Donald Trump është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave federale se ka orkestruar një komplot për përmbysjen e humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara.
Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, i cili ka udhëhequr hetimin ndaj asaj që prokurorët amerikanë e quajnë përpjekje të paprecedente nga presidenti i atëhershëm për të minuar shtyllat e demokracisë amerikane, ka shikuar nga rreshti i parë i sallës së një gjykate në Uashington, në pasditen e së enjtes (sipas kohës lokale), teksa Trump ka thënë se ndihet i pafajshëm, duke qëndruar para gjyqtarit Moxila Upadhyaya.
Paraqitja e Trumpit në gjyq, e cila ka zgjatur rreth gjysmë ore, më 3 gusht, ka ndodhur vetëm një kilometër larg ndërtesës së Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën mbështetësit e tij e sulmuan më 6 janar të vitit 2021, në përpjekje për ta ndalur certifikimin e disfatës së tij zgjedhore nga legjislativi amerikan.
Deklarimi i Trumpit si i pafajshëm në gjyq – hera e tretë që ai bën një gjë të tillë në katër muajt e fundit – ka nisur një betejë disamujore gjyqësore, e cila do të zhvillohet në kohën e fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Trump është favorit për të siguruar nominimin nga Partia Republikane për ta sfiduar në zgjedhje presidentin aktual nga radhët e Partisë Demokratike, Joe Biden.
Në një aktakuzë prej 45 faqesh, të publikuar të martën, Smith ka akuzuar Trumpin dhe aleatët e tij për mbështetje të pohimeve të rreme se zgjedhjet e vitit 2020 ishin manipuluar, duke u bërë trysni zyrtarëve shtetërorë dhe federalë që të ndryshonin rezultatet dhe t’ia merrnin votat elektorale Bidenit.
Trump, 77-vjeçar, akuzohet, ndër të tjera, për konspiracion për mashtrimin e SHBA-së, për privimin e qytetarëve nga e drejta e tyre për t’iu numëruar votat, dhe për pengimin e një procesi zyrtar. Akuza më serioze parasheh dënim me burgim prej 20 vjetësh.
Seanca e radhës në gjyq do të jetë më 28 gusht, para gjyqtares Tanya Chutkan, ndonëse Upadhyaya ka thënë se Trump nuk është i obliguar të marrë pjesë. Chutkan synon të caktojë një datë për gjykimin e Trumpit atë ditë, ka thënë Upadhyaya.
Seanca e 28 gushtit do të zhvillohet pesë ditë pas debatit të parë të planifikuar mes kandidatëve republikanë për president. Trump ende nuk ka thënë nëse do të marrë pjesë në të.
Trump e ka cilësuar aktakuzën, si dhe rastet e tjera penale ndaj tij, si “gjueti shtrigash” që ka për qëllim pengimin e fushatës së tij për kthim në Shtëpinë e Bardhë. Në një varg shkrimesh në media sociale, të martën, ai e ka akuzuar administratën e Bidenit për shënjimin e tij për poenë politikë.
Ai është deklaruar më parë i pafajshëm ndaj akuzave federale se ka mbajtur dokumente të klasifikuara, pasi është larguar nga pushteti, ndërsa shteti i Nju-Jorkut e akuzon atë se ka falsifikuar dokumente në lidhje me blerjen e heshtjes së një aktoreje pornografike.
Trump mund të përballet edhe me akuza të tjera - në Xhorxhia, prokuroria shtetërore po heton përpjekjet e tij për ta përmbysur rezultatin zgjedhor atje. Prokurorja nga zona e Atlantas, Fani Willis, ka thënë se do të ngre padi gjatë mesit të gushtit.
“Më duhen më shumë akuza për ta siguruar zgjedhjen”, ka shkruar Trump në platformën e tij, Truth Social, para paraqitjes në gjyq, të enjten.
