Akuzat e Enverit në mbledhjen e Byrosë: Që kur ishte Feçor Shehu në Peshkopi, Partia e ka sinjalizuar Kadriun, për imoralitetin e tij

6 Dhjetor 2022, 08:43| Përditesimi: 6 Dhjetor 2022, 08:48

  • Share

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”.

Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran.

Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”.

Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                                    TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                            PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu

Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU ENVER HOXHA: Për këto që pretendon Kadriu, s’ka dokumenta në Komitetin Qëndror. Nga ana tjetër për fat të mirë të Partisë, unë mbaj ditar ku kam shënuar dhe vazhdoj të shënoj çdo ditë se me kë takohem, ç’më bisedojnë, dhe çfarë ju bisedoj shokëve. Edhe me Kadriun, kam pasur disa takime, dhe ai më ka informuar për ndonjë ngjarje apo incident, por s’më ka ngritur gjë as nga larg për këto që po analizojmë. Kurse unë, kam dhënë shumë porosi e këshilla për Ministrinë e Brëndshme dhe Sigurimin e Shtetit. Kadriu, pohon se ky qëndrim “i imi (i Kadriut), i ka favorizuar të gjithë këta armiq në metodën e fshehjes së gjurmëve”. Por këtë miopi politike e mungesë partishmërie, ai e paraqet thjesht si mashtrim e pabesi nga ana e Mehmet Shehut e Beqir Ballukut që, i paraqisnin çështjet “si të para e të gjykuara nga shokët”.

Edhe këtu ka insinuata me qëllim të keq, duke lënë të kuptohet se ata, kanë biseduar edhe me mua si shoku më përgjegjës mbi ta. Po shoku Kadri, shok udhëheqës, nuk ishte në gjendje të dallonte se ç’ishte në vijën e Partisë e çfarë jo?! Kjo është abc për çdo komunist, dhe çdo komunist e di rrugën që duhet ndjekur. Kur sheh që shkelet vija, ai shkel çdo lidhje hierarkike, e sipas statusit të Partisë, raporton e kërkon sqarime deri te instancat më të larta. Jo, kjo nuk është autokritikë e hapur, kjo është një autokritikë që bëhet me rezerva dhe me tendencën për të shpërndarë përgjegjësitë e rënda që, i takojnë vetë atij. Këtë ne, nuk ja pranojmë.

Shoku Kadri, herë e paraqet veten viktimë, herë ja hedh fajin euforisë, herë kultit që ishte krijuar për Sigurimin e Shtetit, herë thotë se ka vepruar nën influencën e Mehmet Shehut, Beqir Ballukut, Feçor Shehut, e Mihallaq Ziçishtit. Po neve, na ka imponuar gjë Mehmet Shehu?! Jo s’ka mundur të na imponojë. Pra nuk është e drejtë të thuhet se edhe unë kisha besim tek Mehmet Shehu, ashtu siç kishit dhe ju. Ka një diferencë në këtë çështje, dhe kjo shpjegon atë që përse Kadriu i është nënshtruar presionit të Mehmet Shehut e Beqir Ballukut me kompani?!

Nga një anë Kadriu, pranon se ka gabuar dhe ka përgjegjësi për vlerësimet që u janë bërë tradhtarëve që e rrethonin, por nga ana tjetër, ngarkon me përgjegjësi siç thashë pak më parë edhe disa shokë Sekretarë të Komitetit Qendror të cilët, mbulonin Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe me kuadrin. Shokët sekretarë që merren me kuadrin, nuk kanë asnjë përgjegjësi për sa ka ngjarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pasi ata nuk viheshin në korrent për çdo gjë. Por shoku Kadri, mund të shkonte edhe më tej duke ngarkuar me përgjegjësi dhe Sekretariatin e Byronë Politike, që vendosnin për për këto kuadro të nomenklaturës së tyre.

