Akuza e Hekuran Isait: Mehmet Shehu e dërgonte vetë nusen e djalit, jo vetëm te ai francezi, por edhe…

17 Janar 2022, 20:29| Përditesimi: 17 Janar 2022, 20:35

  • Share

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite me radhë dhe shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14  tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme. 

Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit etj.

Proçes-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982

 PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

 KOMITETI QENDROR                                                                                Tepër sekret

                                                           -Sektori i Përgjithshëm-

 PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982

 Seanca e dytë

VELI LLAKAJ: Kë?

SHOKU RAMIZ ALIA: Atë dokumentin e municioneve që the ti?

VELI LLAKAJ: Jo, nuk e ka.

SHOKU ENVER HOXHA: E kam vetëm unë dhe ministri i Mbrojtjes Popullore.

VELI LLAKAJ: Ju dhe ministri i Mbrojtjes.

SHOKU ENVER HOXHA: Atëherë pse ia çove ti Mehmet Shehut?

VELI LLAKAJ: Jo, nuk ia kam çuar unë.

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk të them ty, i them Nazarit.

VELI LLAKAJ: Nuk ia ka çuar, ai më tha mua në fillim se i çova tabelën pastaj më tha që jo, “ia raportova me gojë, se i mbaja mend”.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po njësoj nuk është?!

SHOKU ENVER HOXHA: Njësoj është: Ali Hoxha, Hoxhë Aliu. Ngrehu ti Nazar e na fol.

NAZAR BERBERI: Shoku Enver, për tabela municioni, për gjëra të tilla nuk kemi bërë fjalë. Nuk kam folur asnjë fjalë për tabela.

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse shpif Veliu?!

NAZAR BERBERI: Për tabela municioni, nuk është bërë fjalë fare dhe as më ka pyetur njeri për tabelën e skalionimit të municionit. Le që unë mund t’i mbaj mend, në qoftë se më kërkohej, unë do kërkoja t’i merrja nga Shtabi i Përgjithshëm, po nuk u bë fjalë për tabela municioni.

SHOKU MUHO ASLLANI: Po pse ia thatë Veliut?

NAZAR BERBERI: Jo, për tabelë skalionimi të municioneve nuk i kam thënë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ç’i ke thënë? (dhe shumë shokë pyesin ç’i ke thënë?).

NAZAR BERBERI: Atë ditë para se të vija te Mehmet Shehu i kam thënë Veliut që nuk e di përse më do Mehmet Shehu, se vija nga Gjadri, mos më do për ndonjë tabelë a për gjë për municionin? E kam shprehur kot, po nuk kam thënë gjë (shokët reagojnë: si kot?).

SHOKU ENVER HOXHA: A nuk e dije?!

SHOKU SIMON STEFANI: Si “kot” e ke shprehur?

NAZAR BERBERI: Jo, nuk është bërë fjalë fare për tabelë municioni dhe as më ka kërkuar një gjë të tillë (reagim nga shokët).

SHOKU HARILLA PAPAJORGJIPo pse the tabelë municioni?

NAZAR BERBERI: Jo, nuk kam thënë, s’është bërë fjalë fare për tabelë dhe as më ka kërkuar njeri. Po të më kërkohej unë do kërkoja patjetër të merrja në Ministri se nuk mund t’i mbaj mend ato të dhëna.

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse vajte te Mehmet Shehu?

NAZAR BERBERI: Ai më ka pyetur, shoku Enver, për atë që thashë, nëse kisha qenë në hotel “Tirana”, në kafe. I thashë: Kam qenë. Me kë ishe? – më pyeti. I thashë që isha bashkë me gruan. Vetëm këtë më pyeti, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Po për këtë gjë ti na ke thënë se të mori në telefon.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu ke thënë: “më mori në telefon”.

NAZAR BERBERI: Po. Kadri Hazbiut kështu i kam thënë: më mori Mehmet Shehu në telefon.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po.

NAZAR BERBERI: Ai më ka marrë e më ka pyetur për këtë që thashë.

