Senatori amerikan Bob Menendez ndihmoi një biznesmen nga New Jersey që të siguronte një investim nga një kompani e Katarit me lidhje me qeverinë e shtetit të Lindjes së Mesme, thanë prokurorët të martën në një padi kundër ligjvënësit demokrat.
Zoti Menendez deklaroi në tetor se ishte i pafajshëm lidhur me akuzat se ai kishte vepruar si një agjent i paregjistruar i qeverisë egjiptiane dhe për pranimin e qindra mijëra dollarëve nga biznesmenët e New Jersey për të penguar hetimet me të cilat ata përballeshin.
Akuzat e reja, të paraqitura në gjykatën federale të Manhatan-it, e shtojnë trysninë mbi demokratin Menendez, i cili u ka rezistuar thirrjeve nga anëtarët e partisë së tij për të dhënë dorëheqjen.
Zoti Menendez përballet me katër akuza për komplot, përfshirë atë për marrje ryshfeti, mashtrim, zhvatje dhe veprim si agjent i huaj.
Ai ka mohuar keqbërjen, por dha dorëheqjen përkohësisht si kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë pas ngritjes së akuzave në shtator. Ai ka përfaqësuar shtetin e New Jersey në Senatin amerikan që nga viti 2006.
Adam Fee, një avokat për zotin Menendez, tha se klienti i tij veproi "krejtësisht në mënyrë të duhur" në lidhje me Katarin dhe Egjiptin. “Këto akuza të reja nuk ndryshojnë asgjë dhe ato nuk do t'u mbijetojnë shqyrtimeve në gjykatë apo një jurie”, tha avoakti Fee në një deklaratë.
Aktakuza thotë se zoti Menendez dhe bashkëshortja Nadine morën bileta për garën “Formula One” në këmbim të ndihmës për biznesmenin Fred Daibes që të negociojë një investim disa miliona dollarësh për një projekt të pasurive të paluajtshme në New Jersey.
Sipas aktakuzës, në qershor 2021 zoti Menendez e kishte prezantuar biznesmenin Daibes me një anëtar të familjes mbretërore të Katarit, i cili drejtonte një kompani investimesh.
Prokurorët thanë se zoti Menendez bëri deklarata publike në favor të Katarit dhe në gusht 2021 i tregoi paraprakisht biznesmenit Daibes deklaratën për shtyp që lavdëronte qeverinë e atij vendi.
“Ndoshta keni dëshirë që t’u tregoni atyre deklaratën”, i tha zoti Menendez biznesmenit Daibes përmes një mesazhi të koduar, sipas aktakuzës.
Në maj 2022, kompania e Katarit, e cila nuk u emërua, nënshkroi një letër për të hyrë në një sipërmarrje të përbashkët me kompaninë e biznesmenit Daibes, thanë prokurorët.
Zoti Menendez u shpërblye menjëherë, thanë prokurorët, kur një zyrtar i Katarit i dha një të afërmi të bashkëshortes Nadine Menendez bileta për garën “Formula One” në maj 2022 në Miami dhe biznesmeni Daibes i dha zoti Menendez një bllok ari.
Në fund të atij muaji, pasi darkoi me gruan e tij dhe biznesmenin Daibes, senatori bëri një kërkim në Google për "çmimin e një kilogram ari", thanë prokurorët. Daibes dhe Nadine Menendez gjithashtu janë paditur por ata kanë thënë se janë të pafajshëm.
Gjyqi ndaj zotit Menendez është caktuar më 6 maj./Voa