 

Po kush duhet të na sinjalizonte, të mos flasim për punën e fshehtë armiqësore por, të themi për sjelljet imorale të Beqir Ballukut, e të Feçor Shehut, etj?! Kadriut thotë: “Partia duhet të sinjalizonte”. Dakord dhe Partia ka bërë sinjalizime të tilla, me të cilat Kadriu është njohur. Siç na thotë tani që kur ishte në Peshkopi, Partia e ka sinjalizuar Kadriun që, Feçor Shehu ishte imoral. Në Komitetin Qendror, ekziston dokumenti që shoku Kadri, ka bërë shënime me dorën e tij se: “Këto që thuhen për Feçor Shehun, s’janë të vërteta”. Mirëpo shoku Kadri Hazbiu dhe Bato Karafili, që u ngarkuan për të verifikuar sinjalizimet na e nxorën të larë Feçorin.

Gjithë Shkodra, gjithashtu e dinte që Feçori ishte imoral, kurse Ministria e Punëve të Brendshme dhe Kadri Hazbiu “se dinin”! Po ç’ dinin ata?! Vetëm parullat që hidhnin reaksionarët aty këtu?! Sigurimi i Shtetit, ç’bënte?! Flinte gjumë apo qejf o qejf ?! Si ka punuar Kadriu që të kultivonte tek vartësit e tij dhe tek të gjithë punonjësit e Ministrisë së Brendshme, thjeshtësinë, urtësinë, dhe besnikërinë, ndaj çështjes së Partisë dhe Popullit?! Pse lejoi ai që shumë nga këta kuadro, të zhvillohen shfaqje në kundërshtim me moralin komunist dhe të ushqehet mendimi se “ne jemi më të zgjedhurit e Partisë, ne mund të bëjmë ç’të duam, askush nuk mund të na kontrollojë, të na denoncojë, se ne ju punojmë qindin”.

Dhe këto janë të vërteta, s’janë përralla. Feçor Shehun e aprovuam ne si ministër, po kush e njihte atë më mirë nga ne?! Kadriu. Ai, kishte vite që punonte drejtpërdrejt me të. Për emërimin e tij si ministër, Byroja Politike, u mbështet kryesisht në mendimin e shokut Kadri. Shoku Kadri, mund të thotë se propozimi nuk erdhi nga ai, por nga Mehmet Shehu. Por kjo, nuk ndrydhin gjë. Shoku Kadri, ka përgjegjësi edhe në rastin që ai vetëm “e aprovoi”, siç thekson në autokritikë (duke lënë të kuptohet se nuk u pyet për këtë, gjë që është e pavërtetë) dhe në rastin që ai s’kishte kuptuar gjë se “ç’gatuante” Feçor Shehu nën hundën e tij!

Para se të flas për qëndrimin e shokut Kadri pas vetëvrasjes së krye agjentit Mehmet Shehu e, zbulimin e veprimtarisë së tij të spiunazhit e të bashkëpunëtorëve të tij, do të vazhdoj me disa vërejtje për autokritikën e Kadri Hazbiut, lidhur me materialin që i është dhënë Byrosë Politike, që hedh dritë mbi marrëdhëniet e Ministrisë sonë të Punëve të Brendshme me homologen e saj në Bashkimin Sovjetik, dhe të vendeve Demokracive Popullore. Në autokritikën e tij Kadriu, bën historikun e marrëdhënieve të organeve tona të Sigurimit me ato të Bashkimit Sovjetik e, të vendeve të Demokracive Popullore.

Në parashtrimin që bën, ka gjëra që nuk janë të panjohura për ne e nuk janë bërë pa vendime (të shkruara ose të pashkruara). Është i njohur fakti që, ne kishim ngarkuar e pranuar këshilltarë sovjetikë në të gjitha drejtoritë e Ministrisë së Brendshme. Kërkesa për të na dërguar specialistë sovjetikë, fillimisht është bërë nga unë, përpara shokut Stalin dhe ai m’u përgjigj se: “Ne do tju dërgojmë disa këshilltarë por, këta do të jenë të përkohshëm dhe pasi do t’ju kenë ndihmuar ata, do të rikthehen në Bashkimin Sovjetik”. Ai më tha gjithashtu se: “ata do të paguhen njësoj si nëpunësit tuaj” dhe kështu u bë, veçse jo tek ju.

