Një sondazh i ri i kryer në vazhdën e një skandali të ekstremit të djathtë në landin lindor të Tyringisë në Gjermani ka treguar rritje të konsiderueshme në mbështetje për partinë E Majta dhe një rënie të konsiderueshme në mbështetje të Kristjandemokratëve të Kancelares Angela Merkel (CDU) në land, rezulton nga një sondazh i kryer nga dimap infratest, me porosi të transmetuesit publik MDR.
CDU në Tyringi është akuzuar për bashkëpunim me Alternativën e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) për të arritur që të zgjedhë një kandidat konservator si kryeministër të landit, pavarësisht nga fakti se partia Liberalët Demokratë pro biznesit (FDP) - e arriti me zor pragun e 5 përqindshit për të hyrë në parlamentin e shtetit të Tyringisë, në një votim rajonal tetorin e kaluar.
Mbështetja për partinë E Majta u rrit në 39%, tetë pikë të plota më shumë se rezultatet e saj në tetor. CDU-ja humbi me rreth të njëjtin numër, duke kaluar nga 21.7% në 13%. FDP, kandidati i të cilës për kryeministër të landit, Thomas Kemmerich, ishte në qendër të skandalit, ra në 4%, që do të thotë se nuk do të fitonte asnjë vend në parlament, po të mbahej votimi sot.
Sidoqoftë, më e habitshme është se megjithë zemërimin, mbështetja për AfD u përmirësua pak, nga 23.4 në 24%.
Merkel shprehet kundër degës së CDU-së në rajon
Javën e kaluar, Gjermania u trondit kur Thomas Kemmerich i FDP e mundi kryeministrin aktual të Tyringisë të partisë E Majta Bodo Ramelow me një votë të vetme më shumë, të dhënë nga deputetët e parlamentit të landit. Më vonë doli në pah, sipas shumë vetëve nga qarqet e CDU-së, se CDU, FDP dhe AfD kishin rënë dakord për këtë një ditë para votimit.
Kemmerich-u që nga ajo kohë ka dhënë dorëheqjen dhe mbetet e paqartë kur dhe nëse do të ketë zgjedhje të reja në landin e Tyringisë.
Kancelarja Merkel menjëherë e kritikoi degën e CDU-së në land për "braktisjen e vlerave të partisë" dhe shkarkoi komisionerin e saj për ish-shtetet lindore komuniste, i cili ishte edhe nënkryetar i partisë në Tyringen.
Skandali gjithashtu i dha fund karrierës së Annegret Kramp-Karrenbauer-it, që shihej si pasardhëse e preferuar e Merkelit. Kramp-Karrenbauer u tërhoq si kryetare e CDU-së dhe njoftoi se nuk do të kandidojë për kancelare në zgjedhjet parlamentare të Gjermanisë të caktuara për vitin e ardhshëm./DW