Kultura

Aktorja franceze, ikonë e feminizmit, Macha Meril në Tiranë! “Një grua e martuar”, shfaqet filmi i Jean-Luc Godard

25 Qershor, 11:57| Përditesimi: 25 Qershor, 13:12

  • Share

Një grua sensuale dhe e guximshme, në kërkim të vetvetes dhe të lirisë! E tillë ishte dhe vazhdon të jetë edhe sot një ikonë e feminizmit, Macha Meril, e cila në vitet ’60 i dha jetë filmit “Une femme mariee” (Një grua e martuar) të regjisorit të njohur francez, Jean-Luc Godard. Për herë të parë aktorja ka vizituar Shqipërinë, ndërkohë që filmi i Godard është shfaqur në kinema “Millenium” në Tiranë.

“Nuk e kisha parë filmin prej shumë kohësh dhe u surprizova se është shumë modern, shumë më tepër se shumë filma që bëhen sot. Kur vendosa të bëhesha aktore ishte për të bërë filma si ky, jo thjesht të isha aktore.”, - tha Macha Meril pak pas shfaqjes së filmit në Tiranë.

Filmi i vitit 1964 tronditi shoqërinë e kohës. Ai mishëron portretin e gruas shtëpiake, e cila del përtej kufijve të vendosur dhe thyen tabu.

“Kur doli filmi ishte skandaloz. Tani nuk është më, sepse gruaja kontrollon trupin e saj, gratë nuk janë më në errësirë siç ishim ne atëherë. Unë jam një besimtare entuziaste e kinemasë. Kur kinemaja është e mirë dhe poetike, të arrin ty dhe nuk e harron”., - shprehet Meril. 

Ky prodhim kinematografik i Godard është përshkruar edhe si “një film për bukurinë e një gruaje dhe shëmtinë e botës rreth saj", ndërkohë që është edhe një kritikë e ashpër e kulturës së konsumit dhe obsesionit të ndërtuar nga media në lidhje me imazhin. Filmi është një hulumtim mbi individin, një vepër e madhe artistike dhe intelektuale, në kërkim të emancipimit.

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rreziku për aksidente, a duhet ndaluar përdorimi i monopatinave?