Politikë

Delegacioni i ODIHR në selinë blu, mungon Bylykbashi, Basha krah Alibeajt: Duhet Reformë e thellë zgjedhore! PS: Gati të ulemi me opozitën në tryezë

29 Shtator 2021, 12:51| Përditesimi: 30 Shtator 2021, 15:56

  • Share

TIRANË- Dy muaj pas publikimit të raportit përfundimtar për zgjedhjet e 25 prillit ambasadorja Ursula Gaçek kryetarja e misionit të vëzhguesve u rikthye në Shqipëri e shoqëruar nga një delegacion ku zhvilloi takime me përfaqësues të maxhorancës e opozitës. Ndonëse OSBE në raportin përfundimtar certifikoi zgjedhjet e 25 prillit, pas takimit në selinë blu kryedemokrati Basha përsëriti edhe njëherë akuzat drejtuar maxhorancës për masakrën zgjedhore, por theksoi se është gati për një reformë të thellë zgjedhore. Ajo që u vu re, në ndryshim nga e kaluara ku Oerd Bylykbashi ka mbajtur peshën kryesore në PD-së lidhur me reformën zgjedhore kësaj here u pa krah Lulzim Bashës Enkelejd Alibeaj.

Raporti i OSE-ODIHR sipas kreut të PD Lulzim Basha ka konfirmuar masakrën zgjedhore të 25 prillit. Kështu u shpreh Basha pas takimit në selinë blu me delegacionin e ODIHR-it kryesuar nga ambasadorja Urszula Gacek. Më tej Basha ka hedhur akuza ndaj qeverisë Rama duke thënë se vrau demokracinë në Shqipëri dhe shteti u bë njësh me partinë. duke krahasuar qeverisjen e Ramës me atë të Lukashenkos në Bjellorusi, Basha shtoi sistemi i patronzhistëve është vjedhje e të të dhënave të qytetarëve.  Referuar krijimit të një Agjencie për Mediat dhe Informimin, një ndër vendimet e para që u mor sot nga qeveria, Basha tha se Rama ka krijuar një ministri të propagandës për të zhdukur sipas tij lirinë për gazetarët për të bërë transparencë.

Gazetarja e Report Tv Danjela Maloku tha se në takim bashkë me Gaçek ishin edhe dy përfaqësues të tjerë që kanë qenë drejtues të misionit të vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it. Takimi iu zhvillua në kuadër të akuzave që ngre kryedemokrati se zgjedhjet e 25 prillit ishin një masakër zgjedhore, pasi sipas Bashës, u blenë votat dhe iu është bërë presion votuesve. Gjatë një deklarate për mediat pak muaj më parë ku komentoi raportin përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit,  Basha tha se u “konfirmua që 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe me zgjedhjet e lira dhe të ndershme”. 

Para Bashës në takim delegacionin e ODIHR e priti edhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri. Ndër të tjera Gjiknuri, tha se dialogu politik brenda institucioneve ka raste të shumta suksesi të kryerjes së reformave të rëndësishme bipartizane. Në këtë frymë, ai shtoi se Partia Socialiste është e gatshme të ulet në tryezë dialogu me opozitën si për reformën zgjedhore ashtu edhe për atë territoriale.

Ora 18:43
Kryemadhi takon delegacionin e ODHIR: 25 prilli garë antidemokratike, reforma zgjedhore larg standardeve të synuara

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi se bashku me drejtuesit kryesore të partisë ka zhvilluar një takim me delegacionin e ODHIR për zgjedhjet e 25 prillit. Për LSI zgjedhjet e 25 prillit ishin anti demokratike dhe të pabarabarta si dhe vunë në dukje mos reflektimin e vullnetit të qytetarëve, thuhet në deklaratë.

“25 Prilli si një garë antidemokratike, e pabarabartë dhe e padrejtë, që nuk reflektoi në përfaqësim vullnetin real të qytetarëve është një realitet shumë i rëndë që duhet të ndryshojë rrënjësisht dhe sa më parë. LSI pret nisjen e procesit parlamentar për vazhdimin e reformës zgjedhore, e cila rezultoi në zgjedhje shumë larg standardeve të synuara, për t'u angazhuar aktivisht për një ligj zgjedhor realisht demokratik dhe që respektohet e nuk mbetet vetëm i shkruar në letër, dhe që t'i rezistojë kohës në shërbim të interesit të qytetarëve. Që respekton barazinë e votës dhe i jep vlerë votës së barabartë të çdo qytetari. Integrimi i Shqipërisë në standardet evropiane të demokracisë duhet të mbetet prioritet i të gjithë klasës politike, si rruga e vetme për mirëqenien e familjeve shqiptare dhe çlirimit të drejtësisë, ekonomisë dhe jetës shoqërore”, thuhet në deklaratën e LSI.

