Opozita shqiptare po e vuan rëndë krizën e lidershipit, teksa palët janë përfshirë në goditje të forta ndaj njëra tjetrës. Jo vetëm PD, por dhe LSI dhe aleatët respektivë janë të përfshirë.
Ndërsa po afron 11 dhjetori, Kuvendi Kombëtar i PD i thirrur nga Sali Berisha, mbështetur në 4200 firmat e delegatëve, me objektiv primar largimin “fishek” të Lulzim Bashës nga kreu i demokratëve, tashmë në këtë parti janë vënë të gjithë kundër të gjithëve.
Të vjen zor të marrësh në dorë pultin e televizorit dhe të “vozitësh” nëpër kanalet televizive, pasi do të shohësh në çdo ekran dy palë nga radhët e PD që përplasen, duke artikuluar akuza nga e para tek e fundit, ndaj njëri tjetrit, a thua nuk janë në të njejtën parti.
Eshtë një situatë që na kujton “mot a mot” periudhën e KPD të famshme të PS, pas “katharsisit” rrufe të Fatos Nanos kundër Ilir Metës, në atë kohë kryeministër i vendit. Në PS asokohe pati debate që degjeneruan në një sherr të fortë duke nxjerrë gjithçka në shesh, që nga akuzat për korrupsion e deri tek aferat seksuale me “krevatë të thyer”, por e vërteta është se gjithçka filloi dhe u mbyll në një rreth të mbyllur brenda KPD pa u shpërndarë në bazë.
Ndërkohë që në PD “virusi” i dyshimit e armiqësisë ka përfshirë dhe bazën e partisë, duke i ndarë në dy fronte, që nuk lënë gjë pa thënë dhe akuzë pa ngritur ndaj njëri tjetrit, deri dhe të bashkëpunimit me krimin, duke shembur në këtë mënyrë gjithë “ngrehinën” e ngritur si kauzë e opozitës, që ka të bëjë me dekriminalizimin e politikës. Pra e kanë “vrarë” këtë “kalë beteje”.
Sali Berisha, ish kryeministri demokrat i shpallur “non grata” nga SHBA për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe presion mbi gjyqësorin dhe i përjashtuar nga grupi parlamentar i PD nga Lulzim Basha, nuk lë akuzë pa artikuluar ndaj liderit të PD. Duke tejkaluar çdo limit, a thua s’kanë qënë me njëri tjetrin për 16 vite me radhë, vetëm në një krevat s’kanë fjetur me sa dimë.
Ish kryeministri, foltore më foltore i përmend Bashës dosjen e lobimit me para ruse në SHBA. Futet dhe në detaje, duke rikujtuar momentin kur ish ambasadori amerikan Donald Lu i kishte sjellë dosjen në zyrë, duke kërkuar distancimin sipas Berishës, të PD me Lulzim Bashën, pasi ka një hetim në SHBA dhe një hetim në Shqipëri.
Madje hedh akuza dhe mbi gjykatën se si ia “korrektoi” dosjen me akuza, duke i lënë vetëm shpërdorimin e detyrës, ndërkohë që Berisha shfaqet i bindur se Basha ka marrë financim rus për lobim në Uashington dhe se hetimi në SHBA, bazuar në dëshminë e Nick Muzin ndaj Bashës vijon. Njëherësh i kujton Bashës se ka vite që nuk shkon për vizitë në SHBA, dhe se dosja që është kopsitur në ngarkim të tij, është mjeti i mbajtjes peng nga ambasadorja amerikane, Rama dhe persona të tjerë, të cilët Berishës i bien ndërmend për t’i futur në listën e armiqve të vet.
Berisha nuk mungon t’i përmendë Bashës dhe 3.4 milion eurot e “Tayota Yaris”, bisedën e bërë me të për këtë qëllim, si dhe e ka akuzuar se ka përfituar në mos tërë shumën , gjysmën e këtyre milionave për vete. Të shtruara këto me pyetjen: Me kë i ndave 3.4 milionë eurot zoti Basha?!
Por dhe Basha nuk mbetet pas në sulmet ndaj Berishës, ku akuza më madhore është korrupsioni i cilësuar, mbështetur dhe në argumentimin e SHBA për shpalljen e Berishës dhe familjes së tij si person “non grata”. Madje e cilëson një barrë në PD, duke mbërritur te etiketimi “Trekëndëshi i Bermudës”, pjesë e rëndësishme e të cilit për Bashën është dhe Sali Berisha.
Por akuza më e fortë e Bashës për Berishën është bashkëpunimi sipas tij me elementët kriminalë, duke filluar me Juel Çelën në Elbasan, dhe vijuar me figura të tjera të krimit. Nuk mungon t’i akuzojë këto elementë kriminalë që po mbledhin firma përmes presionit për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD më 11 dhjetor dhe marrë vendimin e zhbërjes së kësaj partie dhe kthimin e saj sipas Bashës, në një parti anti-amerikane.
