Muhamed Sejdini u rizgjodh në fundjavë si president i ri i federatës së futbollit në Maqedoninë e Veriut me 52 vota pro në një kohë që nuk kishte kundërshtar. Përtej këtyre detajeve, shqiptari është presidenti i parë nën drejtimin e të cilit Maqedonia e Veriut u kualifikua në Europian. Për Report Tv Sejdini thotë se pavarësisht se janë fillestar në një kompeticion të tillë shkojnë për të treguar vlerat e tyre.
“Ne jemi për herë të parë në një kampionat si Europiani, por nuk do shkojmë me flamur të bardhë atje, por do të japim të gjithë mundësitë tona për të bërë më të mirën atje, sidomos për futbollin që përfaqësojmë ne,”-u shpreh ai.
Më tej Sejdini refuzoi të komentonte publikisht deklaratat e kapitenit Goran Pandev, i cili akuzoi se në kombëtaren e Maqedonisë së Veriut ka nacionalizëm. Sipas Pandev shqiptarët e kombëtares nuk u gëzuan kur eliminuan Kosovën dhe se ata nuk kuptojnë nga futbolli.
“Unë këtë e kam dëgjuar e kam parë nëpër portale. Sonte në mbrëmje ose nesër në mëngjes kthehem në Maqedoni dhe do ta flasim atje më këshillin tonë,”-tha ai.
I pyetur se kush ishin të parët që e uruan për kualifikimin e Maqedonisë së Veriut në Europian Sejdini shprehet:
“Fillimisht ishte Duka, më pas Ademi (president i federatës së Kosovës), presidenti i UEFA-s në Ceferin. Gjithashtu pata urata edhe nga president i Serbisë kështu që futbolli na bashkon,”-deklaroi ai.
Maqedonia e Veriut siguroi kualifikimin për herë të parë në Europian nëpërmjet Ligës së Kombeve. Në ‘play-off’ ajo mposhti fillimisht Kosovën dhe më pas Gjeorgjinë.