Kryebashkiaku i Mirditës, Albert Melyshi i është kundërpërgjigjur akuzave të ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja i cili tha se Mëlyshi po pushon nga puna zyrtarë që mbështesin PS-në.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Melyshi i quajti të pavërteta akuzat e Manjës i cili është njëkohësisht edhe drejtues politik i PS në qarkun e Lezhës.
Mes të tjerash, kryebashkiaku shkruan se do t’i propozojë këshillit bashkiak të Mirditës ngritjen e një komisioni për të hetuar nëse ka pasur shkarkime politike të punonjësve nga bashkia.
“Ulsi, do të ishte në dinjitetin tuaj, si drejtues politik i së majtës në Qarkun e Lezhës, aq më tepër si anëtar i qeverisë, t'i filtronit paraprakisht informacionet që ju kanë dhënë lidhur me mua dhe Bashkinë Mirditë që drejtoj, se ato jane produkt i varfër i disa vartësve tuaj politikë, që nuk arrijnë të bëjnë politikë, por konsumojnë politikë kafeneve.
Para se të shkruani, pyetini pak ata për sektorët që drejtojnë, për problemet që kanë qytetarët! Për hir të së vërtetës po përpiqem përtej politikës të bashkëveproj për të qënë afër qytetarëve në zgjidhjen e sa më shumë problemeve.
Ulsi, mos bëj politikë pa bereqet me Mirditorët, ata nuk pyesin në raste të tilla as për ty as për mua, as për kolegët e mi të Lezhës e Kurbinit apo dhe deputetët qe janë angazhuar nga ju në të gjithë Mirditën. Nëse do i kushtonit kaq kohë punës sa i kushtoni Partisë do ishim ndryshe”- u shpreh Melyshi.
Lajmi kryesor:
Manja akuza kryebashkiakut të Mirditës: Shkarkon socialistët që punojnë në bashki! Është infektuar nga modeli i Berishës! Melyshi: Politikë e kafeneve
B.V/ReportTv.al