Përgjatë javës së tretë të dhjetorit të shkuar dhe para dy ditëve, Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Departamentin e Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës zhvilluan një operacion në Shtërpcë për dhënien e lejeve ndërtimore nga zyrtarët komunalë. Në këto aksione u arrestuan 17 persona, në mesin e tyre edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratislava Nikoliq.
Prokuroria pretendoi se ish-kryetari Nikoliq ka pranuar 1 milionë euro ryshfet, ndër to 410 mijë euro për dhënien e 21 lejeve ndërtimore të vikend shtëpizave dhe lejen ndërtimore të objektit hotelier për investitorin “Stella Consullting”.
Pak ditë pas këtij aksioni, investitori “Stella Consulting” ka reaguar duke thënë se nuk zhvillojnë vetë aktivitete ndërtimi, por përmes kompanive ndërtuese në Kosovë, dhe se nuk presin të fitojnë nga ky aktivitet.
“Kompania “Stella Consulting” nuk zhvillon vetë në Kosovë ndonjë aktivitet ndërtimi por i gjithë ndërtimi bëhet nëpërmjet kompanive ndërtuese ekzistuese në Kosovë dhe si pasojë nuk ka fituar dhe nuk pret të fitojë asgjë nga aktiviteti i ndërtimit dhe të gjitha shumat e investuara deri tani apo edhe ato që do të investohen rrjedhin dhe do rrjedhin në kanalet e ekonomisë së shëndetshme të Kosovës duke i shërbyer rritjes ekonomike të saj”, thuhet në reagim.
Në deklaratë theksohet se “ Kompania “Stella Consulting” është kompani investuese që investon projektin “Mështekna” dhe i gjithë aktiviteti i saj operacional në Kosovë është bazuar që prej fillimit në krijimin e raporteve juridike me kompani konsulencë dhe kontraktorë të përgjithshëm të cilët kryejnë të gjitha detyrat e nevojshme për realizimin e investimit që nga marrja e lejeve të nevojshme dhe deri tek certifikimi i investimit”.
Duke sqaruar se të vetmet operacione që ka realizuar kompania “Stella Consulting” janë operacionet e realizimit të kontratave me kompanitë ekzistuese në Kosovë mbi bazën e një procesi prokurimi të kontratës plotësisht të ligjshëm dhe duke bërë hetim të plotë të tregut të kontraktorëve dhe konsulentëve, dhe me pas operacionin e pagesës se këtij kontraktori të përgjithshëm dhe të taksave dhe tatimeve në Republikën e Kosovës, në reagim nënvizohet se: “Pra asnjë leje e përgjithshme apo e posaçme nuk është marrë dhe asnjë tullë nuk është vendosur në projektin Mështekna drejtpërsëdrejti nga kompania “Stella Consulting”, por është realizuar nëpërmjet kontraktimit të përgjithshëm, ku përfshihen konsulenca dhe operacionet ndërtimore të tipit “me çelësa në dorë” duke përcaktuar qartë në kontrata që mënyra e operimit të kontraktorit duhet t’i bindet ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës.”
Në këtë linjë kompania “Stella Consulting” bën me dije se është investuar në kontrollin ligjor të lejeve të posaçme përfshirë lejet ndërtimore dhe çdo leje i ka rezultuar e mjaftueshme për zhvillimin e fazës përkatëse të investimit. Pra para çdo financimi është kontrolluar ligjshmëria e lejeve dhe me pas është dhënë financimi gjithmonë brenda rregullave. Në ragimin e investitorit “Stella Consulting” siguron se në aktivitetin e saj investitor në projektin “Mështekna” nuk ka shkelur në asnjë pikë lejen e marrë nga komuna. Kompania “Stella Consulting” nuk mund të mbajë përgjegjësi juridike për një leje të pushtetit vendor që mund të bjerë ose jo ndesh eventualisht me akte të tjera ligjore a nënligjore.
Botuesi i “Koha Ditore” dhe publicisti, Veton Suroi, i cili është aksioner në kompaninë “Stella Consulting”, për të cilën Prokuroria pretendon se i ka dhënë ryshfet Ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliqit mbi 400 mijë euro në këmbim të lejeve ndërtimore në Brezovicë, ka reaguar për herë të parë pas përmendjes së emrit t tij nga media të ndryshme lidhur më këtë dosje.
Në një postim në Facebook, Veton Surroi shkruan se kompania “Stella Consulting” nuk është marrë as me leje, as me ndërtim e as me çfarëdo akti tjetër ekzekutiv të projektit. Sipas tij “Stella Consulting” ka kontraktuar të gjitha veprimet nëpërmjet një kontrate me sistemin “çelësa në dorë”.
““Stella consulting”, aksionar i së cilës jam NUK është marrë as me leje, as me ndërtim e as me çfarëdo akti tjetër ekzekutiv të projektit. “Stella consulting” , si investim i huaj me aksionar mazhoritar z.Gentian Sulon (mik imi dhe afarist i respektuar i Shqipërisë) , i ka kontraktuar të gjitha veprimet e veta ekzekutive nëpërmjet një kontrate të përgjithshme me sistemin " çelësa në dorë" përfshirë konsulencën paraprake tekniko-ligjore me një kompani tjetër të përzgjedhur në mënyrë të ligjshme midis disa kompanive dhe ka paguar çdo detyrim të ardhur nga kjo kontratë në mënyrë plotësisht të ligjshme dhe duke respektuar ligjet dhe rregullat e Republikës së Kosovës. Çdo dokumentacion ligjor para dhe pas fillimit të ndërtimit deri në mbarimin e veprës është realizuar nga kjo kompani, duke përjashtuar në këtë materie nga çdo përgjegjësi juridike “Stella Consulting””, shprehet ai.
Surroi vëren se prej datës 22 dhjetor të vitit të kaluar janë botuar me dhjetra shkrime në disa portale duke e akuzuar për përfshirje në korrupsion në rastin “Brezovica”. Por me keqardhje thekson Surroi “As edhe një herë as njëri prej portaleve-prej atyre që profesion e kanë baltosjen, e deri tek ato që e quajnë veten pjesë të gazetarisë hulumtuese-NUK kanë kërkuar informatë apo koment nga unë. Kjo është shkelje bazike e etikës profesionale”.
Në fund publicisti kujton se “sivjet bëhen NËNTË vjet prej kur është ngritur padia për shpifje kundër një portali. Gjykata në shkallë të parë pas PESË vjetësh konstatoi se portali dhe përgjegjësit e tij kanë shpifur kundër meje dhe u është caktuar dënimi me të holla. Prej atëherë kanë kaluar KATËR vjet dhe lënda pret për t’u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit”.