Sekuestrohet vila e 2 garazhe me vlerë 500 mijë euro polakes në Tiranë, gruaja e gjermanit që do ekstradohet në Korenë e Jugut! Me skemë piramidale fituan 28 mln euro

30 Prill, 11:16| Përditesimi: 30 Prill, 21:33

  • Share

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasur me vlerë mbi 500 mijë euro të një polakeje, në vazhdë të hetimit pasuror për gjermanin Stephan Morgenstem, i cili u arrestua në gusht 2023 në Rinasi, pasi ishte në kërkim nga Koreja e Jugut dhe shtete të tjera nën akuzë për mashtrim. Në sekuestro është vendosur një vilë në periferi të Tiranës, në Lundër, si edhe dy garazhe. Vlera e Vilës shkon 483 000 euro, ndërsa dy garazhet me vlerë 27 mijë euro.

Gjermani Stephan Morgenstem u kap në Rinas pasi në bashkëpunim me persona të tjerë akuzohej se kanë krijuar një skemë piramidale në të paktën 5 shtete dhe kanë përfituar rreth 28 milionë euro. Hetuesit kanë indice dhe prova se gjermani ka pastruar paratë vendin tonë duke blerë pasuri të paluajtshme të cilat i ka vendosur në emër të bashkëshortes së tij.

Gjermani akuzohet se kanë përfituar para përmes skemave të mashtrimit nëpër disa vende që kërkojnë ekstradimin, si Koreja e Jugut dhe Polonia. Me një vendim të autoriteteve shqiptare i është hapur rruga ekstradimit të tij në Korenë e Jugut, ku do përballet me një dënim të përjetshëm.

Stephan dhe Anna Morgenstern u janë bllokuar pasuritë edhe në Dubai, si edhe autoritetet koreane kanë vendosur ndaj 62-vjeçarit dhe bashkëpunëtorëve sekuestrimin e pasurive dhe llogarive bankare që përllogariten në 123 milionë euro. Paratë e përfituara përmes mashtrimit nuk i kanë pastruar vetëm në Dubai e vende të tjera, por edhe në Shqipëri duke investuar në pasuri të paluajtshme.

Pronat e polakes që sekuestruan sot (30 prill 2024), sipas organit të akuzës janë blerë me paratë e bashkëshortit të saj, të fituara si pasojë e mashtrimit, në disa vende të botës.

"Nga hetimi i kryer deri më tani në Shqipëri, plotësohen kriteret për t’u vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të shtetases Anna Morgenstem. pasi ekzistojnë indicie dhe prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se kjo shtetase në bashkëpunim me bashkëshortin e saj, shtetasin Stephan Morgenstem kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Nga hetimi i mbështetur edhe në praktikat e ekstradimit të mbajtura për shtetasin Stephan Morgenstem, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka kryer vepra penale nëpërmjet mashtrimit dhe pastrimit të produketeve të veprës penale në disa shtete që kërkojnë edhe ekstradimin e tij, si Korea e Jugut dhe Polonia. Ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka përfituar shuma të mëdha parash nëpërmjet skemave të mashtrimit.

Paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme ai dhe bashkëshortja e tij, dyshohet se i kanë investuar në blerjen e pronave, në vende të ndryshme nga ku dyshohet se është konsumuar vepra penale e mashtrimit. Kështu investimet nga ana e të dy bashkëshortëve, nuk janë bërë vetëm në Dubai, por ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur edhe në provat e administruara gjatë hetimit, se të gjithë pasuritë që shtetasja Anna Morgenstem ka blerë në Shqipëri, janë blerë me paratë e bashkëshortit të saj, të fituara si pasojë e mashtrimit, në disa vende të botës", njofton Prokuroria e Tiranës.

Kush është Stephan Morgenstem? 

Gjermani Stephan Morgenstem pas mashtrimeve në disa shtete të botës u kap në Rinas më 21 gusht 2023, teksa priste bashkëshorten të vinte nga Dubai. I dyshuari me bashkëpunëtorët e tij dyshohen se kanë mashtruar investitorët në Poloni, Spanjë, Gjermani, Itali, Korenë e Jugut dhe vende të tjera në një skemë mashtrimi piramidale të monedhave dixhitale.

Gjatë periudhës 27 mars 2016 - 7 nëntor 2020, ai dhe bashkëpunëtorët akuzohen se kanë mashtruar 2156 persona, me një dëm në vlerë monetare totale 40 703 930 904 KRË (monedha e Koresë së Jugut) ose rreth 28 000 000 euro. Së bashku me një shtetas me kombësi polake, Ziemian, ata ishin bashkëpronarë të skenës piramidale “FutureNet”. Polaku u arrestua në Itali gjatë një gare me Ferrari. 

Para se të kapej në Rinas, gjermani Stephan Morgenstem u arrestua në Greqi në dhjetor të vitit 2022, teksa tentonte udhëtimin për në Dubai. Ai u la në masën 'arrest në shtëpi' dhe në pritje të gjyqit për ekstradimin drejt Spanjës, 62-vjeçari u arratis drejt Shqipërisë, ku u vu në pranga pranë aeroportit.

Pasuritë e sekuestruara
- Pasuria nr.590/1/62+4-7, volum 14, faqja 170, ZK.2529, sip.176,06 m2, e llojit apartament, me vlerë fillestare 483 000 euro, vendodhja Lundër, Tiranë;
- Pasuria nr.590/1/62+4-G10, volum 14, faqja 181, ZK.2529, e llojit garazh, me sip 13.08 m2, në Lundër me vlerë 11 500 euro; dhe
- Pasuria nr.590/1/62+4-G11, volum 14, faqja 182, ZK.2529, me sipërfaqe 19.03 m2, e llojit garazh në Lundër me vlerë 15 500 euro.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?