"Të pavend" e ka cilësuar Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) reagimin e Presidentit Ilir Meta, i cili tha se ata nuk kanë ditur të menaxhojnë ujin e pijshëm.
Sipas reagimit të UKT, Meta po e përdor këtë çështje për të keqinformuar publikun, ndërsa i "kujton" atij se ky institucion nuk është ai i dikurshmi "kur drejtohej nga një kanakar i një prej aleatëve më besnikë të z. President". UKT siguron qytetarët se zbaton standartin kombëtar të cilësisë së ujit të pijshëm dhe rekomandimet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
"UKT ndoqi me keqardhje një reagim të pavend dhe aspak të denjë të Presidentit të Republikës, por që nuk çudit askënd, lidhur me një vendim gjykate, referuar një çështjeje që daton 5 vjet më parë, të keqpublikuar qëllimisht ditët e fundit nga disa media e portale pranë opozitës dhe Presidentit. Presidenti i Republikës, shtëpitë dhe vilat e të cilit sot furnizohen me 24h ujë, po e përdor qëllimisht këtë çështje për të keqinformuar publikun. I kujtojmë Presidentit se UKT-ja nuk është më institucioni i dikurshëm, kur drejtohej nga një kanakar i një prej aleatëve më besnikë të z. President.Që nga ajo kohë, UKT ka pësuar një ndryshim rrënjësor, qoftë në dhënien e shërbimit për qytetarët, qoftë në furnizimin me ujë të tyre, duke e çuar furnizimin me 24h ujë në ditë në 70% të Tiranës. UKT siguron qytetarët e Tiranës se zbaton standartin kombëtar të cilësisë së ujit të pijshëm, mbështetur në VKM Nr.379 datë 25/05/2016, dhe rekomandimet për cilësinë e ujit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sipas këtij standardi, uji i pijshëm monitorohet çdo ditë nga Operatori i Sherbimeve të Kujdesit Shëndetësor, i cili është organi që kontrollon dhe monitoron cilësinë e ujit të pijshëm. Zgjedhja e pikave të marrjes së mostrave realizohet në bashkëpunim me Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor të Tiranës dhe miratohet nga Ministria e Shëndetësisë. Çdo ditë kryhen analiza për 16 kampione për 7 parametra fiziko-kimike (ngjyra, era, shija, turbullira, amoniaku, nitrite, klori i lirë mbetës) dhe 3 parametra mikrobiologjik (Koliforme totale, Escherichia coli, Streptokoku fekal). Përveç UKT, edhe Drejtoria e Higjenës monitoron rregullisht, në mënyrë të përditshme, kampione uji në 31 pika të përcaktuara në të gjithë qytetin e Tiranës. Gjithashtu, uji me të cilin UKT furnizon konsumatorët e saj përmes rrjetit shpërndarës, është objekt kontrolli periodik nga Institucione të tjera monitoruese sic janë: Inspektoriati Shendetesor Shqiptar, institucion që vepron në bazë të dispozitave të ligjit nr. 7643 dt. 02.12.1992 “Për Inspektimin Sanitar” të ndryshuar, si dhe akteve të tjera kigjore në fuqi dhe njofton Ministrinë e Shëndetësisë si dhe Agjencia e Baseneve Ujore. Vetë Ujësjellës Kanalizime Tiranë kryen kontroll të përditshëm në 52 pika të kampionimit në të gjithë qytetin e Tiranës për monitorimin e klorit të lirë mbetës në pikat fundore të rrjetit të ujësjellësit. Për sa i përket klorinimit, niveli i klorit në të gjithë rrjetin e ujësjellësit mbahet gjithmonë brenda limiteve të rekomanduara nga ISHSH që është në vlerat 0,3-0,5 mg/l në rrjet", thuhet në reagim.
Presidenti Meta reagoi ditën e sotme pas vendimit të djeshëm të Gjykatës, ku tha se çështja duhet të ndiqet edhe në instancat më të larta shtetërore. Meta denoncoi Ndërmarrjen e Ujësjellësit të Tiranës duke theksuar se “qytetarët e Tiranës meritojnë mbrojtje të garantuar të shëndetit përmes shërbimeve shtetërore, që mbahen dhe paguhen me taksat e tyre”.
"E përshëndes aktivizimin e shoqërisë civile në këtë rast për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga papërgjegjshmëria dhe keqfunksionimi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës, në varësi të Bashkisë, që siç faktohet nga të dhënat e bëra publike, ka rrezikuar jetën e tyre duke i furnizuar me ujë të papërdorshëm sipas parametrave. Tashmë, që pritet arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, çështja duhet të ndiqet edhe në instancat më të larta shtetërore, ndërkohë të dhënat e bëra publike, duhet të vënë në lëvizje Prokurorinë për të hetuar deri ku arrin shkalla e përgjegjësisë dhe e shkeljes së ligjit, për të nxjerrë para drejtësisë këdo, që ka vendosur në rrezik masiv shëndetin e banorëve të kryeqytetit. Mbrojtja e shëndetit dhe e jetës së qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, veçanërisht në këtë periudhë pandemie, duhet të jetë prioritet absolut", tha Meta në reagimi e tij. E përshëndes aktivizimin e shoqërisë civile në këtë rast për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga papërgjegjshmëria dhe keqfunksionimi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës, në varësi të Bashkisë, që siç faktohet nga të dhënat e bëra publike, ka rrezikuar jetën e tyre duke i furnizuar me ujë të papërdorshëm sipas parametrave. Tashmë, që pritet arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, çështja duhet të ndiqet edhe në instancat më të larta shtetërore, ndërkohë të dhënat e bëra publike, duhet të vënë në lëvizje Prokurorinë për të hetuar deri ku arrin shkalla e përgjegjësisë dhe e shkeljes së ligjit, për të nxjerrë para drejtësisë këdo, që ka vendosur në rrezik masiv shëndetin e banorëve të kryeqytetit. Mbrojtja e shëndetit dhe e jetës së qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, veçanërisht në këtë periudhë pandemie, duhet të jetë prioritet absolut.
Ndërkohë, ditën e djeshme, Gjykata urdhëroi Ujësjellës Kanalizime Tiranë të monitorojë dhe të analizojë të gjitha parametrat e ujit të pijshëm në Tiranë. Sipas vendimit, ndërmarrja e Ujësjellës- Kanalizime është e detyruar që këto rezultate të analizave t’i dërgojë në Institutin e Shëndetit Publik, për të përcaktuar masat që duhet të merren për të përmirësimin cilësisë së ujit.
Po ashtu gjykata urdhëroi ndërmarrjen Ujësjellës -Kanalizime Tiranë të raportojë tek “Qendra Res Publika” dhe shoqata “Impektus” rezultatet periodike të analizave si dhe masat që do të ndërmarrë kjo ndërmarrje që do të çojnë në garantimin e cilësisë së ujit të pijshëm.