Rreth gjysma e republikanëve kanë thënë se nuk do të votonin për Trumpin, nëse ai do të dënohej për ndonjë krim, sipas një ankete të re të zhvilluar nga Reuters dhe Ipsos, duke theksuar rreziqet potenciale që telashet e tij ligjore përbëjnë për kandidaturën e tij.
Por, e njëjta anketë, e realizuar pas aktakuzës së të martës, ka demonstruar, po ashtu, qëndrueshmërinë e tij në garën brenda partisë republikane.
Rezultatet e anketës kanë treguar se ai tani gëzon mbështetjen e 47 për qind të republikanëve, teksa ka dyfishuar epërsinë karshi të dytit në garë brenda partisë, guvernatorit të Floridës, Ron Desantis, i cili mbështetet nga 13 për qind e republikanëve.
Tri të katërtat e republikanëve kanë thënë se pajtohen se akuzat ndaj Trumpit janë “të motivuara politikisht”, gjë që tregon se pohimi i ish-presidentit amerikan, se është viktimë e përndjekjes politike, gëzon mbështetje te simpatizantët e tij.
Shumica e madhe e udhëheqësve republikanë, përfshirë disa që po garojnë kundër Trumpit për të siguruar nominimin për Shtëpinë e Bardhë, ose e kanë mbrojtur atë, ose e kanë kritikuar atë butësisht, teksa kanë akuzuar administratën e presidentit Biden për shfrytëzim të Departamentit të Drejtësisë si armë kundër një kundërshtari zgjedhor.
Shumë prej pretendimeve në aktakuzën e së martës kanë qenë të dokumentuara mirë në raportimet e mediave dhe në hetimin e kryer nga një komision i zgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.
Por, aktakuza ka përmbajtur disa detaje të panjohura më parë, përfshirë disa të bazuara në dëshmi para një jurie të madhe dhe shënime nga ish-nënpresidenti Mike Pence, i cili, po ashtu, po garon për të siguruar nominimin e republikanëve për president.
Aktakuza e përshkruan një bisedë telefonike, në të cilën Pence i ka thënë Trumpit se nuk kishte bazë ligjore për teorinë që Pence mund të bllokonte certifikimin e rezultatit zgjedhor të presidencialeve të vitit 2020.
“Je tepër i sinqertë”, është përgjigjur Trump, sipas prokurorëve.
Ndonëse Pence vazhdimisht i ka thënë Trumpit se i mungonte autoriteti për t’i hedhur poshtë votat elektorale nga shtete të caktuara, Trump ka vazhduar ta përsërisë qëndrimin e tij.
Më 6 janar, teksa ka biseduar me mbështetësit e tij, para se ata ta sulmonin ndërtesën e Kongresit amerikan, Trump ka thënë: “Nëse Mike Pence bën gjënë e duhur, ne fitojmë zgjedhjet”. Disa sulmues te ndërtesa e Kongresit më vonë do të brohoritnin: “Vareni Mike Pencen!”.
Larg të qenët i shqetësuar nga dhuna, Trump dhe një bashkëpunëtor i paidentifikuar kanë vazhduar të thërrasin pjesëtarë republikanë të Kongresit, disa orë pas përfundimit të trazirave, ende të vendosur për bllokimin e certifikimit të rezultatit zgjedhor, thuhet në aktakuzë.
“Kemi nevojë që ju, miqtë tanë republikanë, të përpiqeni ta frenoni”, ka thënë bashkëpunëtori në një porosi me zë në telefonin e një senatori amerikan, sipas prokurorëve. Përshkrimi i bashkëpunëtorit në aktakuzë lë të kuptohet se bëhet fjalë për Rudy Giulanin, ish-avokatin personal të Trumpit, raporton Reuters.
Pence ka qenë njëri prej republikanëve të paktë që ka kritikuar Trumpin të martën, duke thënë se “kushdo që e vë veten mbi Kushtetutën kurrë nuk duhet të jetë president”./REL
Ish presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se ishte i pafajshëm ndaj 4 akuzave federale se është përpjekur për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Gjyqi ndaj tij vijon në gjykatën federale në Uashington, DC.
