Kronikë

Sulmet e Ramës për “KÇK”, Ibrahimi: Akuza politike! SPAK krijohet shpejt, BKH do kohë më të gjatë

18 Tetor 2019, 11:20| Përditesimi: 18 Tetor 2019, 16:53

  • Share

Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi raportoi në Komisionin e Ligjeve, lidhur me ecurinë e ngritjeve të institucioneve të reja, siç janë ato të SPAK dhe të BKH.

Në këtë seancë, Ibrahimi ka folur ndër të tjera edhe për akuzat e kryeministrit Edi Rama për një grup të rrezikshëm kriminal që vepron në sistemin e drejtësisë, prokurorë e gjyqtarë që ende nuk e kanë kaluar vettingun, të quajtur KÇK , (Kap Ç’të Kapësh).

Këto akuza të Ramës, Ibrahimi i ka quajtur si politike dhe që është e pamjaftueshme për të nisur një proces gjyqësor.

“Kryeministri Edi Rama bëri një akuzë të përgjithshme dhe politike, si të tillë e kemi trajtuar edhe ne. Nuk është se po bëjmë një hetimit të thelluar, por po e shohim në përgjithësi. Nuk mjafton për të bërë gjyq”,-u shpreh Ibrahimi në Komisionin e Ligjeve.

Për ngritjen e institucioneve të reja, Ibrahimi u shpreh se po pritet që të emërohen prokurorë të tjerë, pasi 8 të cilët tashmë janë pjesë e SPAK, do e kishin të pamundur për të hetuar volumin e dosjeve që janë në tavolinë, çka sipas tij do të sillte një mbikarkesë në punën e tyre.

“Tani që flasim kemi 8 prokurorë që mund ti emërojmë të cilët kanë kaluar vettingun nga 15 kandidatë. Dhe në momentin që i emërojmë SPAK fillon punën. Por, nëse i emërojmë këta 8 prokurorë në SPAK, atëherë i bie që çdo prokuror do të ketë mbingarkesa shumë të madhe”, u shpreh Ibrahimi.

Duke mos dhënë një afat të caktuar, Ibrahimi u shpreh se shumë shpejt do të jetë në funksion SPAK, ndërsa krijimi i BKH, do të marrë kohë më të gjatë.

“Shumë shpejt do të kolaudojmë në krijimin e SPAK. Procesi i krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jetë i gjatë”-deklaroi Ibrahimi.

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?