TIRANË- Pasi SPAK ka nisur hetimet për deputetin e PS-së, Ervin Bushati për akuzën e fshehjes së pasurisë, Partia Demokratike i kërkon që të mos zvarritet procesi. Në reagimin e tyre, PD thotë se ky është momenti për SPAK që të mos zhgënjejë qytetarët, por t'u japim mesazhin që drejtësia është e njëjtë për këdo, edhe për zyrtarët e lartë.
"Kur bëhet fjalë për të fshehur pasurinë, deputeti dhe Kryetari i PS për Tiranën, Ervin Bushati, është kopje e shefit të tij të madh Edi Rama dhe e shefit të tij më të vogël, Erion Veliaj. Ai po hetohet nga SPAK për 2 vepra penale, në lidhje me mosdeklarimin e pasurisë dhe falsifikimit të dokumenteve për rreth 3100 m2 në Tiranë, Qerret dhe Sarandë.
SPAK nuk duhet ta zvarrisë më hetimin! SPAK nuk duhet të zhgënjejë pritshmërinë e qytetarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë! Kushdo duhet të përgjigjet penalisht për abuzimet me detyrën dhe besimin e qytetarëve. Çdo qindarkë e vjedhur duhet t'i kthehet qytetarëve", shkruan PD-ja.
SPAK ka nisur hetimet për deputetin e PS-së, Ervin Bushatin pas akuzave të PD-së për fshehje pasurie. Prokuroria e Posaçme do të hetojë për falsifikimin e vulave, stampave dhe formularëve të deklarimit të pasurisë.