SPAK i ka dërguar sot një kërkesë KQZ-së dhe KAS-it, lidhur me akuzat për blerje votash në zgjedhjet e 25 prillit në Qarkun e Durrësit. Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga KAS dhe KQZ të gjitha provat e administrua gjatë procesit të shqyrtimit të ankimeve në lidhje me rezultatin në qarkun e Durrësit.
Sipas SPAK, subjektet politike këto ditë kanë depozituar prova pranë KQZ apo KAS që mund të hedhin dritë mbi veprat penale të kryera gjatë zgjedhjeve në Durrës.
Ditën e sotme KAS përfundoi rinumërimin e votave për partitë për 108 kuti në qarkun e Durrësit, pas pranimit të kërkesës së LSI, nga ku kjo parti s'ka rikuperuar asnjë votë nga 136 që kërkonte për të marrë mandatin.
Përfaqësuesi i PD në KAS, Marash Logu e konsideroi politik vendimin, duke thënë se kishin dorëzuar në një sërë provash që faktonin sipas tij manipulimin e procesit zgjedhor.
“Kemi kërkuar të merrnin 19 prova që do zbardhnin masakrën. Skemi pse tregohemi hipokritë sepse e dimë që në kutinë e votimit nuk ka fletë votimi ku thuhet është e blerë e marrë nga një leje legalizmi, ndërtimi, bonusi për tërmetin, votë e marrë nga kërcënimi apo intimidimi. Ne e kosiderojmë atë që po ndodh në këtë komision, për Durrësin si masakra zgjedhore, pjesa 2. Tabela që na keni vënë në dispozicion nuk thotë asgjë, nuk zgjedhin zbardhjn e asaj masakre zgjedhore që kemi kërkuar me forcë të zbardhej. Ju keni refuzuar 38 herë të zbardhni masakrën të ndodhur në Durrës”, tha Logu pas vendimit të KAS.
Ndërkohë, ditën e djeshme KAS i rrëzoi PD dhe LSI kërkesën për pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe rivotim në të gjithë qarkun dhe po ashtu edhe kërkesën për marrjen e provave shtesë për këtë qark.