Kasem Hoxha

'Aktrimi, pasioni i pazëvendësueshëm'! Bisedë me aktorin Kasem Hoxha, një emër i njohur në kinematë gjermane dhe shqiptare

16 Maj, 16:41| Përditesimi: 16 Maj, 19:17

  • Share

Kur ai flet për kinematografinë, ndihet menjëherë pasioni që ka për të. Ishte ajo ëndrra e tij e kahershme, e cila u rizgjua pikërisht atëherë kur jeta dukej se po merrte një drejtim tjetër. Ajo që bën përshtypje tek Kasem Hoxha është pasioni me të cilën ai tregon rrugëtimin e tij drejt kinemasë. Aftësia e tij narrative, që të rrëmben menjëherë, bën që biseda të rrjedhë aq natyrshëm sikur të njiheshim prej vitesh. Ai është Kasem Hoxha, një emër mjaft i njohur për kinematografinë gjermane dhe atë shqiptare. ¨Protagonist i një sërë rolesh në seritë gjermane si: “Der Kroatien-Krimi”, “Bonnie&Bonnie“ “Alte Bande”, ku luan në krah të aktorit të njohur Mario Adorf, i njohur për rolin e tij si bosi i madh në filmin “La piovra” . Ndërsa për publikun shqiptar, Kasem Hoxha, është sidomos i njohur për rolet në filmat: “Gjallë”, “Krom”, “Delegacioni”, “Virgjëresha Shqiptare”, “Një prej nesh” etj.

Nuk mund të mos ta nis bisedën me një pyetje që më vjen natyrshëm se përse kishte zgjedhur të bëhej aktor dhe se kur kishte lindur kjo dëshirë.

Më tregon menjëherë se kinemaja ka qenë një ëndërr e hershme fëmijërie. Sipas tij magjia e artit është diçka që nuk shuhet me kohën, pavarësisht nga peripecitë ku e hodhi jeta. Jeta e tij tingëllon si një film më vete. Ai rritet në një realitet të varfër dhe të thjeshtë, ku edhe ëndrrat ishin të ndaluara. Ndaj në momentin e rënies së diktaturës, ai ishte ndër të rinjtë e parë që iu bashkua valës së shqiptarëve që mësynë ambasadat të huaja, pa e ditur as vetë se çfarë fati e priste. Ndodhi kështu që u vendos në Gjermani në fillim të viteve ’90 ku me përpjekje të mëdha nis një jetë të re dhe të lirë. Pikërisht atëherë kur gjithçka dukej se kishte marrë një rrjedhë pozitive, një zë i brendshëm filloi të dëgjohej. Ishte ëndrra e dikurshme e fëmijërisë që kishte filluar të trokiste. Me nxitjen edhe të së dashurës së tij vendos të ndërmarrë atë që ai gjithmonë kishte dashur të bënte në jetë, të aktronte. Nis kështu një rrugëtim që nuk ishte aq i lehtë për arsye nga më të ndryshmet të lidhura me moshën, theksin e huaj etj., por që ai i shihte të gjitha si sfida që duheshin kapërcyer.

A mendon se ka qenë Gjermania vendi ku ëndrrat bëhen realitet apo ishte vetëm këmbëngulja ajo që ia fali suksesin?

Sipas tij ishte një gërshetim i dyanshëm. Nga njëra anë ishte dëshira për aktrimin që nuk ishte fashitur kurrë brenda vetes, që e nxiti të ndërmarrë hapat e parë. Por nga ana tjetër ishin edhe rrethanat dhe njerëzit e duhur, të cilët e ndihmuan të ndiqte rrugën drejt realizimit të ëndrrës. E konsideron veten me shumë fat që takoi profesorin e shkollës së aktrimit, Torsten Stoll, i cili do të bëhej kumbari i rrugëtimit të tij. Shumë sfida kishte përpara djali i ri nga Shqipëria, por me siguri pasioni dhe këmbëngulja që tregoi, e bënë të vlerësohej edhe nga më skeptikët e fushës. Pasi diplomohet në Shkollën e Artit për Teatër dhe Dramë në qytetin e Aschaffenburg (Bavari), i jepet mundësia të performojë menjëherë në skenat teatrale për gati tre vite. Më vonë nuk do të vononin edhe rolet në ekran. Seleksionimet nuk kanë qenë të lehta por Kasemi i shihte si hapa për t’u kaluar dhe jo për ta shkurajuar. Kur i bëj pyetjen klasike nëse parapëlqen më shumë rolet në teatër apo në kinema, më thotë se emocionet janë të ndryshme dhe nuk bën dot dallime, anipse tanimë karriera e tij ka marrë drejtim në fushën e kinematografisë. Gjithsesi ai nuk e përjashton mundësinë e ndonjë roli të zgjedhur teatral.

Po si e përgatit ai një rol, si e ndërton atë?

Më tregon se për këtë çështje ai ka sekretet e tij, por shton se çdo rol e merr seriozisht, duke lexuar shumë herë skenarin. Më pas, nëpërmjet të së ashtuquajturës memorie afektike por edhe duke respektuar instinktin vetjak, arrin që rolin ta bëjë plotësisht të tijin. Roli qëndron mirë kur emocionet përjetohen në mënyrë autentike dhe këtë Kasemi e bën më së miri. E megjithatë ai është kërkues edhe perfeksionist në profesionin e tij. “E bëj me pasion”, shton Kasemi, “prandaj dua gjithmonë të jap më të mirën”.

A ka një zhanër të preferuar apo role me të cilat ndihet më komod?