SHOKU ENVER HOXHA: Të ka pyetur në telefon? Nuk të ka thirrur në shtëpi?

NAZAR BERBERI: Po, më ka thirrur, shoku Enver. Hajde këtu, më tha ta sqarojmë se është një problem familjar.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ti e sqarove në telefon, i the që ti nuk dije gjë.

NAZAR BERBERI: Jo, nuk e sqarova dot në telefon, nuk e zgjati bisedën në telefon.

SHOKU ENVER HOXHA: Po sikur ishim atje ne dhe të dëgjuam ty! (të qeshura).

NAZAR BERBERI: Unë isha në zyrë dhe atje kisha dhe njerëz të tjerë në atë kohë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ti na the që të pyeti “në telefon” dhe pastaj na thua: vajte në shtëpi.

NAZAR BERBERI: Vetëm kaq, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Ti i the me gojë Veliut që Mehmet Shehu të pyeti për tabelën e skalionimit të municioneve.

NAZAR BERBERI: Jo, shoku Enver, për municione nuk më pyeti.

SHOKU ENVER HOXHA: Mirë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Mehmet Shehu ishte ai që udhëzonte vetë nusen e djalit të vinte të takonte jo vetëm atë francezin po t’i takonte edhe të tjerë gjetkë, e gjetkë e gjetkë. Nuk kishte ai nevojë të vërtetonte, (se u shqetësua shumë ai nëse u takua nusja me francezët apo nuk u takua!).

NAZAR BERBERI: Dakord.

SHOKU HEKURAN ISAI: Ky ishte preteksti që ti të vije në shtëpi. Tani çfarë muhabeti është bërë atje, këtë kërkon plenumi. Nuk ishte çështja për nusen e djalit, se ti e ke marrë vesh tani si e përdorte ai nusen e djalit, pra, nuk kish pse të shqetësohej, se u takua nusja e djalit me francezët?!

NAZAR BERBERI: Shoku Hekuran, ai më tha kështu: “Më thanë: kam informacion se ke qenë ti në kafen e hotel “Tiranës”. Kam qenë, – i thashë. Ke pirë kafe? – më pyeti. Po, kam pirë, – i thashë. Ke parë gjë nusen e djalit tim atje? – më pyeti. Unë nuk e njoh, – i thashë dhe nuk kam parë njeri. Vetëm kaq dhe e kemi mbyllur bisedën, (shokët shprehin mos aprovim për përgjigjet).

Lidhur me detyrën për tanket, unë nuk i kam pasur në vartësi tanket. Për armët e tjera si për aviacionin, flotën, mbrojtjen kundërajrore, ato i di, i njoh, po për tanket nuk më ka dhënë ndonjë porosi.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po për ato që ke pasur ti në varësi, të ka thënë gjë?

SHOKU HAKI TOSKA: Po për këto armët në formë bastuni, di gjë ti?

NAZAR BERBERI: Nuk e di atë.

SHOKU HAKI TOSKA: Ti i ke në varësi uzinat që kanë prodhuar këto armë?

NAZAR BERBERI: Unë nuk di gjë për përgatitjen e armës bastun.

SHOKU HAKI TOSKA: Ti e mbulon drejtorinë që i ka uzinat ushtarake?

NAZAR BERBERI: Drejtoria e armatimit i ka ato, po unë pothuaj nuk e di problemin e prodhimit të këtyre armëve.

SHOKU RAMIZ ALIA: Si “pothuaj” nuk e di?!

NAZAR BERBERI: Jo, jo.

SHOKU ALI VUKATANA: Drejtoria e armatimit, nuk bën asnjë veprim pa lejen e zëvendësministrit që e mbulon këtë drejtori.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, ashtu është.

SHOKU ALI VUKATANA: Prandaj Nazari duhet të dijë për këtë.

SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë, nuk mund të vejë kush të dojë në uzinë dhe të porosisë armë.

NAZAR BERBERI: Për prodhimin e armës bastun, unë po e them që nuk di gjë fare. Këtë çështje e kam marrë vesh tani vonë, kur më tha shoku Ali, (shokët shprehin mos aprovim për përgjigjet).