Ai u deklarua i pafajshëm për akuzat se kishte bërë
-Komplot për të shkelur të drejtën e amerikanëve për të votuar,
-Komplot kundër qeverisë,
-Pengim të një procesi zyrtar
Komplot për të penguar një procedurë zyrtare.
Kur Prokurori i posaçëm Jack Smith e pyeti si do të deklarohej për akuzat Trump tha "I pafajshëm"
Ai pritet të lihet i lirë në pritje të gjyqit.
Në aktpadinë prej 45 faqesh, të bërë publike të martën, prokurorët e udhëhequr nën drejtimin e prokurorit të posaçëm Jack Smith, e akuzojnë ish-presidentin se donte të sabotonte demokracinë, duke dashur të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve.
Avioni i Donald Trump është ulur në Aeroportin Kombëtar të Uashingtonit 'Ronald Reagan' përpara paraqitjes së tij në gjykatë.
Ish-presidenti do niset me makinë në Gjykatën e SHBA-së Barrett Prettyman, e cila ndodhet afërsisht 8 km nga vendi ku ndodhet tani.
Vetë godina e gjykatës është rreth 15 minuta në këmbë nga shkallët e godinës së Kapitolit, ku ngjarjet që po merren në pyetje në këtë çështje penale rezultuan në një trazirë vdekjeprurëse më 6 janar 2021.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm amerikan, Bill Barr të mërkurën minoi një shtyllë kryesore të mbrojtjes së shefit të tij të vjetër në hetimin e prokurorit special për ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2020, duke i thënë Kaitlan Collins të CNN se Donald Trump “e dinte mirë se i humbi zgjedhjet”.
Ish-prokurori i përgjithshëm gjithashtu i përshkroi veprimet e pretenduara të Trump si të detajuara në aktakuzë si “të përzier” dhe “të neveritshme”, duke folur për “The Source”.
“Dikush që u përfshi në atë lloj ngacmimi për një proces që është thelbësor për sistemin tonë dhe për Vetëqeverisja jonë nuk duhet të jetë askund afër Zyrës Ovale”, nënvizoi ai fuqimisht.
Një premisë qendrore e çështjes së këshilltarit special është se Trump e dinte se pretendimet zgjedhore që ai po bënte ishin të rreme, pasi iu tha nga disa ndihmës të afërt se ai kishte humbur zgjedhjet.
Avokatët e Trump kanë argumentuar se deklaratat e tij mbroheshin sipas Amendamentit të Parë, një pozicion që Barr, në intervistën e tij të parë që nga aktakuza e tretë e Trump, tha se nuk ishte një argument i vlefshëm.
“Siç thuhet në aktakuzë, ata nuk po e sulmojnë të drejtën e tij të Amendamentit të Parë.
Ai mund të thotë çfarë të dojë, madje mund të gënjejë. Ai madje mund t’u thotë njerëzve se zgjedhjet u vodhën kur ai e dinte më mirë”, tha Barr. “Por kjo nuk ju mbron nga hyrja në një komplot”.
Ai shtoi se në fillim nuk ishte i sigurt, por kam arritur të besoj se ai e dinte mirë se kishte humbur zgjedhjet”.
Prokurori i posaçëm, Jack Smith, ngriti katër akuza kundër Trump të martën – duke përfshirë komplotin për të mashtruar Shtetet e Bashkuara – si pjesë e hetimit të tij në përpjekjet për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020 që çuan në sulmin e 6 janarit 2021 në Capitol-in e SHBA.
Ish-presidenti pritet të dalë të enjten në gjykatën federale në Washington, DC.
DONALD TRUMP PRESIDENTI I ARDHSHEM I SHBA. LOVE U DONALD
PërgjigjuTrump duhet te fitoj vetem per faktin se duan tja fusin keta me sorosin ne krye qe jane me keq se ai vet. Trump duhet te fitoj qe ti kthehet dinjiteti SHBAve