“Çdo aktor i di se cilat janë pikat e tij më të forta”, më përgjigjet. Rolet në filmat aksion i shkojnë për shtat, ndoshta edhe për shkak të fizionomisë së tij siç e thekson ai vetë. Dhe në fakt, Kasem Hoxha është pjesë e aktorëve kryesorë, në serialin “Der Kroatien Krimi”, një seri gjermane mjaft e suksesshme në të cilën ai interpreton rolin e asistentit të komisares së policisë. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe rolet në filmat “Alarm fuer Cobra”, “Bobbie&Bonnie”, “Alte Bande” etj. Ndërsa për publikun shqiptar ai është i njohur për një potpuri rolesh ku trajtohen kryesisht tematika sociale. Kujton se rolin e parë shqiptar ia besoi regjisori i ndjerë Artan Minarolli në filmin “Alive” (Gjallë 2011). Të tjera bashkëpunime të vyera kanë qenë ato me regjisorin Bujar Alimani në filmat: “Virgjëresha Shqiptare”, “Delegacioni”, “Krom”. Me këtë të fundit ka fituar çmimin si aktori më i mirë në Javën e Filmit Shqiptar në Amerikë. “Një prej nesh” është një tjetër rol i arrirë që vjen në shqip me regji të Ergys Metës. Më tregon se filmat për të shërbejnë si sfida dhe se së fundmi është përfshirë në një projekt të ri, ku i është besuar një rol që mbart nota humori të zi. Sipas tij, një aktor është në eksplorim të vazhdueshëm dhe atij i pëlqen ta bëjë këtë gjë.

Çfarë mendon për kinematografinë dhe artin në Shqipëri?

Arti dhe kultura, mendon ai, janë ambasadorët më të mirë të një kombi, ndërsa historia është vetë kujtesa e tij. Ai mendon se ka një vakum historik nga ana e kinematografisë shqiptare. Këtu i referohet ngjarjeve historike që nisën me rënien e murit të Berlinit në vitin tashmë të largët 1990 dhe kulmuan me përmbysjen e regjimit komunist 45-vjeçar. Sipas tij ngjarjet historike që kanë shënuar memorien kombëtare jo vetëm që nuk duhen lënë në harresë, por duhet të kenë një fokus të veçantë në kinematografinë shqiptare. Në këtë kuptim, kjo e fundit duhet të luajë një rol sa edukues për brezat e rinj, por po aq edhe reflektues për tragjeditë e së shkuarës. Kjo gjë duhet trajtuar si një mision, i cili nuk duhet të neglizhohet, sidomos nga strukturat shtetërore.

Kur e pyes se çfarë mendon mbi kineastët shqiptare modernë, shprehet se kemi një brez kineastësh shumë të mirë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, të cilët madje po marrin vëmendje dhe çmime nëpër botë. Megjithatë ai mendon se kinematografia, si çdo gjë tjetër, evoluon me kohën. Teknikat dhe stilet ndryshojnë me kalimin e viteve, ndaj është mirë që kineastët të përshtaten me hapin e kohës. Ai vetë tregon se, edhe pse ka mbi njëzet vite eksperiencë në aktrim, vazhdon të ndjekë shpesh seminare profesionale mbi kinematografinë. Këto janë esperienca që përditësojnë dhe mprehin aftësitë teknike. Ai mendon se arsimimi i vazhdueshëm brenda dhe jashtë vendit duhet të jetë një konstante në jetën e kineastëve nëse duan të ecin përpara në karrierë. Këtë këshillë ua sugjeron të gjithë atyre që duan të vazhdojnë karrierën kinematografike.

Në datën 9 maj një seri e re gjermane e titulluar “Maxton Hall, The World between us”, u shfaq në premiere në platformën streaming Amazon Prime Video. Çfarë mund të tregojmë mbi këtë serial dhe mbi rolin tuaj në veçanti?

“Maxton Hall, The ëorld betëeen us”, është seriali i ri gjerman i cili është bazuar në tre libra bestseller të shkrimtares Mona Kasten. Seriali do të shfaqet në 240 vende të botës dhe në 40 gjuhë. Në fokus është historia mes dy të rinjve të cilët vijnë nga dy realitete sociale shumë të ndryshme, për t’u takuar në kolegjin privat të studimeve “Maxton Hall”, ku është bazuar edhe titulli. Një takim dhe rrugëtim sa anormal aq edhe plot intriga dhe pengesa, që e lejnë publikun në suspence. Kasem Hoxha luan rolin e trajnerit të skuadrës së djemve, “Coach Freeman”, në sportin lacrosse. Ai nuk është thjesht një trajner por edhe një vëzhgues i vëmendshëm dhe këshillues i mirë kur nevojitet.

Në fund nuk më ngelet veçse ta pyes se: A mendon se po jeton versionin më të bukur të jetës së tij duke bërë aktorin?

Shprehet se megjithëse ka pasur mundësi ose oferta për t’u marrë me fusha të tjera përtej kinematografisë, ai i ka qëndruar besnik zemrës së tij. “Dashuria pa kompromise për këtë profesion më bën të ndihem se po jetoj jetën që kam dashur të bëj. Më bën të ndihem më i pasur shpirtërisht sesa çdo gjë tjetër në botë. Çdokush që bën një punë me pasion dhe dashuri ndihet i plotësuar shpirtërisht, por magjia që të fal kinematografia është diçka e pazëvendësueshme”, do ta mbyllte ai bashkëbisedimin tonë.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?