Kjo ishte praktika që u ndoq deri në vitin 1954, jo vetëm në sektorët civilë por, edhe në ato të Ministrisë së Brendshme, dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Pastaj, kur erdhi Mehmet Shehu si Kryeministër dhe Kadri Hazbiu si Ministër i Brendshëm, pas vitit 1954, u krijua një situatë krejt e ndryshme, krejt e re në favor të KGB-së sovjetike. Ne, kemi pasur këshilltarë dhe në kohën kur në fuqi erdhi Hrushovi. Nga disa të dhëna paraprake që kam, del se ky numër erdhi duke u shtuar pas vdekjes së Stalinit dhe Kongresit të XX të Partisë Komuniste të BRSS-së.

Është interesante të vëmë në dukje se, ndërsa në të gjithë dikasteret ka pasur nga 1 këshilltar (në Ministrinë e Industrisë ka pasur 2) e shumica e tyre janë larguar në vitet 1951-1952, në Industri Miniera, këshilltarët janë larguar në vitet 1955-1956 (vetëm këshilltari i Ministrisë së Bujqësisë, është larguar në vitin 1960), ndërsa në Ministrinë e Brendshme deri në vitet 1953-2954 ka pasur 10 këshilltarë ndërsa nga 1954 e deri në 1960, kanë ardhur 35 këshilltarë e në mos më shumë, se siç na thonë: “kaq mbajmë mënd”!

Pse janë shtuar?! Kush i ka kërkuar?! Këtë mund e duhet të na e sqarojë shoku Kadri se ne si udhëheqje, nuk kemi marrë asnjë vendim në këtë drejtim, përveç atij që thashë më parë. A e kuptoni shokë, se përse janë shtuar këta?! Këta janë shtuar kur u rrit rezistenca jonë ndaj revizionistëve sovjetikë, prandaj këshilltarët erdhën me shumicë, dhe u pranuan nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, pikërisht për të forcuar situatat e tyre brenda. Kadriu, ankohet se nuk ka vendime e materiale me shkrim, që të përcaktojnë kufirin e këtij bashkëpunimi me këshilltarët sovjetikë.

Sigurisht që nuk ka, por ka ligje, ka norma Partie, ka fjalime e vendime të Komitetit Qëndro, që përbëjnë atë kufi që ti, e ke hedhur pas krahëve. Është e qartë që sovjetikët, nuk mund të jepnin dokument se do të ishte komprometuese për ta, se çfarë kërkonin e merrnin. As Partia jonë, s’mund të formulonte një dokument të tillë që, të dorëzonte çelësat e sekreteve të veta dhe ato shtetërore në mënyrë skandaloze, siç është vepruar në Ministrinë e Brendshme. Ne si në shumë sektorë të tjerë, kishim nevojë për eksperiencë, si për organizimin e punës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ashtu dhe për shkëmbimin e informatave dhe bashkërendimin e veprimtarive tona, lidhur për shembull me emigracionin tonë politik reaksionar, lidhur me planet e imperialistëve e të reaksionit, kundrejt vendeve tona, kurse ju i futët ata thellë e më thellë.

Pra këshilltarët kishin vendin e tyre dhe këtë ne e kishim të qartë, por ju nuk e kishit të qartë, dhe keni bërë një hata të madhe që, keni vepruar në atë mënyrë. Ne aktualisht, dimë që në krye të kësaj agjenture ku të kanë implikuar edhe ty, kanë qenë Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, dhe shumë oficerë të tjerë të lartë, spiunë të KGB-së dhe të GRU-së sovjetike. Me vendim të udhëheqjes Kadriu, ka marrë pjesë në dy mbledhje të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të Demokracive Popullore. Po me vendim të udhëheqjes, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, janë dërguar në Moskë për të siguruar disa materiale e aparatura, etj.

Se ç’bëri ndërkohë atje Mehmet Shehu, këtë ne nuk e dimë, por Kadriu mundet ta kishte parë se ç’bënte ai atje. Por unë dua të theksoj para Byrosë Politike, me përgjegjësi të plotë se, as në kohën e Stalinit, dhe aq më shumë më vonë, nuk është dhënë asnjë orientim nga udhëheqja e Partisë, dhe as nga unë që, këshilltarët sovjetikë, të futeshin në çdo sektor e veprimtari të organeve të Sigurimit të Shtetit, “të kishin mundësi të zgjidhnin, e të merrnin vetë materialet”, që ju kërkonte Moska (gjoja për shkollë e kuadrove tanë të Sigurimit). Si është e mundur që ju të lejonit me dhjetra e dhjetra majorë, nënkolonelë, kolonelë, e deri dhe gjeneralë sovjetikë, të futeshin në të gjitha vrimat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kurse në asnjë ministri tjetër, nuk ka ngjarë një gjë e tillë?!

