Kronikë

Akuzat e PD-së për punësime elektorale në bashkinë e Vaut të Dejës gjatë fushatës, gjykata e Apelit në Shkodër detyron prokurorinë të nisë hetimet

24 Shtator 2021, 09:48| Përditesimi: 24 Shtator 2021, 15:56

  • Share

SHKODËR-Gjykata e Apelit të Shkodrës ka urdhëruar Prokurorinë që të nisë hetimet për akuzat e Partisë Demokratike, dega Vau i Dejës, të ngritura në prokurori për punësimet masive gjatë fushatës elektorale në territorin e Bashkisë Vau Dejës.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit kjo e fundit detyron Prokurorinë që të nisë hetime dhe të thërrasë në organin e akuzës personat përgjegjës dhe Kryetarin e Bashkisë Vau Dejës si autorë të punësimeve elektorale. Ka qenë përfaqësuesi ligjore i PD Marash Logu i cili në një prononcim për mediat ka zbardhur vendin e Gjykatës së Apelit. Nga ana tjetër Logu ka zbuluar edhe prova konkrete që implikojnë administratën e Bashkisë Vau Dejës në këto punësime masive për fushatën elektorale të 25 Prillit.

‘Prej dy vitesh PD dega Vau i dejës ka depozituar dhjetëra kallëzime penale pranë prokurorisë së rrethit gjyqësor Shkodër dhe SPAK, për të gjitha shkeljet që janë kryer nga bashkia e Vaut të Dejës. Këto shkelje dhe abuzime janë intensifikuar veçanërisht në fushatën zgjedhore të 25 prillit, ku punësimet masive në administratë, bursat, ndihma ekonomike, leje, licenca u përdorën të gjitha në funksion të partisë në pushtet. Kemi pritur që prokuroria t’i hetojë dhe sjellë para përgjegjësisë penale, por prokuroria e Rrethit gjyqësor në Shkodër ka vepruar si një mburojë, e paligjshmërive dhe shkeljeve që janë kryer nga ana e administratës së bashkisë së Vaut të Dejës. Gjykata e Apelit vendosi të urdhërojë prokurorinë që të kryejë hetime, të thërrasë personat përgjegjës, përfshirë edhe kryetarin e bashkisë, dhe të administrojë dokumentacionin përkatës, të cilat provojnë qartë se në zgjedhjet e 25 prillit u përdorën punësimet masive, bursat e studentëve, fondet publike për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe për të sjellë fitoren e PS-së në këtë bashki.’- tha Logu.

Logu ndër të tjera deklaroi se këto prova janë vetëm maja e ajsbergut e abuzimeve dhe masakrës elektorale që ka bërë partia në pushtet, por deklaroi se këto prova tashmë janë depozituara në organet e drejtësisë.

 

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?