun Artistik, Dega e Dramës.
Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek "Majlinda" (Xh. Broja), Dafina tek "Lumi i vdekur" (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek "Cuca e maleve" (Loni Papa), Zonja Mëmë tek "Kush e solli Doruntinën" (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna "Përballë vetes" (Ruzhdi Pulaha) etj. Ka qenë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek "Hamleti", Vajza e dytë tek "Mbreti Lir", Dado tek "Romeo e Xhulieta", Mbretëresha Margaret tek "Rikardi i III", të Shekspirit.
Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek "Dhelpra dhe rrushtë" (Figereido), Lena tek "Xhaxha Vanja" (Çehov), Ledi Milford tek "Luiza Miler" (Shiler), Zonja Berling tek "Vizita e inspektorit" (Pristli), Zonja Lomen tek "Vdekja e një komisioneri" (A. Miller), Ana Andrejevna tek "Revizori" (Gogol), Marsela tek "Qeni i kopshtarit" (De Vega), Mashenka tek "Mashenka" (Afigenov), Shejla tek "Morali i zonjes Dulska" (Zapolska), apo Dado tek "Elektra" e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë, në Athinë. Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë.
Me K. Dhamon xhiron "Vitet e para" dhe "Gjurmët", me I. Muçajn e K.Mitron "Dimri i fundit", "Tokë e përgjakur", "Një djalë edhe një vajzë" dhe "Apasionata", me Viktor Gjikën, "Gjeneral gramafoni", me E. Musliun, "Rrethi i kujtesës" dhe "Vitet e pritjes" (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, "Dora e ngrohtë", me Dhimitër Anagnostin, "Gurët e shtëpisë sime", me P. Milkanin, "Pranvera s'erdhi vetëm", me S. Kumbaron, "Koncert në vitin 1936", me Gj. Xhuvanian "E diela e fundit" dhe "I dashur armik".
Kinematografi
Në kërkim të kujt (2011), serial
Tingulli i heshtjes - (2010) telenovela
Kronikë provinciale - (2009)
Ne dhe Lenini - (2008)
I dashur armik - (2004)
Mirupafshim - (1997)
E diela e fundit - (1993)
Një djalë edhe një vajzë - (1990),
Vitet e pritjes - (1990)
Kush e solli Doruntinën (1989) teatër-drama, nëna e Kostandinit dhe Doruntinës
Pranvera s'erdhi vetëm - (1988)
Misioni përtej detit - (1988)
Rrethi i kujtesës - (1987)
Fillim i vështirë - (1986), shoqe e Zanës
Gabimi - (1986)
Gurët e shtëpisë sime - (1985)
Militanti - (1984)
Apasionata - (1983)
Dora e ngrohtë - (1983)
Shokët - (1982)
Dita e parë e emërimit - (1981)
(Aktorja Margarita Xhepa)