Asnjëri nuk mund të hyjë, pa lejen e një personi të caktuar nga Kryeministri ose Ministri, nëpër arkiva dhe të marrë dijeni mbi përmbajtjen e dokumenteve të një ministrie. Në Komitetin tonë Qendror, nuk ka të drejtë të hyjë në arkiv, asnjëri pa leje të Hysniut, kur ishte gjallë, të Ramizit, dhe timen. Tani pa lejen time dhe të Ramizit, nuk mund të hyjë dot as anëtari i Byrosë Politike. Ky, duhet të vijë të më kërkojë leje mua ose Ramizit, të sqarojë për çfarë do të shkojë dhe çfarë do të kërkojë, dhe nëpunësi atje, do t’ja japë në zyrë ta lexojë, dhe kur largohet ai, nëpunësi përkatës, shkruan që në datën kaq, filan shok, mori për të lexuar këtë dokument. Kjo është praktika që ndiqet nëpër arkiva. Ka rregulla të rrepta atje.

Si është e mundur që Ministria e Punëve të Brendshme dhe vetë ju, të vepronit ashtu siç po thua ti Kadri, duke i lënë arkivat hapur si han me dy porta?! Ku ishte kjo rregullore tek ju kur në ministritë e tjera, ajo ekzistonte?! Ju mund të më thoni se, e keni vënë tani këtë rregull, kurse më përpara nuk e kishit vënë, kur të tjerët e kishin. A lejohesh të shkonte njeri në arkivat e shtetit, pa leje?! Tani ju, keni vënë këtë rregull për njerëzit tanë, kurse atëherë lejonit që të hynte kushdo, madje dhe sovjetikët. Kjo është e papranueshme, dhe kjo që është bërë, nuk është faj, por një krim. Nga ana tjetër dua të theksoj një gjë që, Arkivit të Shtetit tonë i dorëzohen të gjitha dokumentet shtetërore që nuk janë më në përdorim dhe për këtë, janë caktuar edhe afate. Dhe kjo është përcaktuar me vendim. Vetëm Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes Popullore, dhe Ministria e Punëve të Jashtme, për arsye të sekreteve kanë arkivat e tyre dhe nuk i dorëzojnë këto dokumenta në Arkivin e Shtetit por, i mbajnë ato vetë. Dhe aq më tepër që, t’jua jepnin sovjetikëve. Pavarësisht se ishim miq me sovjetikët, me ç’të drejtë, me ç’rregullore, ju dorëzoheshin shtetit sovjetik, dokumenta që nuk i dorëzoheshin Arkivit të Shtetit tonë?! Ju s’keni pasur asnjë urdhër që ta bënit një gjë të tillë, ju s’mund të gjeni asnjë dokument të kundërt të Komitetit Qendror, me atë që kanë të tjerët pasi, çështjet e Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Jashtme, dhe Ministrisë së Mbrojtjes, janë jashtëzakonisht sekrete.

Por këto sekrete, ju i keni nëpërkëmbur. A mbani përgjegjësi për këtë?! Me fjalë po, vetëm se e keqja është bërë. Dhe kjo, është bërë në periudhën pas vdekjes së Stalinit, pra pas 1953. Domethënë nuk është ashtu siç thotë Kadriu që: “Kështu e gjeta, ashtu e vazhdova”. Kur Kadriu, ishte tashmë ministër, rezidentura jonë, ju është dorëzuar organeve të Sigurimit sovjetik. Kur udhëheqja e Partisë, i dërgonte letra Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ku protestonte për vajtjen e Hrushovit në Beograd te Titoja, në 1955, Ministria jonë e Brendshme, i jepte KGB-së sovjetike, dosjet e elementëve antiparti. Për këto gjëra, duhet të përgjigjet shoku Kadri./ Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?