SHOKU XHEMAL DYMYLJA: Këta askurrkund “nuk kanë qenë”, po në shtëpi të Mehmet Shehut kanë qenë dhe për Mehmet Shehun gjithkund kanë qenë. Dhe logjika më e thjeshtë, e thotë se tërë këto janë përralla me mbret! Një çikë më ashtu, mor Nazar, thuaj që këto i bëra! (të qeshura).

SHOKU ENVER HALILI: Atë që tha shoku Hekuran, të na e thotë shqip. Shoku Hekuran i tha: ne të tërë e dimë çfarë bënte Mehmet Shehu me nusen e me djemtë, tani të tërë e morëm vesh zyrtarisht pra, dhe ti e di që nuk të thirri për atë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse të vinte të kërkonte nga Nazar Berberi, nëse e kishte parë nusen e djalit të tij me francezët, kur unë, Mehmet Shehut, që ishte bashkë me Fiqreten, i thashë: more Mehmet, e di çfarë të bën ajo nusja e djalit tënd? Ajo po të bën kurvëri. Si?! – tha ai. Me të huajt, me francezët, – i thashë. Dhe ai djali yt, – i thashë unë, duhet të rrijë urtë. Ai mu përgjigj: I kam thënë djalit, po ai më thotë: ç’do ti baba, unë kam të drejtën time, vete ku të dua (të qeshura). Edhe këtë ta tha?! – i thashë unë Mehmetit. Po ti ç’bëre? – e pyeta. Të them të drejtën ika, – tha. Pas kësaj bisede, pse u dashkej të vinte te Nazari, ai e ta pyeste për këtë çështje?!!

NAZAR BERBERI: Shoku Enver, ai donte të vërtetonte informacionin. Unë me të shkëmbeva vetëm dy fjalë, shoku Enver, ato fjalë që i thashë pak më lart.

SHOKU ENVER HOXHA: E dinte atë me kohë Mehmet Shehu.

NAZAR BERBERI: Në informacion i thoshin që në kafen e hotel “Tiranës”, kisha qenë dhe unë, (të gjithë shokët i thonë që ai e dinte, nuk do të të pyeste ty).

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse e zgjat këtë punë. Nuk kishte nevojë Mehmet Shehu të të pyeste ty, se ai e dinte, ia kishim thënë ne atë çështje, ia kishte thënë, më duket, dhe Kadriu. Pse të të pyeste ty?

NAZAR BERBERI: Nuk e di, ai atë pyetje më bëri.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ai e dërgonte vetë nusen e djalit me “detyra”.

SHOKU RAMIZ ALIA: Informacioni që përmendët ju, na erdhi neve dhe ne ia dërguam atij, ia çoi shoku Simon. Ai e pa të shkruar dhe e lexoi.

SHOKU SIMON STEFANI: Po, ia çova unë.

NAZAR BERBERI: Po dhe mua për atë çështje më pyeti.

SHOQJA EMINE GURI: Tani është e qartë. Unë mendoj ta përjashtojmë nga Partia edhe Nazar Berberin. Këta të tërë një gjuhë po mbajnë dhe duket qartë që këta fshihen.

SHOKU ENVER HOXHA: Bukur. E vëmë në votë. Kush është dakord që Nazar Berberi të përjashtohet nga Partia? (Të gjithë shokët u shprehën dakord).

SHOKU ENVER HOXHA: Kundërshtim?… Nuk ka. (Veli Llakaj dhe Nazar Berberi ikin).

SHOKU HARILLA PAPAJORGJI: Me leje, shoku Enver?

SHOKU ENVER HOXHA: Urdhëro, fol. (Në periudhën që presin sa të largohen ata që u përjashtuan nga Partia, shoku Enver thotë: Më mirë mollët të jenë të kuqe e të forta, sesa të jenë të krimbura. Këta na kanë luajtur qindin, (të gjithë shokët shprehin miratim).

