Manchester United është nën presion për të hequr dorë nga sulmuesi 95 milionësh Antony, pasi Brazili e pezulloi futbollistin nga skuadra pas akuzave të rënda të bëra nga ish e dashura e tij, Gabriela Cavallin, për sulm fizik dhe pretendimin se lojtari e kërcënoi ta vriste dhe e sulmoi atë me një gotë.
23-vjeçari ishte grumbulluar në skuadrën e Brazilit për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës CONMEBOL kundër Bolivisë dhe Perusë, por u pezullua nga detyra ndërkombëtare pasi Konfederata e Futbollit të Brazilit (CBF) citoi akuza "të cilat duhet të hetohen". Akuzat për dhunë në familje u bënë për herë të parë kundër Antony në qershor nga ish e dashura e tij dhe akuza të tjera nga ajo u bënë publike të hënën. United tha se ata janë në dijeni të vendimit të marrë nga CBF, por nuk pranuan të komentojnë, ndërsa Antony mohon çdo akt dhune.
Në deklaratën e Konfederatës Braziliane të Futbollit thuhej: "Si rezultat i fakteve që kanë dalë në dritë dhe që duhet të hetohen dhe për të mbrojtur viktimën e supozuar, lojtarin dhe ekipin kombëtar brazilian, CBF e ka tërhequr lojtarin nga skuadra për dy ndeshjet e radhës".