Kryeministri Edi Rama i ka quajtur broçkulla, akuzat e kryetarit të PD-së Lulzim Basha, se PS, po bën ‘Pazar me non gratën’, Sali Berishën duke iu referuar marrëveshjes mes mazhorancës dhe Rithemelimit për t'i dhënë fund kaosit në Kuvend.
'U fol këto ditë për pazare, marrëveshje me Non Gratën në dëm të drejtësisë e njohje nga ana jonë të zotërisë në ballkon si lideri i Partisë Demokratike, ashtu sikundër është folur lartë e poshtë, portaleve e socialeve, për trembje të socialistëve nga SPAK-u e për plane të fshehta për vënien nën kontrollin e shumicës të drejtësisë të re.
Të gjitha janë broçkulla, që tregojnë se sa të vështirë e ka një pjesë e bashkësisë sonë shqiptare, e yshtur nga ata që dëgjon dhe ndjek në politikë, në media a në mexhelisin e rrjeteve sociale, të kuptojë ose të pranojë se Partia Socialiste e kësaj gjenerate, po shkruan një kapitull të ri në historinë e marrëdhënieve të pushtetit politik me drejtësinë. Me vetëdije të plotë, me patriotizëm të vërtetë dhe me sensin më të lartë të përgjegjësisë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Është shumë tmerrësisht e thjeshtë për t’u kuptuar: Nëse ne nuk do të donim një drejtësi me duart e lira nga prangat 100 e kusur vjeçare të pushtetit ekzekutiv, i kishim bërë të tëra pazaret e nevojshme për ta penguar ardhjen e kësaj kohe, kur për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, hetohen, gjykohen, dënohen individë të niveleve më të larta të pushtetit politik. Thonë disa që e bënë amerikanët, s’e bëmë ne, po amerikanët këtu ishin edhe përpara, aty janë edhe në vende të tjera të NATO-s apo pro NATO-s në rajon.'- tha Rama.
Lajmi kryesor:
Asambleja e PS-së në Durrës, Rama: 50 mijë anëtarësime të reja deri në qershor! Klosi: Më 12 maj, zgjedhje të brendshme në parti
M.Q.//ReportTv.al