SHOKU HARILLA PAPAJORGJI: Organizata bazë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, analizoi gabimet dhe fajet shumë të rënda të anëtarit të saj, Ndreçi Plasari, i cili me punën e tij studimore dhe botuese është përpjekur të mbulojë të vërtetën historike në lidhje me personin e Mehmet Shehut dhe të fryjë kultin e tij.

Prandaj, të gjithë komunistët, të pakënaqur nga autokritika me shkrim që e dorëzoi me dhjetë muaj vonesë dhe jo me iniciativën e tij si dhe nga autokritika me gojë në përgjigje të pyetjeve të shumta që iu bënë, njëzëri e kritikuan rreptë dhe e dënuan atë për mungesë të theksuar të sinqeritetit dhe autokritikë shumë të dobët, lidhur me marrëdhëniet e tij me krye-agjentin Mehmet Shehu.

Gjithashtu organizata e kritikoi atë për oportunizëm dhe mungesë vigjilence, për lëshime në parime, që u kanë shërbyer synimeve të egra të armikut Mehmet Shehu, në dëm të interesave të popullit dhe të Partisë, për shkelje në mënyrën më flagrante të objektivitetit shkencor të dokumenteve në studime, po dhe në botime e në materiale të ndryshme për Mehmet Shehun, duke rënë kështu në subjektivizëm dhe në shtrembërime të së vërtetës historike.

Organizata e Partisë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste mësoi fakte të tjera për mos informimin, nga ana e Ndreçi Plasarit në asnjë instancë të Partisë, për dokumente shumë komprometuese të Mehmet Shehut, të cilët i kanë kaluar nëpër duar shokut Ndreçi Plasari, sidomos një dokument zyrtar i zbulimit anglez, tërhequr si mikrofilm nga arkivi i Londrës, ku, ndër të tjera, për agjentin Mehmet Shehu thuhet: “Ambicia e tij ia kalon besnikërisë ndaj Partisë” dhe kjo lidhej me një opozitë që ata mendonin të krijonin në gjirin e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare Shqiptare. Ndreçi Plasari këtë e dinte prej dy vjetësh e ca përpara dhe nuk e kishte thënë gjëkundi.

Gjithashtu për mosinformim të disa bisedave të Mehmet Shehut me të, të bëra jo pa qëllim si për shembull, për programin demokratik-borgjez të shkruar nga ai më 1942, që përmendet edhe në fjalimin tuaj, shoku Enver “Tablo sinoptike e veprimtarisë agjenturore të armikut Mehmet Shehu”, pa i thënë përmbajtjen e vërtetë, por që Ndreçi Plasari “nuk u kujtua” t’ia thotë Partisë edhe pse kaluan dhjetë muaj pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut.

Ndreçi Plasari ka pasur frikë (siç deklaroi ai) se mos armiku Mehmet Shehu si ministër i Brendshëm, mund të hakmerrej me ndonjë “shpifje”. Kjo si dhe pyetja që ka bërë në Konferencën e Partisë të Tiranës të vitit 1956 për dy udhëheqës të Partisë: “Pse nuk kanë marrë takime me popullin” e vunë organizatën e Partisë në dyshime. Kjo pyetje ishte në vorbullën e tërë atyre pyetjeve që drejtoheshin në këtë konferencë nga elementët e këqij.

Për të gjitha këto, organizata bazë vendosi njëzëri t’i propozojë plenumit të Komitetit Qendror të Partisë që Ndreçi Plasari të përjashtohet nga plenumi i Komitetit Qendror dhe nga radhët e Partisë. E dyta, të largohet nga Instituti i studimeve marksiste-leniniste, të shkarkohet nga të gjitha funksionet e tjera drejtuese të tij dhe organi përkatës i nomenklaturës të vendosë për punën me të cilën do të merret në të ardhmen.

Ky është vendimi i organizatës bazë të Partisë të Institutit të studimeve marksiste-leniniste që unë kam porosi t’ia paraqes plenumit të Komitetit Qendror të Partisë./Memorie.al

Vijon numrin e ardhshëm...

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?