Ora 16:37
Përfundon takimi i Bashës me Gaçek: Raporti i ODIHR konfirmon masakrën zgjedhore, s'mund të jemi Bjellorusi! PD do bëjë gjithçka për zgjedhje të lira

Ka përfunduar takimi i kreut të PD Lulzim Basha me delegacionin e ODIHR-it kryesuar nga ambasadorja Urszula Gacek. Në një deklaratë për media kreu i opozitës tha se raporti i OSBE-së fakton masakrën zgjedhore të 25 prillit. Mes të tjerash, Basha tha se e ka informuar ambasadorin e OSBE se ka vetëm një arsye që opozita ndodhet sot në Parlament dhe që është kthimi i demokracisë dhe legjitimitetit në vend.

“Ambasadores Gacek i shpreha mirënjohjen për punën e jashtëzakonshme të misionit, ishte në kushte të kufizuara për shkak të pandemisë, me të dhe bashkëpunëtorët e saj. Raporti i OSBE/OHDIR, fakton masakrën zgjedhore, vrasjen e demokracisë në Shqipërisë më 25 prill.  Ndamë me të dakordësimet për rekomandimet e raportit të OSBE. Shteti duhet të garantojë lirinë dhe skeretin e votës thotë rekomandimi 2 dhe se njerëzit duhet të votojnë të lirë nga frika. Po të heqësh fjalën Shqipëri nga raporti mund të duket si kur bëhet fjalë për Bjellorusinë. Raporti konfirmon shkrirjen në një të shtetit me partinë, vjedhjen e të dhënave provate të qytetarëve dhe përdorimit të tyre nga sistemi i patronazhistëve. Korniza ligjore më të cilat u zhvilluan zgjedhjet nuk është përputhur me standardet dhe normat e komisioni të Venecias. Ndava me Gacek që gjërat janë përkeqësuar. Rama ka krijuar një ministri të propagandës për të zhdukur mundësinë që gazetarët të marrin informacion. Në këtë vend s’duhet thjesht një reformë zgjedhore por një shkundje e thellë e sistemit. PD është e përkushtuar të bëjë gjithçka, armiku i vetëm i PD është regjimi i Ramës.

Këto janë ato që ndava pak a shumë, por e informova, që kemi vetëm një arsye pse jemi në atë Parlament, jemi aty për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Të gjitha këto probleme të marrin zgjidhje nuk mjafton një reformë zgjedhore, për të cilën PD është e vendosur dhe për të cilën kemi ngritur një grup pune, të kryesuar nga Alibeaj, dhe që do t’i çojmë shumë shpejt Kuvendit kërkesën për ngritjen dhe vazhdimin e punës për reformën zgjedhore. Por kjo nuk mjafton, sepse regjimi deri më 25 prill, por edhe pas, shkeli rregullat që kishte aprovuar vetë, pa opozitën, pa PD, pa aleatët tanë”, tha Rama.

Ora 15:52
Sekretari i Përgjithshëm i PS pret delegacionin e ODIHR: PS gati për t'u ulur tryezë me opozitën për reformën zgjedhore e atë territoriale

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri priti sot në takim një delegacion të ODIHR-it kryesuar nga ambasadorja Urszula Gacek, shefe e misionit vëzhgues për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Fokusi i diskutimit ishte raporti përfundimtar i monitorimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare, konkluzionet dhe rekomandimet.

Gjiknuri falenderoi përfaqësuesit e ODIHR-it për kontributin e tyre si në procesin e hartimit të reformës elektorale përpara zgjedhjeve ashtu edhe në monitorimin e mëpasshëm të procesit zgjedhor. Ai konstatoi se zgjedhjet e 25 Prillit ishin një hap i rëndësishëm përpara në përmbushjen e të gjitha detyrimeve për një proces në përputhje të plotë me standardet më të mira ndërkombëtare.

Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm për procesin e dialogut politik rikthimin e opozitës në institucione, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste shprehu gadishmërinë e mazhorancës për tu ulur sa më parë në tryezë me opozitën me synim adresimin e të gjitha rekomandimeve të lëna nga raportet e OSBE/ODIHR-it, përfshirë nevojë për depolitizimin e administratës zgjedhore.

Sipas Gjiknurit, dialogu politik brenda institucioneve ka raste të shumta suksesi të kryerjes së reformave të rëndësishme bipartizane. Në këtë frymë, ai tha se Partia Socialiste është e gatshme të ulet në tryezë dialogu me opozitën si për reformën zgjedhore ashtu edhe për atë territoriale.  
 

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Poci: 29/09/2021 16:24

    O Luli, po per skandalin e mbledhjes se ps ne shkoder, ke ndonje koment? Hajde opozite hajde.

    Përgjigju
  • karadakliu: 29/09/2021 12:35

    Basha nderprej kopalate per "masakren zgjedhore",ne gare sh kohet per fitore,por edhe humbja eshte "pjese e lojes"- ne zgjedhjeve,Merru me Salihun qe po kokorizet,si sorreshkine ndjellakeqe cep me cep Shqiperise.Kujdes se ajo parulla "Rama mike" qe e paguaje, e nxiteshe kudo,madje edhe ne stadion fudbolli,Po te kthehet bumerang ne "Basha n'shpi!,per mos me thene ate parullen banale "Basha Ike!".

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?