Reagimi i fortë i ardhur nga Berisha, sipas të cilit Basha ka qënë njeriu që komunikonte me Çelën gjatë fushatës së 25 prillit dhe me elementë të tjerë kriminalë, nënvizon se përkundër deklaratave të vetë Berishës kundër këtyre elementëve kriminalë, Basha heshti madje kërkonte që të mos sulmoheshin, është pasuruar dhe me akuza të tjera. Madje reagimi i ish kryeministrit demokrat është bashkuar dhe me zërin e aleatit të ardhshëm, LSI, që pritet të drejtohet dhe zyrtarisht nga Ilir Meta.
Jo më larg se një natë më parë ka qënë kryetarja e deleguar e LSI Monika Kryemadhi, e cila akuzoi krahun e djathtë të Bashës, sekretarin e Përgjithshëm të PD Gazmend Bardhi se bënte si ministër i Brendshëm i ardhshëm i PD gjatë fushatës së 25 prillit, duke joshur elementët kriminalë në Elbasan për të mbështetur PD, në këmbim të amnistimit të krimeve të tyre.
Akuza këto që kanë ardhur si reagim ndaj akuzave të Bashës në drejtim të Metës, të cilin e cilësoi si pjesë e “Trekëndëshit të Bermudës”, duke deklaruar se do të jetë edhe i vetëm përballë kësaj aleance të krimit për ta shpërbërë atë. Madje PD nuk mungon të nënvizojë se “i dinë të gjitha bëmat dhe gjëmat e Ilir Metës”.
Nga ana e tij Presidenti zbret vetë në “fushën e betejës” dhe akuzon Bashën si mashtrues, njeri që nuk mban fjalën dhe që kishte ardhur duke qarë në Presidencë duke kërkuar të anulojë zgjedhjet. Meta pranon se e ka kryer anulimin e 30 qershorit 2019 i shtyrë nga Basha, për të evituar ndonjë përplasje sipas tij të dhunshme në protesta, dhe aspak në mbrojtje të Kushtetutës sikurse është shprehur në ato kohë.
Pra ka një “mal” me akuza ndërmjet “trekëndëshit” Berisha, Basha dhe Meta, të cilat pa u shtuar akuzat e bëra ndër vite që fillojnë nga akuzat për korrupsion, abuzim me pushtetin e deri te krime të tilla si vrasje me pagesë apo vrasje të civilëve, janë sërish shumë në sytë e shqiptarëve.
Janë akuza të nxjerra në inat e sipër, por që në një shtet normal me drejtësi normale, ato mund të shërbejnë dhe si një indicie për të filluar një hetim të detajuar dhe verifikuar se sa të vërteta janë.
Fundja “peshqit e mëdhenj” të korrupsionit në Shqipëri këta janë, drejtuesit e lartë të shtetit dhe të partive, dhe pikërisht në këtë mënyrë mund të shkojnë përballë drejtësisë për të dhënë llogari për zullumet e shumta që kanë bërë gjatë ushtrimit të pushtetit në këtë vend.
Pasi nëse kërkohet të kapet ndonjë firmë në tendera, apo në elementë të tjerë të qeverisjes, harrojeni. E kanë hequr me ligj, firmosin vetëm për elementë që nuk kanë lekë në të, por që përmes presionit ndaj niveleve të ulta të qeverisjes apo komisioneve të tenderimit, përfitojnë para nga taksapaguesit shqiptar, duke “zhytur” në humnerë pikërisht këto nivele të administratës.
Jemi të prirur të besojmë se SPAK i mban shënim akuzat që politikanët e lartë i bëjnë njëri tjetrit, për të hetuar themi, pasi dhe mund të mos përbëjnë vepër penale për të kaluar dhe marrë dënimin. Por dhe për t’i vënë këto akuza përkrah vilave të para, të dyta apo të treta që kanë blerë, me “rrogë shteti” kuptohet, apo pasurive të tjera që shqiptarët i dinë, por që vetëm organet ligjzbatuese në këtë vend akoma nuk kanë arritur të “nuhasin” ndonjë gjë. Ose kërkojnë në “drejtim të paditur”!
Ka ardhur koha që në këtë vend, akuzat konkrete që lëshojnë zyrtarët e lartë të shtetit ndaj njëri tjetrit, të meritojnë vëmendjen e organeve ligjzbatuese, duke filluar me SPAK e përfunduar me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe të Kontrollit të Pasurisë. Janë të lidhura.
Meritojnë “respekt” nga SPAK, pasi dhe aleatët tanë të mëdhenj, SHBA dhe BE, financuesit dhe autorët realë të Reformës në Drejtësi, nuk ka ditë që s’deklarohen pro dhënies fund menjëherë të pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në këtë vend.
O Jakin kto akuza nuk jane per spak kto jane akuza qe jane hetu nga spaku e me kta akuza nuk merret kush,po nuk nxorren akuza qe si kemi degjuar ndoj here athere po, por deri tani ata po tallen duke ju hedhur hi syve juve te mençurve ( si e mbani vedin)e gjithe shqiptareve
Përgjigju